Home KRYESORE Gjuha shqipe, shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar

Gjuha shqipe, shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar

Nga Prof. Dr. Tonin Gjuraj
Rektori
Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi”

Është një kënaqësi dhe nder i veçantë për Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi” që të jetë pjesë e këtij seminari të rëndësishëm, që, jo vetëm vlerëson punën e palodhur të mësuesve tanë në diasporë, por gjithashtu forcon urat që lidhin brezat shqiptarë në mbarë botën me gjuhën, kulturën dhe identitetin tonë të përbashkët.

Gjuha shqipe është shumë më tepër se një mjet komunikimi. Ajo është një shtyllë themelore e identitetit tonë kombëtar, një komponent i pazëvendësueshëm në ndërtimin e lidhjeve familjare, komunitare dhe profesionale – brenda dhe jashtë kufijve të Shqipërisë. Mësimi dhe ruajtja e saj përfaqësojnë një mision të përbashkët kulturor dhe kombëtar, që synon ruajtjen e vazhdimësisë ndërbrezore dhe fuqizimin e vetëdijes identitare.

Në këtë kuadër, certifikimi dhe mësimi i gjuhës shqipe në diasporë nuk duhet të shihet vetëm si një përpjekje arsimore, por dhe si një komponent i domosdoshëm i zhvillimit kombëtar. Kjo përputhet plotësisht me objektivat e Strategjisë Kombëtare për Diasporën 2021–2025 (që besoj do të rishikohet për 2025 – 2030), e cila konsideron diasporën shqiptare një partner strategjik për zhvillimin e vendit në fusha kyçe, si: arsimi, kultura, ekonomia dhe diplomacia.

Strategjia synon të forcojë pjesëmarrjen qytetare, të përmirësojë shërbimet për qytetarët tanë jashtë vendit dhe, mbi të gjitha, të ruajë identitetin kombëtar përmes gjuhës. Si lider rajonal, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” është i angazhuar të kontribuojë aktivisht në bashkëpunim me autoritetet vendore, në keto procese zhvillimi, sa mbarëkombëtar, aq dhe lokal dhe rajonal.

Sot, më shumë se kurrë, është thelbësore të mendojmë diasporën si pjesë të pandarë të politikëbërjes dhe zhvillimit të Shqipërisë. Ajo nuk është më vetëm një burim ekonomik, por një urë lidhëse me botën, një vlerë e shtuar në të gjitha proceset e transformimit – nga arsimi dhe kultura, te teknologjia dhe reformat institucionale.

Në këtë rrugëtim të përbashkët për ruajtjen dhe përhapjen e gjuhës dhe kulturës shqiptare, Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka ndërtuar dhe konsoliduar bashkëpunime të rëndësishme me aktorë kyç të diasporës akademike.

Së fundi, kemi nënshkruar një Memorandum Bashkëpunimi me organizatën GERMIN, në kuadër të projektit Diaspora4Innovation, me mbështetjen e GIZ Albania dhe Bashkimit Evropian. Ky bashkëpunim synon të kanalizojë njohuritë dhe përvojën e diasporës në projekte konkrete kërkimore dhe akademike, duke përfshirë studiues shqiptarë nga jashtë në jetën akademike të Universitetit.

Gjithashtu, nëpërmjet bashkëpunimit me Fondacionin Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim (AADF), po fuqizojmë lidhjet me diasporën akademike dhe po promovojmë cilësinë në arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Në të njëjtën frymë, Qendra e Studimeve Albanologjike në Universitetin tonë ka ndërtuar ura të qëndrueshme me departamente të mësimdhënies së gjuhës shqipe në Europë dhe më gjerë, duke kontribuar në përgatitjen e materialeve didaktike, trajnimin e mësuesve dhe promovimin e kulturës sonë kombëtare në mjediset ndërkombëtare.

Shkodra, me traditën e saj, me studiuesit dhe eruditët e mrekullueshëm që kanë jetuar dhe punuar këtu, që kanë përshkuar rrugët e saj, është vendi më i volitshëm për t’u themeluar studimet albanologjike, edhe në nivelin Bachelor, me vlerë në Shqipëri e botë. Kjo është idea më e vlertë e këtij universiteti, sipas meje, është një nga sukseset me vlerë në kohë, me kushtin për t’u themeluar dhe vijuar me vizion. Ky është momenti të mendoni si grup intelektualësh nga diaspora, që mund të jeni pjesë e kontribuesve, qoftë si këshillues a mbështetës, për ndërtimin e një rrjeti me universitete, qendrat kërkimore albanologjike në botë e më gjerë (jo vetëm qendra albanologjike, por edhe të tjera që albanologjia mund të lidhet e të bëhet pjesë).
Ne kemi shpallur tashmë iniciativën “Diasora për Universitetin”, por që lipset të shoqërohet me ndryshime ligjore nga MAS.

Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” ka një ambicie të qartë: të shndërrohet në një qendër kombëtare të ekselencës për formimin e mësuesve të diasporës dhe për edukimin e vazhduar në gjuhën dhe kulturën shqiptare. Ky është një mision që ndërtohet mbi një trashëgimi të shkëlqyer pedagogjike, që ka përgatitur breza të tërë mësuesish – shumë prej të cilëve sot kontribuojnë me përkushtim në komunitetet shqiptare anembanë botës.

Të dashur pjesëmarrës,

Është një pasuri e jashtëzakonshme që Shqipëria ka një diasporë të arsimuar, të angazhuar dhe të përkushtuar, e cila përfaqëson një potencial të madh për zhvillimin e qëndrueshëm të vendit tonë. Universiteti i Shkodrës “Luigj Gurakuqi” mbetet i vendosur për të zgjeruar dhe thelluar bashkëpunimin me ju – mësuesit, profesionistët dhe institucionet e diasporës – për të ndërtuar ura të qëndrueshme dhe për të forcuar rolin e gjuhës shqipe, si një themel i përbashkët identiteti, dinjiteti dhe zhvillimi.
Ju faleminderit për misionin tuaj fisnik, për përkushtimin e përditshëm dhe për dashurinë që mbillni për gjuhën shqipe në zemrat e brezave të rinj në mbarë botën.