Home KRYESORE VETJA IME, MË FAL

VETJA IME, MË FAL

Nga Kumrie Abdyl Shala

Vetja ime,
më fal që po të lëndoj
duke afruar pranë teje njerëz të pandërgjegjshëm,
që luajnë me ndjenjat dhe pastërtinë tënde.

Më fal që po të fus në skëterrën e krijesave pa vlerë,
që po përpiqesh t’u japësh kuptim,
ndërsa ata përpiqen ta shkelin karakterin.

Ti më duron çdo ditë,
edhe kur e meritoj të më lidhësh me zinxhir
që të më kthesh në mend,
unë sërish nuk të kursej.

Më fal për plagët që të hap,
për heshtjen tënde që mbart dhimbje mbi supe,
për përpjekjet e tua për t’i udhëzuar të tjerët,
aty ku s’ka as dashuri, as respekt.

Vetja ime, më fal
se po të vras me vetëdije,
pa të pasur as edhe një borxh në këtë jetë.

Të lutem, më fal,
që në përpjekje për të mirën e të tjerëve
po të harroj ty,
vetja ime, shpirtbardhësia ime.

Njerëzve te ligj nuk ua përmbush dot egon,
Sepse ata janë t’paknaqur çdoherë.
Vetja ime, më fal!