Nga Kumrie Avdyl Shala
Nuk ka mburojë më të mirë se vetja jote. Të jetosh i vërtetë është forma më e lartë e dashurisë dhe vetëdijes.
Në shumicën e rasteve, njerëzit gjykojnë të tjerët duke u nisur nga vetja – si për mirë, ashtu edhe për keq. Është në rregull nëse mendon drejt dhe realisht, por shpesh ndodh që njerëzit i trillojnë gjërat sipas dëshirës. Sot është bërë e vështirë të gjesh dikë që është i vërtetë, i sinqertë, i drejtë dhe konkret.
Nuk e kuptoj pse disa njerëz janë të prirur të flasin pa menduar, duke u nisur vetëm nga përvojat ose paragjykimet e tyre. Ndoshta kanë kaluar një ditë të keqe dhe përpiqen ta shpërndajnë atë negativitet edhe te të tjerët, duke lëshuar fjalë cinike, pa takt e pa mëshirë.
Njerëz të tillë shpesh mendojnë se gjithçka sillet rreth tyre, por në të vërtetë rreth tyre sillet vetëm pakënaqësia që mbajnë brenda shpirtit. I dallon lehtë kur: qeshin pa arsye, kanë një shikim të humbur, trillojnë histori ku vetë janë protagonistë, mundohen të të provokojnë me fjalë, etj.
Këta janë njerëz pa mëshirë, të dashuruar pas vetes dhe imazhit të tyre. Shoqëria jonë, fatkeqësisht, ka pasur shumë të tillë: “në dukje qengj, në brendësi dhelpra.”
T’i thuash dikujt sot se “nuk ka kush të vijë të të vizitojë” është një fyerje e madhe – një ligësi që vetëm një njeri pa shpirt mund ta thotë. Dashuria për njerëzit tanë nuk është e përkohshme; ajo është e përjetshme.
Disa e shprehin hapur, të tjerë e mbajnë për vete. Por askush nuk ka të drejtë të të pyesë: Kush do të vijë te ti? Me kë do të takohesh? Pse do të takohesh?
Këto pyetje vijnë nga njerëz të cilët janë larg qytetërimit, arsimimit dhe, mbi të gjitha, njerëzores. Ata jetojnë në një guaskë të mbyllur, ku diellin nuk e shohin, edhe kur zgjohet herët – sepse brenda vetes kanë vetëm errësirë.
Në kohën moderne, njerëzit e fortë jetojnë të lirë, pa pasur nevojë për maska apo mburoja. Tek ta nuk ka mashtrime, ligësi apo hipokrizi. Ata kanë: vetëdije, vetëbesim, aftësi, përkushtim, siguri, guxim.
Të jesh i guximshëm sot është nder dhe forcë. Por guximi nuk qëndron te të pasurit një partner të fortë në krah. Guxim është ta përballosh jetën vetëm, pa asnjë mbështetje të jashtme.
Shumë njerëz që nuk guxojnë të jetojnë vetëm, lidhen me dikë thjesht për të mos qenë të vetmuar – edhe pse nuk ka dashuri, ndoshta as mirëkuptim. Kjo është një ligësi e heshtur që i sjell pasoja të rënda – sidomos kur lindin fëmijë që nuk janë fryt i dashurisë, por i egoizmit apo inatit.
Fëmijët e tillë rriten në mjedise me zënka, urrejtje dhe mungesë respekti. Kjo përvojë lë gjurmë dhe shpesh përsëritet edhe te brezat e ardhshëm.
Prandaj, të jetosh vetëm kërkon guxim dhe vetëbesim. Vetëm ata që kanë siguri në vete e dinë çfarë duan, dinë të dashurojnë, dinë të jetojnë me vlerë dhe nuk dëmtojnë askënd.
Në fund të ditës, askush nuk është më pranë se vetja jote. Jetën duhet ta jetojmë për vete – jo për të tjerët.
Gjëja më e bukur në jetë është të mos shpërndash urrejtje, por dashuri. Edhe nëse jeta nuk të ka dhënë gjithçka që doje – jetoni me bukë e kripë, por me zemër të pastër.
Mos hidhni vener. Jetoni me dashuri!
Me respekt,
Prof. Kumrie Avdyl Shala