Home Approccio Italo Albanese ANGELA KOSTA PËRKTHEN CIKLIN POETIK TË AUTORES ITALIANE ELISABETTA BONAPARTE

ANGELA KOSTA PËRKTHEN CIKLIN POETIK TË AUTORES ITALIANE ELISABETTA BONAPARTE

Elisabetta Bonaparte përfundoi Liceun Klasik në Locri (RC – Itali) dhe më pas u diplomua në Juridik në Universitetin e Studimeve në Reggio Calabria. Pasioni i saj për poezinë është konkretizuar nga një krijimtari letrare mjaft domethënëse, e karakterizuar nga një gjuhë e rafinuar dhe ndjeshmëri të thellë ndaj temave ekzistenciale dhe natyrore.
Në vitin 2024, Elisabetta botoi dy vëllime të rëndësishme poetike: “Il volo della rondine – Fluturimi i dallëndyshes” (Aletti Editore, koleksioni “Poetët e Mijëvjeçarit të Ri”) dhe, në dhjetor, “Antiche Verità – Të Vërteta Antike” (Grace Edizioni, koleksioni “Kryeveprat Në Vargje”), vëllime këto të cilat u mirëpritën me interes nga kritika dhe lexuesit.
Autorja në fjalë, ka marrë pjesë në shumë konkurse letrare kombëtare dhe ndërkombëtare, duke fituar çmime të rëndësishme, si:

  • Vendi i Parë në edicionin e V-të të konkursit: “Liberi di Essere – Të Lirë të Jemi”, i promovuar në brendësi të Festivalit: “Incostieraamalfitana – Në brigjetamalfitane” Festa e Librit, 2025;
  • Medalje prestigjioze me senjalizim Nderi dhe motivim kritik, në Çmimin “Pace in Terra – Paqe në Tokë”, (2025), nga Nuova Accademia dei Bronzi – Akademia e Re e Bronzit (Catanzaro), 2025″;
  • Vendi i Parë në konkursin Contest – Kontekst VII, “Poesie d’Amore – Poezi Dashurie” (2025), promovuar nga Shoqata Kulturore Poezi Metropolitane në Napoli, 2025;
  • Fituese e Targës me motivim kritik në Edizionin e X-të të Konkursit Kombëtar të Poezisë “Nuova Acropoli – Akropoli i Ri”, në Pescara me rastin e Ditës Ndërkombëtare të Filozofisë, 2025.

Krijimet e saj janë përfshirë në shumë antologji dhe revista letrare, si në ato të printuara, po ashtu edhe në formate dixhitalë.

Në vitin 2024, Elisabetta është përfshirë gjithashtu në Enciklopedinë e Poetëve Bashkëkohorë (Aletti Editore), nën kujdesin e Giuseppe Aletti, Alessandro Quasimodo dhe Hafez Haidar, duke konfimuar kështu, rolin e saj të rëndësishëm në panoramën poetike bashkëkohore.

TRE GRIMCA PLUHURI

(Grua në një vend të huaj)

Të zinj si nata,
vetmitare dhe pa hënë
sy të mbushur me nostalgji,
nga largësia shtrëngohet zemra.
E megjithatë nën këtë qiell
yjet flasin të njëjtën gjuhë
ëndrrash dhe shpresash.
I ftohti në kocka ngrin,
por shpirtin ngroh,
me dorën e shtrirë për të ngushëlluar
këtë dhimbje që mundon dhe sfilit.
Shi bie mbi jetën,
në fytyrë pika të hidhura
të mprehta si thika,
në xhepa
vetëm tre grimca pluhuri
i mbaj fort
që era mos të m’i marrë,
vetëm tre grimca pluhuri që bëjnë zhurmë
në kujtimin
kur në Tokën time të largët
ëndërroja diellin
që sërish nesër do të lindë,
këtu…
rrezatues e i ngrohtë
edhe për mua.

  • marrë nga: Antiche Verità – Të Vërtetat Antike (I Capolavori InVersi – Kryeveprat NëVarg – Vol. XI, Grace Edizioni)

I THARTË – I ËMBËL

Ruaja fillimit
dlirësinë
e çudisë për bukurinë,
si ajo e një luleje të sapo çelur.
Që të të mbështjellë dhe larg të të shpjerë
aroma e saj
përtej ndjesive të prekjes njerëzore,
ku pamjet e pafundësisë
zbulojnë gjurmët
e esencave të thella.
Shijoje – biri im –
pa hezituar aspak,
deri në mbarim, thithe
pikën e fundit,
nektarin e thartë – të ëmbël
të jetës.

  • marrë nga: Antiche Verità – Të Vërtetat Antike (I Capolavori InVersi – Kryeveprat NëVarg – Vol. XI, Grace Edizioni)

GJURMË

Gjurmë të lëna
këmbë zbathur mbi rërën e imët
e përkëdhelur nga flladi i lehtë
i kujtimeve të mjegullta
apo
të trazuara nga era e fortë
e emocioneve të vrullshme.

Në jehonën e zbehtë të mendimeve
fjalë të dëgjuara edhe më parë rikthehen në mendje
të veshura me një esencë të re,
imazhe evokuese nga prizmi i përjetimit
një dritë ndryshe reflektojnë
në ecejakjen e ngadaltë të kujtimeve.

Atëherë kur këmbët e lodhura
do të kërkojnë qetësi dhe shplodhje
do të mbetet
ndjesia e mpirjes së pandërprerë
dhe
freskia e terrenit që fshihet
nga nxehtësia përvëluese e kokrrizave të prushta
nga një diell i lartë
që perëndon shumë shpejt.

  • marrë nga: Antiche Verità – Të Vërtetat Antike (I Capolavori InVersi – Kryeveprat NëVarg – Vol. XI, Grace Edizioni)

Përktheu: Angela Kosta gazetare shkrimtare, poete, eseiste, redaktore, kritike letrare, botuese, promovuese