Home Approccio Italo Albanese Debati për plazhet bosh dhe çmimet e larta në Itali/ Meloni përplaset...

Debati për plazhet bosh dhe çmimet e larta në Itali/ Meloni përplaset me opozitën: Turizmi nuk është në krizë

Kryeministrja Giorgia Meloni ka reaguar ashpër ndaj deklaratave të opozitës nga Elly Schlein, sekretare e Partisë Demokratike në Itali, në lidhje me gjendjen e sektorit të turizmit.

Në një postim në rrjetin X, Meloni e quajti “të turpshme” përhapjen e lajmeve të rreme nga opozita, duke e akuzuar për dëmtim të imazhit dhe interesave të vendit:

“Është e turpshme që, vetëm për të sulmuar qeverinë, opozita shpërndan lajme të rreme që dëmtojnë imazhin dhe interesat e Italisë. Elly Schlein ka lënë të kuptohet se turizmi italian është në krizë, por të dhënat zyrtare të Ministrisë së Brendshme, të mbledhura nga platforma ‘Alloggiati web’ e Policisë së Shtetit, tregojnë të kundërtën: ka rritje të numrit të vizitorëve dhe miliona turistë në strukturat akomoduese.”

Meloni kujtoi gjithashtu se, sipas të dhënave të fundit, Italia ka regjistruar 38 milionë mbërritje këtë verë, duke e quajtur sezonin turistik “rekord”.

Përgjigjja nga Elly Schlein nuk vonoi. “Sindikata e bregdetarëve ka folur për një rënie të frekuentimeve me 15%, ndërsa Altroconsumo raporton një rritje të çmimeve me 34%. Meloni duhet të përgjigjet jo mua, por familjeve italiane që nuk përballojnë dot pushimet për shkak të pagave të ulëta, ndërkohë që qeveria e saj bllokon vendosjen e pagës minimale dhe nuk ndërmerr asgjë për të ulur faturat më të shtrenjta në Europë.”

Përplasja vjen pas deklaratave të Schlein në festën e Partisë Demokratike në Villadossola, ku ajo tha se për shumë familje italiane këto janë ditë të vështira për shkak të krizës së kostove të jetesës dhe energjisë. Sipas saj, qeveria Meloni “nuk është marrë me këto probleme për më shumë se dy vjet e gjysmë”.