I dashur, nuk e ndërroj me puthje!
Më jep vetëm atë përqafim me shkronja.
Vallë si nuk e kupton se,
Gjithçka rreth meje po shpërfytyrohet,
Drita e pamjes tënde me bie nga mendja.
E më varet si gjerdan me perla.
Dua , tmerrësisht dua që,
Të marr aromën e trupit tënd,
Të marr shpirtin e kristaltë në gji,
Të më mbjellësh fort shtrëngimin në bel
Kaq dua,
Jo më shumë;
Një përqafim!
Zoti të dhashtë…, si thotë i madhi Migjeni ynë!
Më pëlqen shprehja jote kur më thua:
- Oh, më shkruaj në njëjës, të lutem!
Me përemrin “ju” s’arrij kurrë te gjoksi yt;
Vetëm kështu vitet do ta humbin kuptimin
e numrave midis nesh,
Unë debatoj me ty për orët që ikin si zanat në errësirë
Pa u çmallur me ty,
Stinët nuk do të kenë moshë,
Ngjyrat do të jenë plot jetë
E ne, do të bëhemi tok
Në një përqafim
Ti je unë dhe unë jam ti…