Home KRYESORE LOT QË DERDHEN NË MAL! Nga Sinan Kërpaçi

LOT QË DERDHEN NË MAL! Nga Sinan Kërpaçi

Për gjyqin e vetes kam kujtesë dhe fantazi,
përzihen të dyja dhe bëhen vuajtja ime.

Heroi e qëlloi sorkadhen syshkruar,
ra e pafajshmja pa u ndjerë mbi dëllinjë,
ra si në prehërin tim me gjithë bukurinë e saj

në mal, pas një prilli
që hyrë kish në maj.

Ra si një yll që këputet nga qielli,
ra në kërcim dhe ma mori të folurën,
ma mori të folurën dhe më la kujtesën
për sot dhe për nesër.

I vogël i vija rreth i përhumbur bukurisë,
më bëhej si të ishte syshkruara ime
ende e gjallë:
nga dy të shkruarit si dy qelqe i dilnin lot,
nga goja gjysmë e hapur i dilnin fjalë.

Lot që vazhdojnë e derdhen në mal,
fjalë që thuhen në kohëra që ikin
dhe do vijnë,

kur qajnë sorkadhe
e burrërohen fëmijë.