Home KRYESORE Ministri i arsimit Rexhep Mitrovica në këndvështrimin tim!

Ministri i arsimit Rexhep Mitrovica në këndvështrimin tim!

Nga Elvira Zeneli

Dua të shkruaj aq sa mundem për një nga figurat e mëdha të kombit shqiptar,për një njeri të qetë e të kulturuar, të urtë, fjalëpakë e gojëmbël, me drejtësi të kulluar, që mendjen e ndritur e zemrën e zjarrtë, fjalën e shenjtëruar e veprën e pavdekshme ia kushtoi atdheut e kombit dhe ai është Rexhep Mitrovica.

Ne duhet të jemi krenar që kemi pasur një kryeministër të rangut botëror, i cili qëllimi i tij ishte shpëtimi i kombit shqiptar, nga rreziqet që vinin në dëm të atdheut.

Rexhep Mitrovica ishte njeri largpamës, njeriu i cili ndikoi për hapjen e shkollave në gjuhën shqipe sepse e kishte kuptuar një gjë, që një popull analfabet të cilit i ishte mohuar çdo e drejtë ekzistenciale dhe qytetëruese, e kishte të pamundur të dilte nga zgjedha e robërisë.

Tê shkruash për Rexhep Mitrovicën nuk mjafton ky shkrim i shkurtër i imi, por unë po prek pak nga veprimtaria e tij si Ministër i Arsimit. Zgjidhet në këtë post në qeverinë e Xhafer Ypit më (24 dhjetor 1921 – shkurt 1924). Fillon reformat në arsim në Shqipëri, ku nga ( 27 korrik – 3 gusht 1922) organizoi Kongresin Arsimor që u mbajt në Tiranë.

Ai konstatoi se shkollat fillore ishin organizuar më tepër si kurse kundër analfabetizmit dhe nuk luanin rolin e një institucioni, i cili duhet t’u jepte fëmijëve shqiptarë dije dhe kulturë. Shkolla dhe arsimi ishin futur në një rrugë të keqe dhe më shumë sillnin dëm se sa dobi. I ndërgjegjshëm pēr detyrën që kishte marrë parashtroi  platformën e tij në mënyrë që shkolla shqiptare të dilte nga kjo gjendje dhe të vendosej mbi baza të shèndosha, sipas modeleve të shkollave të vendeve të zhvilluara të Europës, por të përshkruar me frymën e fortë kombëtare. Ai thoshte:” ta rrisim brezin e ri të popullit tonë me ato dituri, me ato cilësi morale e kulturore që shqiptarët të përmenden ndër popuj të siujdhesës ballkanike, jo vetëm si ma i vjetri, por edhe si ma i përparuemi për fisnikëri dhe bujari”.

Në raportin e tij për gjendjen e arsimit, Ministri Rexhep Mitrovica konstatoi se vetëm 7 – 8 % e mësuesve kishin kualifikimin e përshtatshëm për të kryer detyrat mësimore, kurse të tjerët nuk ishin të aftë dhe të përgatitur profesionalisht për të dhënë dije dhe kulturë në shkollë. Ai propozoi të mbylleshin disa shkolla, të cilat do të rihapeshin gradualisht mbasi të përgatiteshin mësuesit e kualifikuar. Përgatitja e mësuesve bëhet në shkolla pedagogjike, ai e drejtoi vëmendjen te Shkolla Normale e Elbasanit, si vatra e vetme e përgatitjes së mësuesve shqiptarë.

Ministri vizionar i dha kësaj shkolle një rëndësi parësore për ta kthyer atë në një ” tempull kulture e qytetnie” ku mësuesit e ardhshëm do të fitonin njohuri të plota gjuhësore e shkencore ” të kthjelloheshin ndër parime pedagogjike që të bëheshin të zot të njihnin shpirtin e fëmijëve të njomë për të ngjallë ndër ta ndjesi shqiptare aq në za të përmendura dikur “.

Ai mendonte të hapte edhe një shkollë tjetër pedagogjike për vajza, sepse ishte i bindur se detyrën e mësuesit mund ta bënin shumë mirë vajzat e zonja po të aftësoheshin në aspektin pedagogjik.

Aspekt tjetër i shkollës është pajisja me tekste sa më të mira. Ministri Rexhep Mitrovica ishte i bindur se ” gjuha shqipe është plotësisht e zoja që të përmbajë edhe kulturën e arsimimit të mesëm me të gjitha nevojat e zhvillimit dhe hollësirat që do të kenè tekstet e huej”.

Ai pajisi shkollën shqipe me tekste të hartuara me kujdes në gjuhën tonë amtare, me mësues të pêrgatitur me njohuri të plota psikologjike dhe pedagogjike dhe me dije e kulturë europiane, e vuri shkollën tonë në rrugën e mbarë dhe të bukur për t’u ngritur gradualisht në nivelin e shkollave europiane.

Krahas punës mësimore ai vuri si detyrë para mësuesve nevojën e punës praktike në shkollë.

Ai përgatiti dhe drejtoi një kongres arsimor, që u hap me 22 korrik 1922 në Tiranë.

Në kongres ai paraqiti bindjen e tij se reformimi i sistemit arsimor duhet të mbështetet në tri shtylla themelore.

1. Arsim kombëtar shqiptar, ku gjuha e bukur shqipe, historia dhe trashëgimia e popullit shqiptar, do të jenë baza e edukimit të fëmijëve. Ai tha : ” …duhet që populli (shqiptar) të dijë të ketë ndërgjegje kombëtare që të mos t’u lemë shteg mashtrimeve që mundohen të bëjn të huajt për të çuar në vend qëllimet e veta”. Ai ishte i bindur se “… ndërgjegjen kombëtare ne mund ta zgjojmë vetëm me armë shkollë”.

2. Arsim laik ku të dominojë morali qytetar. Ai u bëri thirrje mësuesve : ” Ju duhet t’u mësoni nxënësve atë moral të vërtetë…që të nxjerri burra të vërtetë, me veti të bukura, me virtyte të forta e me atë vllazni e solidaritet të paharrueshëm që kanë përmbajtun të parët tanë në këmbë, të patundur në të gjitha valët e rrepta të kohëve fatzeza”. Më tej vazhdon: ” Në mësim duhet të flitni me urtinë më të madhe dhe me fisnikëri të nevojshme duke u përpjekur që të gjeni rrugën e vërtetë të idealit kombëtar që të na siguroi atë njësi shoqërore dhe morale që kërkojmë nga ky komb”. Mësimi laik duhet të mbështetet në parime demokratike, “… Misioni ma i parë e kryesor i demokracis është me organizue e me mbikqyrë edukatën e qytetarve të ardhshëm që në vitet e para të fëminis e deri në humbjen e jetës burrnore”.

3. Arsimi të siguroi aftësimin praktik të nxënësve. Ai thoshte se puna e dorës është ” mjeshtëri që ka ndryshue dhe ka zbukurue faqen e botës së qytetnueme e që përmban mrekullitë e saj teknike, sociologjike, ekonomike e artistike.

Shumë interesant është qëndrimi i tij për shkollat minoritare, që financoheshin nga burime të dyshimta politike të propagandës shoviniste greke. Ai arriti të frenojë iniciativën për hapjen e një shkolle private greke në Himarë, që mbështetej nga klerikë ortodoks, sepse Himara ishte një zonë e mirëfilltë shqiptare. 

Ai u mundua të bindë minoritarët se po përpiqej të siguronte kulturë të barabartë për gjithë qytetarët e Shtetit shqiptar, sepse ” kultura sjell dashuri dhe harmoni midis njerëzve”.

Puna e Ministrit Rexhep Mitrovica në krye të arsimit shqiptarë qe shumë e shkurtër ( 24. 12. 1921 deri më 25. 02. 1924), por rezultoi shumë frytdhënëse sepse shkolka shqiptare hyri në rrugë të drejtë, u vu mbi bazë kombëtare, duke pasur tipare të qarta të edukimit europian të brezit të ri. Ai vuri themele të shëndosha për zhvillimin e arsimit shqiptar. Nē festimin madhështor që u bë në 100 vjetorin e pavarësisë shumë të ndritura të kombit u harruan e tillë është edhe ajo e Rexhep Mitrovicës, Luigj Gurakuqin, Aleksandër Xhuvanin, Hil Mosin,  Mirash Ivanajn, Eqrem Çabej e deri te Shaban Demirajn për kontributin e tyre të shkëlqyer në dobi të arsimit shqiptar.

Regjimi komunist i vuri Rexhep Mitrovicës damkën e kolaboracionistit sepse mori detyrën e kryeministrit në vitin 1944 në kohën e pushtimit gjerman. Si një atdhetar i flaktë e pranoi drejtimin e kësaj qeverie, me shpërbërjen e Jugosllavisë nga gjermanët, shqiptarët do të qeverisnin në trojet e tyre etnike. Por kur ndarjet politike dhe drejtuesit e grupimeve politike filluan përçarjen që shkoi deri në vrasje ndërmjet tyre, Rexhep Mitrovica në pamundësi për të ndaluar këto veprime dhe këto situata të papërballueshme u largua nga Shqipëria duke marrë me vete dashurinë për kombin shqiptar dhe ëndrrën që nuk u realizua për të parë një shtet të shqiptarëve në trkjet e tyre të plota etnike. T’i japim këtij personaliteti të madh, siç është quajtur me të drejtë babai i arsimit atë që ai meriton.