I dashur, e ndjej frymëmarrjen tënde si flladi pranveror,
që ledhaton shpirtin tim me hapa të lehtë kërcimi.
Hutohu pakëz nga ky përrua i vërtetë i jetës
Herë vjen i qetë e herë me shkulme në shi e rrebeshe
Dëgjoje këtë muzikë,
sepse është valsi i lumturisë që vjen nê këtë fillimprilli.
Që bashkon mendje e zemra,
Pse hesht?!
Eh, ti i dashur që ke drejtuar me hapat e tu femra pafund
Merrmë dorën dhe kërce me mua
Dëgjoje si rreh një zemër me besim të fortë prej gruaje
Mos harro se nuk është gur i pathyeshëm
Mos e lëndo shpirtin e saj në kohë e pakohë…
Në vesh më pëshpërit fjalët dehëse, që di ti thuash me ëmbëlsi:
E dashur supet e zbuluara t’i ndjej që larg,
Ah, poshtë gjoksit të zbret magjia me epsh e zjarr
Kupa qiellore të pushon në ballë
Uroj që mbrëmja ta ketë zjarrin e yjeve,
Ta bëj pranverën të përkulet në këtë natë të shenjtë
Kudo që këmba jote e bukur me takat troket.
E di, vetëm dollia që do ngresh do ma sjellë mërzinë,
Prej fjalëve që nuk t’i do zemra kur në tryezë ti them
I dashur dije se nuk është xhelozi femërore,
Por një shpirt i sinqertë…
Që i di kufinjtë e saj dhe nuk bie pré e mendjeve fluturuese
Që dobësi kanë të kenë vëmendje!