Nga Elton Metaj
Mbi 100 delegacione qeveritare, shumë krerë shtetesh e qeverish dhe shumë më tepër organizata joqeveritare, autoritete vendore, banka e struktura shumëkombëshe kanë nisur diskutimet dyditore në Romë për rindërtimin e Ukrainës. Në Qendrën e Kongreseve “La Nuvola” (Reja) po zhvillohet raundi i katërt i përpjekjeve për rindërtim prej nisjes së agresionit rus në shkurtin e 2022-shit dhe procesi parashikon 4 komponentë të tij, duke nisur nga dimensioni i biznesit te ai njerëzor. Gjithashtu, vektori lokal dhe ai i Bashkimit Europian do të plotësojnë kornizën e rindërtimit të Ukrainës, me angazhimin e dhjetëra e qindra miliardë eurove.
Përpjekjet për të qenë gati për të rindërtuar një vend të shkatërruar thellë nga pushtimi rus, për të kthyer jetën dhe normalitetin njerëzor në Kiev, Karkiv e Lviv, duhen vlerësuar maksimalisht, pavarësisht se në zbatimin praktik të premtimeve të bëra sot, historia ka treguar se shumë miliarda euro mbeten peng i burokracive europiane e ndërkombëtare dhe spostimit të vëmendjes gjetkë. Shqipëria, që për fat të mirë nuk dilte nga lufta, por nga shkatërrimi mes shoqi-shoqit në 1997-n e largët, ka parë shumë ëndrra me miliarda dollarë, të premtuara (apo të angazhuara) dhe të pambërritura kurrë. Ndonjëherë edhe për fajin tonë. Kohët kanë ndryshuar dhe tashmë Shqipëria është pjesë aktive e procesit të ringritjes së Ukrainës.
Por teksa rreth 5 mijë pjesëmarrës mblidhen në Romën e lashtë, në Qendrën gjigande “Reja” dhe nën komandën e Melonit dhe Zelenskit do të flasin për projekte, në terren ka një realitet të zymtë. Kjo javë ka shënuar sulmet më të mëdha prej nisjes së luftës të Moskës ndaj Kievit, me mbi 700 dronë dhe dhjetëra raketa, që çdo natë marrin udhëtimin vdekjeprurës e shkatërrues drejt një vendi sovran. Për më tepër, sulmet janë përqendruar në rajonet perëndimore të Ukrainës, ato në kufi me Poloninë, pra me NATO-n. Vetë shefi i NATO-s një ditë më parë në Gjermani vuri në vështirësi, jo vetëm përkthyesit, por edhe ndjekësit e zhvillimeve ndërkombëtare kur këmbënguli për një rrezik të afërt nga Rusia dhe një koordinim Pekin-Moskë për të goditur kuadrin aktual të sigurisë botërore.
Lufta sot nuk është vetëm një mundësi apo parashikim. Ajo po ndodh çdo ditë në zemër të Europës dhe vetë kontinenti i vjetër nuk po gjen apo nuk ka forca t’i japë këtij konflikti drejtimin e duhur, sprapsjen e “ariut rus”. E ndarë mes miqve dhe armiqve të Putinit, Europa nuk po e mbështet mjaftueshëm ushtarakisht Ukrainën e cfilitur nga lufta, duke kthyer sytë nga SHBA dhe vendimet që merren në Shtëpinë e Bardhë e Pentagon.
Çfarë duket qartë nga mbi 3 vite luftë, është se Putin nuk do të ulet në një tryezë paqeje pa ndryshime thelbësore në terren. Cari i rilindur do të zërë një vend në tryezë vetëm kur të ndihet shumë i fortë apo shumë i dobët në zhvillimet ushtarake në territorin ukrainas. Deri atëherë, ai duket se do ta lodhë Europën dhe liderët e saj të përgjumur me kërcënimin konstant vetëm pak centimetër larg vijës së kufirit të NATO-s dhe BE-së.
Duke vazhduar të shkatërrojë Ukrainën, Putin po krijon një gropë të thellë njerëzore dhe materiale, që padyshim duhet “rimbushur”. Por kur do të nisë ky proces rindërtimi dhe çfarë Ukraine do të mbetet nga agresioni, askush ndër liderët e Konferencës në “La Nuvola” nuk di ta thotë. Përpara se të flasim për ribërjen e Ukrainës, duhet të bërtasim për fitimin e luftës. Në të kundërt nuk do të kemi çfarë të rindërtojmë dhe konferencat e angazhimet do të ngjajnë me projekte të shkruara me kokën mbi re.
Elton Metaj, 10.07.2025