Nga Ana Llazo
Në një kohë kur numri i të diplomuarve është i lartë, tregu i punës përballet me një sfidë ku shumë të rinj diplomohen por mungon përgatitja e nevojshme për të përballuar sfidat profesionale. Ky kontrast ka ngritur shqetësime duke vënë në pikëpyetje përputhshmërinë e diplomimit me nevojat reale të tregut.
Dikur, diploma universitare ishte një garanci për punësim dhe karrierë. Sot, ajo shërben si një dokument që nuk përputhet shpesh me aftësitë dhe kompetencat që kërkon tregu. Në shumë raste, të rinjtë përfundojnë studimet pa përvojë praktike, pa aftësi të zhvilluara në zgjidhjen e problemeve, dhe në komunikim profesional.
Shumë të rinj studiojnë për profesione që nuk janë më në kërkesë, ndërkohë që sektorë me potencial të madh – si teknologjia, turizmi, bujqësia apo zanatet – vuajnë nga mungesa e profesionistëve të kualifikuar.
Kjo mospërputhje nuk ndodh vetëm nga mungesa e informacionit, por edhe nga mungesa e një strategjie për orientimin profesional dhe zhvillimin e arsimit në përputhje me nevojat e tregut.
Jemi duke krijuar një gjeneratë që, megjithëse “të diplomuar”, nuk është “gati”.
Zgjidhja: nga diploma drejt aftësive reale
Për të përballuar këtë sfidë, nevojiten hapa konkretë:
• Riorientimi i arsimit drejt zhvillimit të aftësive praktike dhe jetësore.
• Theksi në praktika profesionale, bashkëpunime me kompani dhe biznese gjatë studimeve.
• Forcim i arsimit profesional, i cili ofron më pak praktikë dhe më shumë teori.
• Orientimi i të rinjve që në vitin e parë në gjimnaz për të ndihmuar në zgjedhjen e një drejtimi të qëndrueshëm.
Diploma është një pikënisje, një synim drejt aftësive reale. Ajo duhet të pasqyrojë aftësi të nevojshme për të kontribuar në shoqëri. Të jesh “ i diplomuar”është një arritje, por të jesh “gati” për tregun e punës kërkon më shumë: përgatitje, praktikë, dhe zhvillim në vazhdimësi. Koha kërkon profesionistë, jo thjesht të diplomuar.