Nga Leonard Malaj
Ishte një ditë si ato që s’vinë shpesh. Një ditë kur koha nuk matet me orë, por me buzëqeshje, me këngë dhe me peshën e kujtimeve të ndara në një sofër të vetme. Në Brataj, në zemër të Labërisë, u ngrit një sofër që s’ishte vetëm tryezë, por një ngjarje, një kthim në vlerat që nuk plaken.
Në krye të organizimit qëndronte Ardit Zotaj, djali i Gorrishtit, miku i Bratit. Ai nuk erdhi vetëm si regjisor i emisionit, por si rrënjë e lidhur me tokën, me pasionin për historinë dhe njerëzit e saj. Kamera e tij s’kërkonte thjesht imazhe, por shpirtra që flasin.
Në krah të tij, Anila, vajza e Bratit, një gazetare që gërmon në gurët e historisë si të kërkonte flori. E qetë, por e palodhur, ajo mblidhte fjalët e të moshuarve si margaritarë që s’mund të lihen pas dore. I shihje sytë e saj kur dëgjonte një rrëfim – si të thërriste e gjithë Labëria brenda saj.
Nuk munguan as djemtë e Bratit, që kishin në shpirt mallin e tokës dhe krenarinë për origjinën:
Mezan Malaj, Qerem Godaj dhe Mynyr Sulaj – tre shtyllat që mbajtën organizimin mbi supet e tyre. Me kujdes, zell dhe dashuri për vendin, ata lanë porositë e u siguruan që çdo i ardhur të ndjehej si në shtëpinë e vet, çdo këngë të dëgjohej qartë, dhe çdo gotë të ngrihej me respekt.
Në “Konakun” mikpritës, Fiqëri Likskëndaj hapi dyert siç hapen në Labëri – pa pyetje, pa rezervë. Rrezatonte qetësi e burrëri. Nën strehën e konakut të tij, fjala gjeti hije, dhe miqtë – sofrën.
Esat Malaj, 92-vjeçari që vinte si nga një epokë tjetër, i pranishëm me trup e mendje, tregoi se pleqëria në Labëri është thesar. Kur ai fliste, të gjithë heshtnin, se fjalët e tij ishin si ligj i moçëm. Ishte nder ta kishe në sofër, në krye, ku ulet nderi vetë.
Gjelosh Hodaj, nga Armeni ishte më i riu që e mbushi atmosferën me gaz dhe sharm, ndërsa nga Nivica Skënder Kadëna e Gorrishti me xha Avniu, si dy shtylla të urtësisë, ruajtën balancën midis fjalës dhe ndjenjës. Ata nuk flisnin shumë, por kur flisnin, dukej sikur mali vetë tundej.
Kjo sofër nuk ishte thjesht një organizim. Ishte një këngë me shumë zëra, një kuvend me shumë breza, një rit që lidh të shkuarën me të ardhmen.e Sevasteri i Arizit kaluar në kalin me shale na kujtonte kalorësit e vjetër
E në fund, kur gotat ishin bosh, por zemrat plot, u dëgjua një dolli:
“Për sofrën që bashkon! Për Labërinë që nuk tretet! Për Bratin që nuk harrohet!”