Home KRYESORE Asketizmi: Disiplinë, vuajtje dhe sakrificë ekstreme, rruga drejt lirisë së brendshme!

Asketizmi: Disiplinë, vuajtje dhe sakrificë ekstreme, rruga drejt lirisë së brendshme!

Nga Albert Vataj

Në historinë e qytetërimeve njerëzore, asketët kanë zënë një vend të veçantë si dëshmitarë të përpjekjes për të kapërcyer kufijtë e natyrës së përkohshme dhe për të arritur në një gjendje të pastërtisë dhe lirisë së brendshme. Në një botë që shpesh i nxit njerëzit drejt kënaqësisë, përfitimit dhe komoditetit, asketët qëndrojnë si figura të kundërta, duke dëshmuar se e vërteta më e lartë kërkon sakrifica të mëdha dhe një disiplinë të pamëshirshme ndaj vetes. Përmes përpjekjes së tyre për të thyer dëshirat e trupit, ata synojnë t’i hapin udhë shpirtit drejt së amshueshmes dhe së hyjnores.

Një shembull prekës i kësaj përpjekjeje është figura e një asketi të fundviteve 1800, i cili kishte ngjitur një skarë metalike rreth qafës, në mënyrë që të mos mund të shtrihej kurrë. Ky akt i vetëimponuar nuk ishte frut i ndonjë urdhri të jashtëm, as i ndonjë ndëshkimi kolektiv; ishte një zgjedhje individuale, një shenjë e përkushtimit të tij për ta ndëshkuar trupin dhe për ta mbajtur veten në një gjendje të përhershme zgjimi shpirtëror.

Refuzimi i rehatisë më bazike, shtrirjes, pushimit të natyrshëm të trupit, ishte për të një mënyrë për ta jetuar vazhdimisht përvojën e sakrificës dhe për të mos harruar kurrë synimin e lartë të jetës së tij.
Asketicizmi, në thelb, është praktika e vetëdisiplinës së rreptë dhe heqjes dorë nga kënaqësitë e kësaj bote, zakonisht i ndjekur për arsye fetare ose shpirtërore. Në tradita të ndryshme, Krishterim, Budizëm, Hinduizëm, Islam, asketët kanë kërkuar pastrimin e shpirtit, afrimin me hyjnoren ose arritjen e ndriçimit, duke refuzuar dëshirat trupore dhe duke përballuar me vetëdije vështirësitë. Formave të asketizmit, që variojnë nga agjërimi i gjatë, beqaria, varfëria vullnetare deri tek aktet ekstreme të qëndrueshmërisë fizike, u bashkohet një parim themelor: vuajtja është çelësi që hap dyert e lirisë së brendshme.
Në Krishterim, sidomos në epokën e Etërve të shkretëtirës, shumë murgj hoqën dorë nga jeta në komunitet për të jetuar në vetmi dhe varfëri të skajshme, duke luftuar tundimet dhe dëshirat në mënyrë që të bashkoheshin më thellë me Zotin. Shën Simeoni Stiliti, që kaloi mbi 30 vjet mbi një shtyllë të lartë, është ndër figurat më të njohura të këtij asketizmi ekstrem. Në Hinduizëm, sadhutë jetojnë në shtegtime të përhershme, të zhveshur nga çdo zotërim material, në kërkim të moksha-s, çlirimit shpirtëror nga cikli i rilindjes.
Praktikat e tilla ekstreme mund të duken për vëzhguesin modern si shenja të fanatizmit ose të vetëdëmtimit, por për asketët ato janë rrugë të vetëdijshme për të përballuar kufijtë e natyrës njerëzore dhe për të arritur një gjendje të epërme të lirisë së brendshme. Asketi me skarën metalike, i dënuar të qëndronte gjithnjë në këmbë ose ulur, përfaqëson simbolikisht idenë se shpërblimi i vërtetë nuk gjendet në kënaqësinë e çastit, por në triumfin mbi veten dhe në përqafimin e një të vërtete që shtrihet përtej ndjesive trupore.
Në thelb, për asketët, çdo akt i mohimit është një akt çlirimi: heqja dorë nga komoditeti nuk është një humbje, por një fitore; dhimbja nuk është dënim, por një iniciacion. Në këtë udhë të vështirë, përmes një dishipline që shkon përtej asaj që natyra njerëzore pranon lehtësisht, ata besojnë se mund të arrijnë tek një e vërtetë që është e çliruar nga skllavëria e shqisave dhe nga iluzionet e botës materiale.
Në gjykimin racional dhe modern, një sakrificë çmendurie.
Albert Vataj