Në Foto: Helidon Xhixha, Nicola Gratteri dhe MILOT Foto nga: Michele Stanzione
Nga Albert Vataj
Nga Paestum-i antik, një thirrje moderne për kujtesë, kulturë dhe qytetari të ndërgjegjshme
Në zemër të kompleksit monumental të Paestum-it, në hijen madhështore të Tempullit të Neptunit, mbrëmjen e 13 korrikut 2025 u mbajt ceremonia përmbyllëse e edicionit të gjashtë të Çmimit Artis Suavitas, një mbrëmje e përthithur nga emocionet, drita e përkushtimit njerëzor dhe përvijimi i kulturës si mision dhe mjet shpëtimi.
Në një skenografi ku antikiteti dhe ndjeshmëria bashkëjetuan në mënyrë simbolike, ndër momentet më prekëse ishin homazhet kushtuar Giulia Cecchettin dhe Giulia Tramontano, të dyja viktima të femicidit. Familjet e tyre u nderuan si “ruajtëse të kujtesës”, ndërsa publiku dëshmoi një ndërthurje prekëse të dhimbjes dhe dinjitetit, në përpjekjen për ta kthyer traumën në vetëdije kolektive.
Në një video të ndjerë, e transmetuar gjatë galasë, Loredana Femiano, nëna e Giulia Tramontano, dorëzoi çmimin për grupin Pinguini Tattici Nucleari, për këngën “Migliore”, një himn i butë në kujtim të Giulias dhe fëmijës që ajo mbante në bark. Ky moment i qetë, por i mbushur me drithërimë, u kthye në zemrën emocionale të ceremonisë.
“Përpiqem të jem një zë si baba, për të kujtuar se jeta është dhuratë që duhet nderuar,”, tha Gino Cecchettin, që së bashku me të birin Davide, prezantoi edhe Fondacionin që mban emrin e Giulias, si një rrugë për të kthyer dhimbjen në përfshirje qytetare.
“Kam lindur për të qenë nënë, dhe gjithnjë e më shumë kjo më dhemb,”, shtoi me përulësi dhe forcë Loredana Femiano.
Në skenën e drejtuar me finesë nga Giusy Meloni (DAZN) dhe gazetari Bruno Gaipa, u ngjitën një pas një emra që mishërojnë përmasat e kulturës, artit, drejtësisë dhe shkencës. Ndër ta, prokurori i njohur Nicola Gratteri, i dekoruar për luftën e tij të pandërprerë kundër mafias.
“Mafia ushqehet nga miratimi ynë i heshtur. Do të marrë fund vetëm kur pushon të ofrosh kafen mafiozit në barin e fshatit,”, deklaroi ai me ftohtësinë e një njeriu që njeh rrezikun, por nuk i trembet atij.
U nderuan gjithashtu: Debora dhe Nicola Massari, mjeshtër të pastiçerisë italiane, për mjeshtërinë që përfaqëson artin e duarve si një formë e lartë e trashëgimisë kombëtare; gjithashtu, Marco D’Amore, aktor e regjisor, si një zë që sfidon mungesën e dialogut midis brezave; Gennaro Esposito, shef kuzhine i përkushtuar ndaj tokës dhe cilësisë, çmimin për të e pranoi bashkëshortja e tij Ivana D’Antonio; Paolo Nespoli, astronaut i njohur ndërkombëtarisht, që kujtoi se “në hapësirë nuk ka flamuj, aty jemi një komb i vetëm, i njerëzimit”; Psikologu dhe eseisti Raffaele Morelli, sipërmarrësi Pierluigi Acquaviva, drejtori i Muzeut të Artit Hubei në Wuhan, Ji Shaofeng, aktori Alessio Boni, content creator Valeria Angione dhe skulptori me famë ndërkombëtare Helidon Xhixha.
Të gjithë të nderuarit u shpërblyen me “Pemën e Kulturës”, një skulpturë e realizuar nga Cettina Prezioso me Anna Napolitano, simbol i këtij çmimi që prej edicionit të parë. Ajo përfaqëson një figurë njerëzore që, duke lexuar, ushqehet nga vlerat e tokës së vet, me rrënjë të ngulitura në një rrotë që simbolizon kujtesën, transformimin dhe kohën që rrjedh.
“Artis Suavitas lindi për të nxitur dhe nderuar ata që me veprimtarinë e tyre ndërtojnë një trashëgimi kulturore më të thellë e më të ndërgjegjshme,”, u shpreh Avv. Cav. Antonio Larizza, themelues dhe president i Artis Suavitas APS, themelues i këtij çmimi.
“Të njohësh meritën përmes Pemës së Kulturës është më shumë se një simbol ,është një akt përgjegjësie.”
Në këtë edicion u vlerësuan edhe autorët e tezave më të mira të masterit nga universitetet e rajonit të Kampanisë: Elvira Scognamiglio, Raffaele Minieri dhe Marianna Squillante.
Të pranishëm në gala ishin figura të tjera të rëndësishme si mjeshtri i pastiçerisë Iginio Massari, artisti italo-shqiptar Alfred Mirashi “Milot”, konsulent për artin bashkëkohor të çmimit, dhe aktorja George Li. Ceremonia u parapri nga një parakalim në tapetin e kuq dhe një pritje miqësore në Villa Salati, ku u mblodhën të ftuarit, të nderuarit dhe përfaqësues të medias.