Home KRYESORE Fitorja që nuk ishte e imja! Nga Edmond Petraj

Fitorja që nuk ishte e imja! Nga Edmond Petraj

Nuk di pse, por kjo fitorja e Partisë Socialiste më tronditi. Jo nga befasia – sepse nuk prita ndonjë ndryshim të vërtetë – por nga ndjenja e thellë e zhgënjimit që më pushtoi.

Mitingu i fitores më ngjau si një festë mbi varfërinë e njerëzve. Një karshillëk i qartë, një shfaqje e pushtetit të trashëguar, ku oligarkia ngre dolli ndërsa populli kafshon dhembët për të mbijetuar. Ishte si një version shqiptar i Trump-it, që del në ballkon për të i treguar popullit se gjithçka është në duart e “familjes” – dhe ti je veç spektator në këtë teatër absurd.

Nuk kam më durim për të parë këtë farsë të përsëritur. As dje, as sot, nuk jam me ta. Jam në opozitë me çdo njeri që e trajton pushtetin si pronë, me çdo njeri që e tall popullin me buzëqeshje të rreme dhe spote me muzikë të lartë.

Në këtë vend, fitorja e një partie ka kohë që nuk është fitore për popullin. Është vetëm garancia se abuzimi do vazhdojë. Se privilegji do trashëgohet. Se drejtësia do shtyhet edhe pak. Se rinia do largohet dhe e vërteta do heshtet.

Unë s’kam frikë ta them.
JAM NË OPOZITË.
Me këtë sistem.
Me këtë politikë që përçmon qytetarin dhe i shet iluzione me duart plot.

Jam në opozitë, jo si militant, por si njeri që refuzon të pranojë që ky është fati ynë.

Nga Avokat Edmond Petraj

SHPERNADJE TA LEXOJNË SA MË SHUME.

SHKURT REAGONI POR JO SI MILITANT POR SI QYTETAR SHQIPTAR.