Home KRYESORE Sektori i fasonerisë drejt falimentimit, viti 2024 shënoi rënien më drastike

Sektori i fasonerisë drejt falimentimit, viti 2024 shënoi rënien më drastike

Nga Dr. Proc Malvina Hysa, Pedagoge e Shkencave Ekonomike

Referuar publikimeve të Instat, zhvlerësimi i euros, rritja e kostove dhe kushtet e papërshtatshme ndërkombëtare reflektuan një rënie të konsiderueshme me 15.4%, në vitin 2024.
Përgjatë këtij viti, eksportet kanë shënuar rënien më të madhe, që prej vitit 2005, nga ku rezultojnë të dhënat e kahershme të Instat.
Mbi të gjitha, tre grupet kryesore, që i përkasin fasonerisë, konkretisht “Tekstile dhe këpucë”, “Minerale, lëndë djegëse, energji” dhe “Materiale ndërtimi” kanë shënuar rënie dyshifrore.
Sipas Instat, gjatë vitit 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 373 mld lekë, duke reflektuar rënie me 15.4% krahasuar me një vit më parë.
Në muajin Dhjetor 2024, tkurrja u thellua akoma dhe më konsiderueshëm, duke i çuar eksportet e mallrave, në vlerën 26 mld lekë, duke u ulur me 31.7%, krahasuar me një vit më parë.
Instat parashtron se në Nëntor 2024, eksportet u ulën me 8.5%, ku gjithsesi u reflektua si përmirësim duke qenë se në muajin Tetor rënia rezultoi 15.2%..

Rënia e eksporteve
Sipas Instat, përgjatë vitit 2024, eksportet e mallrave arritën vlerën 373 mld lekë, duke u ulur me 15.4% krahasuar me një vit më parë, ndërkohë importet e mallrave u reflektuan në vlerën 894 mld lekë, duke u rritur me 2.5% krahasuar me një vit më parë.
Si pasojë, defiçiti tregtar arriti në vlerën 522 mld lekë, duke u rritur me 20.7% krahasuar me vitin 2023.

Situata kritike e fasonerisë
Duke analizuar vlerat e lartpërmendura dhe duke iu referuar ndryshimeve të konsiderueshme, vështirësitë në këtë sektor janë krijuar nga rënia e vazhdueshme e monedhës euro, e cila reflektohet në të ardhura më të ulëta pas konvertimit në monedhën vendase.
Nga muaji Nëntor 2023 deri në Nëntor 2024, në këtë sektor llogariten 10 mijë vende pune të shkurtuara dhe rreth 50 biznese që kanë falimentuar.

Në muajin Janar 2025, vendet me të cilat Shqipëria ka pasur rritjen më të madhe të eksporteve, në krahasim me muajin Janar 2024 janë: Kosova me 91.6%, Greqia me 2%, Spanja me 86%.
Ndërsa vendet, të cilat kanë reflektuar eksportet më të ulëta janë: Italia me 17.7%, Gjermania me 1.6% dhe Turqia me 43.1%.
Në Janar 2025, eksportet drejt vendeve të BE-së pasqyrohen me 68.2% dhe importet nga vendet e BE-së me 51.1%.
Deri në Mars të vitit 2025 parashikohet që trendi të vijojë të mbetet në të njëjtat linja.
Rritja e konsiderueshme e kostove i penalizon drejtuesit e fabrikave, për të pasur likuiditet të lartë për investime të mëtejshme.
Sektori i fasonerisë, në Shqipëri ka nevojë për ndryshime imediate, për tu transformuar në një industri të qëndrueshme dhe me vlerë të shtuar.

Sugjerimet drejtuar këtij sektori
• Diversifikimi i tregjeve dhe produkteve
Shqipëria duhet të zgjerojë tregjet e eksportit dhe të krijojë produkte për tregun vendas, për të minimizuar risqet e mundshme nga krizat globale.
• Qëndrueshmëria sociale
Përmirësimi i kushteve të punës dhe rritja e pagave është hap themeltar, për të reduktuar largimin e stafit .
• Inovacioni dhe dixhitalizimi
Nevojshmëri për të implementuar teknologji të avancuara ,për të rritur produktivitetin dhe efektivitetin.
• Marka Kombëtare
Krijimi i markave kombëtare dhe rritja e cilësisë së produkteve do ti krijojnë këtij sektori stabilitet në treg.

Gjithashtu, Shqipëria mund të shfrytëzojë pozicionin e saj gjeografik dhe marrëdhëniet me BE-në, për të zgjeruar bashkëpunimet dhe për të operuar në treg me baza të qëndrueshme dhe të sigurta.