Home KRYESORE JETO PËR QEFIN TËND… Nga Kumrie Avdyl Shala

JETO PËR QEFIN TËND… Nga Kumrie Avdyl Shala

(Një mirupafshim që nuk zbehet me kohën)

Po largohem…
Në heshtje.
Jo nga inati,
as nga zemërimi.
Por se nuk dua të të lëndoj më shumë
se sa po më lëndon vetë mungesa jote.

Si një gur i thyer në zjarrin e një vullkani,
po iki.
Po iki sepse të dua,
e të duash ndonjëherë do të thotë
të dish kur të largohesh.

Ti nuk e kupton
sa i rëndë ishte ky vendim,
sepse nuk më le asnjë rrugë tjetër.
Më detyrove të zgjedh…
Heshtjen,
ndërsa zemra më bërtet.

Me zemër të copëtuar them një “mirupafshim”
që s’është veçse një klithmë e brendshme,
si të mos ishim dashur kurrë.
Gjasme.

E di…
Ishte zgjedhja jote.
Por ne nuk e dinim si harrohet.
Nuk e kishim në gjuhën tonë.
Ti ishe dritë në sytë e mi —
ajo dritë që s’e fik as nata më e gjatë.

Kur të kaloj pranë qytetit tënd,
do të më rëndojë ajri.
Kafen, atje te shatërvani,
do ta pi ngadalë,
duke kërkuar aromën tënde në gotë.

Sepse një gjë e di:
Do të më mungosh…
gjithë jetën.

Ti nuk më dhe asnjë zgjidhje,
veçse të largohem në heshtje,
pa zë,
si ata që ikin pa kthim,
por me gjithë dashurinë në krah.

Të uroj të arrish majat —
edhe ato që duken të ngrira si një ajsberg.
Ti gabove në emëruesin tonë të përbashkët,
ashtu siç gabojnë ata që besojnë
se e panjohura s’mund të na shpjerë drejt mrekullisë.

Tani… jeto për qejfin tënd,
por jo me dashurinë time.
Ajo nuk e njeh më këtë rrugë.