Marrëdhënia prind-fëmijë është ajo që ushqen zhvillimin fizik, emocional dhe shoqëror të fëmijës. Eshtë një lidhje unike që çdo fëmijë dhe prind do të mund ta shijojë dhe ushqejë. Kjo marrëdhënie hedh themelet për personalitetin e fëmijës, zgjedhjet e jetës dhe sjelljen e përgjithshme. Gjithashtu mund të ndikojë në forcën e shëndetit të tyre shoqëror, fizik, mendor dhe emocional.Çdo prind e do fëmijën e vet, e mbështet në rrugëtimin e tij, mirëpo jo gjithkush është i aftë të vendosi fëmijën në rend të parë, duke i sakrifikuar interesat e veta. Por, ju e keni bërë këtë për mua dhe çdo vendim i juaji më ka përmirësuar, më ka bërë të fortë për ta përballuar jetën sido që të vijë ajo.
Për ju prindërit e mi..!
Po ndihem pak fajtore që me vonesë po shkruaj për ju, por sot mora guximin ta bëj. Sot që jam rritur, lotët po rrjedhin faqeve teksa lexoj të gjithë rreshtat që kam shkruar, dhe ato që po mundohem t’i shkruaj.
Sa shumë kam për t’ju thënë atyre që më dhanë jetën, atyre që sakrifikuan çdo gjë për vajzën e tyre.
Prindërit e mi, ju faleminderit shumë, për të gjitha ato që më mësuat, për të gjitha ato që mi dhuruat, për kurajon, forcën dhe guximin për të ecur përpara edhe kur fati të rrëzon, por të ngrihem e më e fortë dhe me një besim më të madh për t’ja dalë në jetë.
Faleminderit për tërë çfarë jeni. Jeni ju ata të cilët më keni këshilluar drejt asaj rruge, që ju së bashku me mua e konsideruam të drejtë.
Keni qenë ju ata të cilët keni dhënë, si dhe vazhdoni të jepni kontributin më të madh, drejt më të mirës së mundshme. Pa praninë tuaj unë sot do të isha e padukshme, sepse keni qenë ju ata që me keni çuar drejt destinacionit për të qenë një njeri i mirë, një vajzë e shkolluar, por mbi të gjitha të jem kjo që jam sot.
“Bashkëudhëtarët e rrugës sime!”
Unë kam ardhur në këtë jetë me të qarën e një fëmije që kërkoi strehë në krahët tuaj. Ju ma dhatë atë, më dhatë më tepër se aq, më dhatë familjen model.
Jeta është udhëtimi im më i gjatë, një lojë sfiduese e viteve dhe kohës, por jeni ju që më keni falur këtë jetë. Keni arritur të më mbështesni në çdo hap të jetës sime, më rritët me dashuri, përkujdesje por mbi të gjitha më rritët një njeri të mirë.
Çfarë do të isha unë pa ju?
Sot, po mund të përgjigjem!
Sot, u ula të shkruaj për ju për ty mami dhe për babin që nuk jeton, për më shikon nga lart me krenari vajzën që rriti dhe e edukoi me çdo gjë për jetën.
Pa ju, do të isha një objekt, pa vlerë në një cep të rrugës, pa një familje mbi kokë, pa dikë që kujdesej për mua. Çdo hap që kam hedhur, dhe do vazhdoj të hedh në jetë, ju detyrohem juve.
Ndaj ndjej t’ju bëj ju krenarë për mua!
Këta jeni ju, pra prindërit e mi. Qenie të gabueshme, por me plot dashuri në zemrat tuaja.
E di se dashuria mes nesh është shumë e madhe, është nga ato dashuri të cilat nuk pakësohet nga peripecitë e jetës, por përkundrazi bëhet edhe më e fortë. Sot teksa vëzhgoj flokët tuaj, paksa të thinjur, kuptoj se ato thinja nuk janë krijuar veçse nga koha dhe vitet, por kam kontribuar edhe unë, kokëfortësia ime, dëshirat e mia të panumërta, gjithashtu edhe nga motra dhe tre vëllezërit e tjerë që ju u munduat për të na mbeshtetur në çdo gjë. E di se unë jam drita e syve tuaj, por sot ju duhet ta kuptoni se jeni gjëja më e çmuar që jeta më ka falur.
Ju dua shumë mami dhe babi im që më mungon shumë prezenca jote. Më mungon përqafimi jot dhe mbështetja e kokës sime në zemrën tënde, përkëdhelja jote e dashur prindërore, kam nevoje të qaj dhe të qesh me ty…
Faleminderit o të shtrenjtit e mi!
Ju jeni bashkëudhëtarët e rrugës time, dhe unë eci në hapat tuaj.
Bija juaj e shtrenjtë Eli!