Nga Rustem Paçi
Jemi në fund të një rruge që nisi me shpresa, por përfundoi në një krizë të thellë. Universitetet shqiptare, dikur qendra të dijes dhe përparimit intelektual, sot po shkojnë drejt një degradimi të pashmangshëm – një proces që nisi vite më parë dhe mori hov pas shndërrimit të shkollës në një mekanizëm për mbijetesë, jo për zhvillim.
Rënia nisi që me nivelin parauniversitar, ku shkolla u kthye në formalitet dhe jo në vend të vërtetë të dijes. Kjo më pas u përshkallëzua në universitete, ku cilësia e mësimdhënies dhe standardet shkencore u rrënuan. U krijuan departamente dhe degë pa bazë reale, larg natyrës dhe nevojave të tregut. Objektivi kryesor – dhënia e dijes dhe formimi profesional – u zëvendësua nga dëshira për rroga dhe pagesa sigurimesh.
Masterat dhe doktoraturat u shndërruan në instrumente për të gjeneruar të ardhura, jo për të prodhuar dije. Koncepti i doktoraturës, dikur një nder i madh dhe një përkushtim jetësor ndaj kërkimit shkencor, tani është kthyer në një proces “copy-paste” që i shërben vetëm titujve dhe jo përmbajtjes.
Shkolla u kthye në një “pikë kalimi”, një domosdoshmëri për të përfunduar, jo një vend ku përvetësohet dije. Kjo krijoi një brez që ndihet i ditur në paditurinë e vet, duke thelluar më tej keqkuptimet dhe konfliktin e brendshëm për të kuptuar dhe vlerësuar realitetin.
Por ka edhe një anë pozitive në këtë situatë të errët: ndërsa shoqëria po zhyten në injorancë, teknologjia – konkretisht inteligjenca artificiale si ChatGPT – mund të jetë një nga rrugët e pakta të shpëtimit. Është e zgjuar nga ana e qeverisë të investojë në njerëz të rinj si Mira Murati dhe të krijojë ura me botën e re teknologjike. Kjo është një dritë e vogël shprese në një terr të madh arsimor.
Fatkeqësisht, kërkimi shkencor në Shqipëri sot është kthyer në një mekanizëm për përfitime financiare, me pak ose aspak objektiva reale e rezultate konkrete. Dhe brezi Z po trashëgon një Shqipëri më të varfër në dije sesa ajo që trashëguam ne nga prindërit tanë – dhe kjo na duket normale, madje një arritje.