Nga Eva Hoxha
Në kafen pranë shtëpisë takohesha gjithmonë me një burrë shumë të moshuar, i cili shoqërohej në më të shumtën e herës nga një zonjë e re, e cila i falte dashuri e përkujdesje të veçantë. Duke u rastisur shpesh filluam të përshëndeteshim dhe lëvizja e lehtë e kokës e kapeles me një lëvizje sikur të ftonte në vallëzim, ish salutimi i tij. Kish një veshje midis elegantes dhe sportives, me një palë këpucë apo atlete sikur do luante golf, disa këmisha që nuk hasen zakonisht në veshjet e asaj moshe, e kapele që ndërroheshin shpesh. Nuk di pse më dukej sikur e përzgjidhte vendin me kujdes ku do e linte kapelen, mesa duket aksesor i rëndësishëm për të.
Porosiste kafen amerikane dhe treste shikimin diku larg. Më pas mësova se kish jetuar për vite jashtë kontinentit tonë.
E stinët kalonin, e vija re që i kish humbur ai vezullimi në elegancën e tij, mendohej nëse duhej té shtynte apo tërhiqte derën, e sytë i dukeshin që sikur kishin harruar shumëçka.
Tashmë nuk ish ai që më jepte buzëqeshjen i pari, po e kuptoja që drita e syve nuk ish fikur. E më pas fliste me anglishten e tij të pastër, me besnikërinë e heshtur ndaj kujtesës.
Vajza e shoqëronte dhe dukej që kish marrë nga eleganca e të atit. Teksa më foli për vështirësitë e sëmundjes së të atit më rrënqethi kur më tha:
- Të rritesh është privilegj.
Por të bëhesh prind i prindërve të tu është provë e shpirtit!
Eh,- thashë me vete, ka një moment në jetë që vjen pa zhurmë, e diçka e madhe po ndryshon.
Ti do t’a mbash në zemër ashtu siç ishte, si forma më e thellë e dashurisë. Tani që ai është i vogël brenda kohës.
Tani ai është ajo paqja e butë e ti kujdestari i tij.
E dëgjoja tek kërkonte një shok që ish ndarë nga kjo botë, e vajza i thosh: Po do e presim bashkë! Eshte diku këtu afër!
Një ditë ju drejtova të bijës:
- Tani ti je prindi! Ti je kujtesa e tij, ora e tij, hapi e kujdesi i tij.
Ajo dorë që të mbante ty, të jepte siguri, në vogëli, tani je ti që e mban.
Rrotullimi i roleve jetësore! Ai ish ajo pema e lartë, ish violina e bukur e jetës, ish vallëzimi yt i parë, ish idhulli yt, Babai yt.
E tashmë ora e rërës është përmbysur, tani bien, bien…kokërrizat
Në derë u shfaq vajza e vetme, prisja që dera të hapej më tej, për të hyrë ajo figurë e dashur, me ngjyrat e kapeles e këpucët e veçanta si gjithmonë.
Jo, nuk munda ta pyesja.
Ngrita supet dhe bëra një shenjë si për t’i thënë ku është?
Ajo u ul në vendin e tij, bëri një shenjë mohuese, që Ai s’do të ish më, dhe porositi kafen amerikane.
Ika dhe kjo pasdite më bëri të kuptoj sa dhimbje të lënë njerëz që kanë përcjellë aq shume mirësi dhe dashuria e asaj vajze me përkujdesje në heshtje.
eva H, Zheg qershori