Home KRYESORE Filozofia e së enjtes… Nga Gerta Bandilli

Filozofia e së enjtes… Nga Gerta Bandilli

Filozofia e së enjtes…

Unë bëhem e krisur
Kur shkruaj poezi për verën
Ajo lakuriq qëndron para meje
Me një shikim të paturpshëm
Dhe më tregon kaltërsinë mistike të qiellit
Që më shndërron në zog me krahë të dielltë
E fluturoj drejt lirisë.
Pastaj krisja ime bëhet më e thellë
Se përpara meje qëndrojnë
Livadhet të mbushura me puthje
Sheshe ku kërcejnë këmbë të zbathura
Vajzash të dashuruara
Dhe shkelin lehtë si fluturat
Në korijen e përtej fushës
Për të zgjuar nga gjumi djaloshin
Që mban në dorë një pyll të qëndisur
Me rubinë në ngjyrën e buzëve
Dhe shegës e pjellorisë
Për t’ia dhënë më të bukurës.
Veçse më të bukur nuk ka!
Aq e krisur bëhem në verë
Sa në shportën e vogël të hënës
Mbledh yjet më të largët
Për të gjetur në ta
Vështrimin e burrit që dua
Për të qenë me të vetëm
Sa zgjat një verë
Ose sa zgjat çmenduria ime…
E me thënë të drejtën
Unë jam përjetësisht e krisur…

Nga: ” Ditari i gruas që fliste me yjet”