Home Gjeo-Ekonomia Mali i Shenjtë, shenjë e identitetit Shqiptar!

Mali i Shenjtë, shenjë e identitetit Shqiptar!

Nga A në ZH… Nga Adnand Lleshaj


Njeriu përherë është përpjekur që t’ju japë një shpjegim dukurive që e rrethojnë. Ai ka krijuar zotat, besimet, kultet, ritet, bestytnitë, mitet, tempujt, vendet e shenjta e ato të mallkuarat.
Toponimi – emërvende – si “Zabeli i Zanave”, “Mrizi i Vathit të Përlalës”, “Mrizet e Letit”, “Lisi i Kroit të Zi”, të gjendura në Orosh të Mirditës, janë konsideruar si vende me një energji të mbinatyrshme ku nuk duhet të këpusësh drurë, degë a gjethe, nuk duhet të prekësh, apo edhe të shkelësh se përndryshe një fatkeqësi do të ndodhte nga qënie a energji mbinjerëzore që nuk i përkasin as kristianizmit e as islamizmit, por kanë një taban pagan.

Besime të tilla gjenden dhe për Kishën e Shna Ndoit në Laç, Malin e Tomorrit në Skrapar, e për Mëllëzën e Mirë në Vlorë, ku deri në ditët e sotme vazhdohet tradita e të bërit kurban në këto “vende të mira” ku del në pah adhurimi për Natyrën apo Tokën e Shenjtë; e cila mund të të bekojë, të të ndihmojë e të “ta prijë mbarë”, por nëse e trazon, mundet edhe të të shitojë a ndjellë ndonjë fatkeqësi.
Interesant është Mali i Shenjtë – Nanshenti – i Oroshit në Qarkun e Lezhës, në lartësinë afro 1400 metra mbi nivelin e detit dhe më pak se një orë larg nga bregdeti.

Tekstet popullore e kanë përshkriar si “aty ku je komshi me Zotin”.

“Legjenda e mitizuar thoshte se atje janë gjetur eshtrat e Shën Aleksandrit të arkës së shenjtit të kishës me të njëjtin emër… Për disa të tjerë aty janë gjetur eshtrat e Shën Gjonit, toponim shumë i shpeshtë, në luginën e Shpatit Malor të Lëgjinit… toponime me emrin e “Shëngjone” si “Sheshi i Gjon”, “Zhonëz”, “Kroni i Gjoit” (pra i Shën Gjonit).” – Mark Tirta, MITOLOGJIA NDËR SHQIPTARË, ASHSH, f.60.

Data e lindjes së “Shën Gjon Pagëzorit” – që përkon dhe me festën tradicionale të Nënshejtit – tërhoqi këtë vit, nën organizimin e Z. Arben Doda, pëbashkimin pa dallime ngjyrimesh politike a religjionare, një event mbarëkrahinor që tejkalonte kufinjtë e Bashkisë Mirditë, përfaqësuar institucionalisht në këtë event nga Kryetari, Z. Albert Mëlyshi, apo dhe të vetë Qarkut Lezhë, përfaqësuar nga Prefekti, Z. Taulant Malshi. Me mbështetjen e Klerit Dom Gjergj Meta dhe nën kujdesin e ekipit ekzekutiv të organizimit Artur Lazri, Julian Vlashi e Arlind Lleshaj, kjo veprimtari artistike, etnokulturore e kulinaristike, tërhoqi intelektualë e sipërmarrës të fushave të ndryshme, e të përmasave përtej-kombëtare.

Manifestimi u bashkë-sponsorizua nga vëllezërit Florian dhe Endri Ndreca, e Mark Nikolli, sipërmarrës që kanë shkëlqyer jashtë Shqipërisë, por që nuk harrojnë të investojnë në atdhe.
Disi e dhimbshme të përmendet që rruga që të dërgon tek Kisha e Oroshit, apo më lart në Malin e Shenjtë, shkëputet nga Rruga e Kombit, të cilën qeveria e ka shtruar përpara 2 vitesh, vetëm deri në fshatin Mashtërkor, tek Lisat e Mar Pepës, kur vetëm për afro 10 kilometra asfalt mund të ishte bërë i aksesueshëm për turizmin malor e historik që ka kjo zonë.

Për nga vlerat historike, Kisha e Shllezhdrit – Shën Aleksandrit – në Malin e Shenjtë diskutohet të ketë qënë epiqendra që mblodhi Kuvendin e Arbërit. Sado të jetë e diskutueshme, kjo teori mbështetet nga disa fakte rrethanore që nuk mund të shihen jashtë një linjëshmërie rrjedhëse të ndërlidhur si: jo larg që aty u gjet heraldika “Stema e Arbërit” në Ndërfandë që i përket Principatës së Arbërit; në Kishën e Oroshit ka shërbyer Abat Prend Doçi, që përmes shoqërisë “Bashkimi” konsiderohet si Babai i Alfabetit të Gjuhës Shqipe; e deri tek disa dokumente të shekujve XVI-ë që e mbështesin teorinë e prejardhjes së Gjergj Kastriotit nga Mirdita.

Ngjitur me Malin e Shenjtë gjendet dhe Guri i Skënderbeut, por ky emërvend gjendet në pothuaj të gjitha trevat shqiptare.

Për nga bukuria natyrore, vlerat historike, e mistike, Mali i Shenjtë mbetet kurora arbnore e vendosur në zemër të Shqiptarisë, një destinacion tepër magjepsës për vendasit, e deri tek turistët e huaj; por fatkeqësisht rruga e amortizuar e vështirëson kthimin e kësaj pike në magnetin që do të rigjallëronte dhe zonën që përherë e më tepër po pëson tkurrjen e popullsisë.

Duke shpresuar se në festat e ardhshme rruga do të jetë e asfaltuar, dhe pse jo, në një të ardhme të ketë edhe ndonjë bujtinë, sa Nënshejti të kthehej në një fshat turistik, ju ftoj të shikoni disa nga fotot e aktivitetit dhe bukurive nga Bjeshka e Shenjtë e Oroshit.

Adnand Lleshaj