Dita nis me zhurmë e mbaron me lodhje. Ecje të vrullshme, dikush për në punë, dikush në shkollë, njerëz që ecin, përplasen, makinat, boritë, sikur kërkojnë të shprehin nervozizmin e një shoqërie pa durim. Në trotuare njerëz të menduar, sy që shikojnë, po përcjellin shikime bosh.
Jam ulur në një kafene dhe përballë çdo karrigeje qëndron nga një telefon.
Eh kafja dikur pikë takimi, referimi, për t’u takuar me miq, sot vend performimi.
Dikur i njihja njerëzit edhe nga zëri, sot nga foto e profilit.
Dikur thoshim e kam shoqe të ngushtë, tani themi e kam friends e followers.
Dikur i shikoja në sy, tani në story.
Dikur thoja jemi në një shkallë, sot e pashë në ashensor.
Dikur ndalonim, pyesnim: Si jeni?
E prisnim te degjonim me zemer të ishin mire.
Tani pyesim: A je mirë? E kemi ikur pa dëgjuar Jo- në e dikujt, se kemi humbur shpirtin e vetëdijen njerëzore.
Nëse dikush do të flasë, të hap zemrën, thjesht përdoret shprehja “Do kalojë”.
Ndjenjat nuk shfaqen më në fytyra e takime, por me emoji. Dhembjet nuk ndahen, përtypen e gëlltiten në privatësi.
Shikoj përballë meje djali është me kufje, vajza gjen këndin e dritës për foto, e tjetra përbi meje gajaset me videon në celular.
Qytet që zgjohet e nuk di të përshëndes! Tinguj telefonash, ecje, zhurmë, por jo gjithmonë jetë.
Më duket se ditët ecin nën këmbët e mia, dhe më shumë se koha, po humbet shpirti i njeriut!
S’ka më të trishtë se vetmia, kur përreth ka njerëz!
Ka lëvizje, ka vrull, por jo dashuri.
Sytë nuk shprehin, por kalojnë shikimin si rrëshket gishti në celular.
Eh, ky është ashensori i jetës, të kthehesh në shtëpi në mbrëmje e lodhur dhe bota virtuale, si një pasqyrë bën që të shohim atë që duan të tjerët të shohin, jo ato që jemi.
Sa do doja të gjithë të uleshin qetë, të flisnin pa zhurmë, të rrinin thjesht në karrigen e tyre, pa gjykuar.
Mua më mungon qetësia e qytetit, më mungon njeriu! Eh, dramë qytetëse!
Ku t’i gjesh ata njerëz qe s’duan famë, por një përqafim.
Nuk duan bujë, por prani.
Dhe më vjen të bërtas, pa trembur njeri, po për t’a kujtuar veten që unë jam gjallë, unë dua të jem njeri, të jem Eva!