Home KRYESORE ANGELA KOSTA ZËRI GODITËS DHE I FUQISHËM NË PANORAMËN BASHKËKOHORE LETRARE

ANGELA KOSTA ZËRI GODITËS DHE I FUQISHËM NË PANORAMËN BASHKËKOHORE LETRARE

Nga Dr Pier Carlo Lava (Editor dhe menaxher në Alessandria Today)

“Angela Kosta konfirmon zërin e saj poetik si më i godituri dhe më vibruesi shpirtërisht në panoramën bashkëkohore, me vargje të cilat “hetojnë” shpirtin, tejkalojnë terrin dhe sjellin një fragment të së vërtetës”.

VËSHTRIM:

  1. Në poezinë “TRANSHENDENCË”, Angela Kosta, autore me vlerë e medias Alessandria Today, na çon në një udhëtim të spikatur dhe shqetësues drejt kufijve të ndërgjegjes, ku materia shpërbëhet dhe qenia përballet me zbrazëtinë, mungesën dhe të vërtetën përfundimtare të ekzistencës. Poezia hapet me një vëzhgim të dhimbshëm, por të kthjellët: “Njerëzit kurrë nuk ndalojnë së kërkuari të pamundurën…” dhe pikërisht nga këtu poezia merr vrull, duke u përballur me furinë e jetës bashkëkohore si një impuls i verbër dhe i pandalshëm drejt asaj çka nuk mund të arrihet. Ka një tension të vazhdueshëm, një luftë midis kujtesës dhe të tashmes, midis dëshirës dhe zhgënjimit, të cilat Angela Kosta i paraqet me imazhe të fuqishme dhe pothuajse kozmike. 

Vargjet kthehen në një meditim, i fokusuar mbi brishtësinë, mbi rrezikun e përhumbjes së plotë në kohën dhe mjegullën e harresës. Shpirti i protagonistes, pothuajse një dyshe poetike e vetë autores, përshkruhet si i pezulluar, i zhdukur, patrup, i paaftë për të vepruar, për të ndjerë apo për të reaguar. Metaforat janë potente dhe të dhimbshme: “nuk ke më duar për të prekur as një rreze dielli”, “nuk ke më frymë, as fjalë”. 
Atëherë, poezia bëhet një rrëfim ekzistencial i shpërbërjes, një histori simbolike e humbjes së kontaktit me botën, me trupin, me mundësinë e shpagimit. Megjithatë, kjo humnerë nuk është dëshpërim në hir të vetvetes, pasi është pranim, është vetëdije: protagonistja e kupton dhe e pranon që nuk ka më rrahje zemre, sepse “shpirti i saj nuk i përket më kësaj bote”. Pikërisht ky është kulmi i momentit të trashedencës së vërtetë: kalimi nga një gjendje në tjetrën, nga mishi në shpirt, nga zhurma në heshtje, nga vullneti në shkëputje.

Angela Kosta arrin ta transformojë me mjeshtëri dhimbjen e fundit të ekzistencës me një vrull të pandalur drejt lartësisë, drejt asaj strehe që nuk ka konture, por që ndoshta ka shumë kuptim.
Poezia e saj, intensive, e rafinuar, pothuajse mistike, lëviz midis filozofisë dhe vizionit, dhe i lë lexuesit një ndjenjë pezullimi dhe respekti për atë që nuk mund të shpjegohet: misterin e të qenit dhe të mos qenit më.

TRASHEDENCË

Njerëzit nuk reshtin kurrë së kërkuari të pamundurën…
nuk ndalen…
me frenezi sfidojnë vetë ekzistencën…
në kundërshtim me rrymat e epokës,
janë në kërkim të atyre copëzave lumturie, vezulluese në galaksinë e kujtimeve të përjetshme. Dhe mjafton vetëm një moment,
një sekond që gjithçka të ndalet
e çdo gjë kthehet në pluhur…
Hemisferat e kohës
zhduken në humbëtirë
pa lënë qoftë edhe një gjurmë të vetme,
ndërsa ti mbetesh pezull në ajër
pa mundur të vësh këmbët në tokë…
përhumbesh në hapësirën e panjohur,
zhytesh në mjegullën e harresës.
Nuk ke më sy
për të identifikuar horizontin
ku ka gjetur strehë karma jote,
nuk ke më veshë të dëgjosh tingujt
dikur të ëmbël të zërit tënd, tashmë pa nota,
nuk ke më duar që me majat e gishtave të prekësh qoftë edhe një rreze dielli,
e vetëdijshme se çka do të të shpjerë në sipërfaqe.
E nuk ke më krahë të fluturosh drejt shpëtimit,
nuk ke më këmbë
të hedhësh e sigurt hapat drejt atij caku
që fundos në greminë të dlirën jetë.
Nuk ke më as frymë,
të mbushësh me oksigjen mushkëritë e botës,
nuk ke më as fjalë
të ndryshosh sadopak atë që nuk ka kthim
dhe në fund e kupton dhe e pranon
që nuk ke më forca,
nuk ke më rrahje zemre të jetosh
sepse shpirti yt nuk i përket më kësaj bote…