Home KRYESORE Nga dënimi i çdo vendimi administrativ… tek një drejtësi europianeÇfarë kërkon realisht...

Nga dënimi i çdo vendimi administrativ… tek një drejtësi europianeÇfarë kërkon realisht BE-ja nga Shqipëria për “shpërdorimin e detyrës”

Nga Edmond Petraj – Avokat

Në çdo raport vjetor të Komisionit Evropian për Shqipërinë, vepra penale e shpërdorimit të detyrës është një pikë ndalese: jo për ta eliminuar, por për të kuptuar si përdoret. Ndërkohë që shteti shqiptar i trembet çdo gabimi të një administratori të zakonshëm dhe ngre akuza penale për çdo vendim joefektiv, Brukseli bën një kërkesë të qartë: Zbatoni ligjin, por mos e keqpërdorni atë.

Në Shqipëri, neni 248 i Kodit Penal “Shpërdorimi i detyrës” është kthyer në një mjet të gjithanshëm ndëshkimi, një nen “shelg” që përkulet sa herë do prokuroria, por rrallë herë qëndron drejt në themelin e drejtësisë. Në fakt, BE-ja e njeh këtë nen, por nuk e përdor si në Shqipëri.

Çfarë kërkon BE-ja në të vërtetë?

Kërkesa e Bashkimit Evropian është më shumë një thirrje për maturi ligjore sesa për shtrëngim penal. BE nuk thotë që “mos e dëno shpërdorimin”, por kërkon që Shqipëria:

Ta zbatojë vetëm kur ka një shkelje të rëndë ligjore, me qëllim përfitimi personal;

Të mos ndëshkojë penalisht gabimet administrative, që mund të jenë thjesht rezultat i paaftësisë, mungesës së përvojës apo keqinterpretimit;

Të zhvillojë një administratë publike që nuk funksionon me frikë, por me përgjegjësi të qartë dhe kontroll të brendshëm;

Të garantojë që ndjekja penale të mos jetë e instrumentalizuar politikisht apo selektive.

Shqipëria: gjithçka penale, edhe kur është thjesht burokraci

Në vendin tonë, shpërdorimi i detyrës është shpesh një grackë ligjore: nëse s’e firmos, akuzohesh për neglizhencë; nëse firmos, akuzohesh për tejkalim kompetencash. Funksionarët publikë ndihen më afër bankës së të pandehurit sesa zyrës ku duhet të shërbejnë.

Dhe këtu vjen thelbi i kërkesës së BE-së: nëse doni një administratë që punon me integritet, nuk mund ta mbani peng me një nen penal të paqartë dhe të gjithanshëm.

Europa ka standarde të qarta

Në shtetet anëtare të BE-së, vepra si “shpërdorimi i detyrës” është e kodifikuar ndryshe për shembull si:

Korrupsion aktiv ose pasiv,

Keqpërdorim i fondeve publike,

Kontrata fiktive apo falsifikime,

Ndikim i paligjshëm në vendimmarrje.

Pra, BE-ja nuk njeh një nen ku gjithçka mund të ndëshkohet me togfjalëshin “ka shkaktuar dëm ndaj interesit publik”. Aty ka saktësi, qëllim kriminal, pasojë të qartë dhe dëshmi të provueshme.

Jo çdo dështim është krim

Ky është mësimi që duhet të marrim nga kërkesa e Bashkimit Evropian. Nëse duam një shtet funksional, nuk mund ta ndëshkojmë çdo zyrtar që nuk ka bërë punën perfekt. Gabimi është pjesë e natyrshme e punës publike. Por abuzimi me pushtetin për përfitim personal – ky është krimi i vërtetë që BE kërkon të luftojmë.

Dhe në fund drejtësia europiane nuk është më e butë, është më e drejtë

Ndaj, Shqipëria nuk duhet të heqë dorë nga ndëshkimi i abuzuesve përkundrazi. Por duhet të ndalë abuzimin me ndëshkimin. Sepse një vend që i trajton të gjithë si të dyshuar, nuk mund të ndërtojë një shoqëri të lirë, transparente dhe evropiane.