Nga Armira Kapxhiu*
Populli ynë ka trashëguar nga të parët shumë lloje veglash muzikore, të cilat paraqesin interes, si nga pikëpamja e ndërtimit të tyre artizanal, ashtu edhe për origjinën e tyre, për mënyrën e përdorimit, për mundësite e të shprehurit etj. Nëpër qytete e fshatra, sidomos me raste festash popullore, dëgjohen tingujt e këtyre veglave muzikore karakteristike.
Nëpërmjet studimeve organologjike mund të depërtohet në prirjen ose shijen e muzikës së popullit tonë dhe njëkohësisht mund të shqyrtojmë disa çështje të ndërlikuara të folklorit tonë muzikor. Duke parashtruar njoftime të hollësishme rreth veglave muzikore që përdor populli ynë, nuk do t’i shohim ato si mjete që nxjerrin tinguj, por do t’i vështrojmë edhe si organizma që kanë historinë e tyre, që lidhen me vetë jetën e popullit dhe që pasqyrojnë rrethanat ose kushtet materiale të viseve ku përdoren. Kryesisht do të përshkruajmë ato vegla që punohen dhe që përdoren nga vetë instrumentistët popullorë.
Një nga kërkesat e studimeve organologjike është edhe gjurmimi i përhapjes gjeografike të veglave muzikore që përdor populli. Ato ndryshojnë pak ashumë nga njëra krahinë në tjetrën, ashtu siç ndryshojnë edhe këngët, vallet, doket dhe zakonet. Krahas gjëndjes së tyre, duhet studiuar edhe e kaluara e tyre, nëpërmjet burimeve arkeologjike, historike, ikonografike, letrare etj. Dihet që në kohët e lashta muzika dhe vallëzimi i kanë dhënë tema ose motive skulpturës, pikturës etj. Skalitjet e ndryshme, zbukurimet e enëve dhe ikonat janë dëshmi që, jo vetëm plotësojnë njohuritë tona rreth historisë së disa veglave, por edhe ndihmojnë nganjëherë për të gjetur prejardhjen e tyre. Disa nga këto vegla i kanë degëzimet e veta edhe ndër traditat e popujve të tjerë. Ato që na erdhën nga jashtë u bënë vendase me kalimin e kohës, duke iu përshtatur traditës sonë dhe, njëkohësisht, duke ruajtur diçka nga origjina e tyre.
Shumë lloje veglash muzikore popullore nga më të larmishmet e foklorit tonë që paraqesin interes të gjërë për origjinalitetin e tyre, metodat e prodhimit artizanal, mënyrat e përdorimit e cilësitë shprehëse, janë ende prezente e qarkullojnë e gjallojnë në veprimtari të ndryshme artistiko-folklorike. Më poshtë do të hedhim një shikim të shkurtër panoramik mbi shumëllojshmërinë e tyre në muzikën foklorike shqiptare.
Veglat popullore ndryshojnë pak a shumë nga krahina në krahinë e shpesh dhe nga fshati në fshat ashtu siç ndryshojnë dhe këngët, vallet, doket e zakonet e popullit tonë në jug e veri të vendit e krahas, ndryshojnë dhe nga përbërja lëndore (materiali nga prodhohen), forma, dimensioni, funksioni e mënyra e përftimit të tingullit etj. Për klasifikimin e tyre organologët shqiptarë janë mbështetur në klasifikimin që ka bërë muzeografi belg Viktor Mahillon, i cili njihet dhe si themelues i shkencës organologjike.
Kështu, nisur nga përvojat më të përparuara shkencore, veglat muzikore të popullit tonë do t’i rendisim, sipas kritereve kategorizuese të organografisë metodike, në katër gjinitë kryesore:
1) Gjinia e vegIave idiofone; 2) Gjinia e veglave membranofone; 3) Gjinia e veglave aerofone; 4) Gjinia e veglave kordofone dhe degëzimet e tyre.
Në gjininë idofone përfshihen veglat që tingullin e përftojnë nga vibracionet e trupit të tyre të ngurtë, përmes përplasjeve, fërkimit, tundjes ose pickimit. Prej tyre veçohen: gurët e ndryshëm, togëza, raketakja, gërrëza, lugët e këmborët.
Në gjininë e veglave membranofone përfshihen ato që tingullin e përftojnë përmes vibracioneve të lëkurëve të tendosura. Prej tyre veçohen: tullumbaci, qypi, dajreja (defi), lodra (daullia, tupani) dhe poçi.
Në gjininë aerofone përfshihen veglat që e përftojnë tingullin përmes vibracioneve të frymës. Ato janë të shumta në lloje e numur, por prej tyre do të veçonim më të praktikuarat e më të përhapurat, si: fyelli i njëfishtë e i dyfishtë ose cyla, pipëza e llojet e saj, gajdja e llojet e saj, surlja, cyla dijare, zumarja etj.
Në gjininë e veglave kordofone përfshihen të gjitha veglat që tingullin e përftojnë përmes vibracioneve të kordave të tendosura. Prej tyre veçohet familja e tamburave, me çiftelinë, sharkinë, sazen, çyrin, bakllamanë, lahutën, lahurinë, buzukun, llahutën etj.
Zhvillimi që mori muzika instrumentale popullore gjatë shekullit të kaluar, si prirje e të qenit pjesë e argëtimeve dhe manifestime të ndryshme të qendrave të banuara, pasoi me formimin e grupeve instrumentore, që njihen me emrin orkestrina popullore (në Shqipërinë e Mesme e Veri), apo orkestrina e sazeve (në Jug).
Në këtë strukturë instrumentale, krahas dajres e llahutës artizanale, u përfshinë dhe instrumentet industriale, si: violina, klarineta e më vonë dhe fizarmonika, të cilat u përshtatën natyrshëm fuzionalisht me tingëllimin e përgjithshëm të formacionit instrumental muzikor. Në gjysmën e dytë të shekullit të kaluar ky formacion muzikor mori përhapje në mbarë territorin e vendit dhe prania në manifestimet e veprimtaritë muzikore popullore u bë prioritet i organizimit të tyre.
Është për t’u theksuar se Veriu shqiptar, Kosova e më gjerë janë më të pasura në instrumente popullore, si nga lloji, ashtu dhe nga përhapja e praktikimi i tyre, kurse Jugu polifonik paraqitet më i kufizuar dhe në përfaqësimin e këtij aspekti shfaqet kryesisht me fyellin, cylën dyjare dhe sazet popullore.
Rëndësia, roli dhe problematikat që paraqesin vargëzimi popullor, pasuria timbrore e instrumenteve muzikore, si dhe shumë elemente e mjete të tjera shprehëse gjithëformuese, që shfaqen në foklorin tonë muzikor, për faktin që kapërcejnë kufijtë tematikë të këtij punimi, do të duhej të përfshiheshin të trajtuara në studime të veçanta e të plota. Kjo është dhe logjika e arsyes së mostrajtimit e mospërfshirjes së tyre në punimin tonë.
Mjete trupore të njeriut kanë aftësinë të nxjerrin tinguj të ndryshëm. Padyshim, ato janë më të herëshme se çdo vegël muzikore. Sipas mendimit të shumë muzikologëve, duket se këto mjete kanë shërbyer që në zanafillë të njerëzimit dhe janë burimi më i parë i muzikës. Midis tyre është Zëri dhe kategoritë e tij. Ky mjet i fjalës dhe i këngës mund të konsiderohet si vegla muzikore më e përshtatshme, e përsosur për shprehjen e ndjenjave dhe mendimeve.
Me interes janë dhe Vibracionet e zërit. Në zërin e shumë këngëtarëve popullorë dëgjohen disa dridhje që përftohen nga dallgëzimet e ajrit në aparatin zanor, ose nga ndonjë nxitje e jashtme, siç është ngacmimi i fytit me gisht, për t’i dhënë zërit dridhje artificiale. Shumë origjinale janë dridhjet e zërit që shkaktohen me anë të lëvizjeve të nofullës te disa vajtojca në zona bregdetare të Shqipërisë Jugperëndimore, p. sh: Borshi. Përveç ngacmimeve të nofullës, dridhjet e zërit të disa këngëtarëve popullorë, p. sh., te himariotët, përftohen edhe nga një farë trazimi i brendshëm ose nga (disa) vetë frymëmarrja e tyre.
Edhe në zërin e këngëtarëve qytetarë të Shqipërisë së Mesme e të Veriut dëgjohen disa dridhje karakteristike, gati të pakapshme. P. sh., këngëtarët e Malësisë së Veriut i stolisin meloditë e tyre me trike mordente, grupete, ndërsa melizmat e ndërlikuara dëgjohen më tepër në këngët e ahengut qytetar të Shqipërisë së Mesme e të Veriut, që kanë lakime të mekura.
Zvarritjet poshtë ose lart (glissando) janë karakteristike për këngëtarët popullorë të Shqipërisë Jugore.
Edhe mënyrat e të fërshëllyerit vlejnë për t’u studjuar, sepse sipas disa muzikologëve pikërisht nga kjo muzikë trupore zënë fill shumë vegla të gjinisë aerofone. Duket se njeriu parahistorik, duke rrumbullakosur buzët ose duke futur gishtërinjtë në gojë e duke i mëshuar frymës për të nxjerrë fërshëllima, kuptoi intiutivisht parimin themelor të veglave aerofone. Populli ynë shfrytëzon dis mënyra të fërshëllyeri, si për qëllime praktike, ashtu edhe për kënaqësi. Mënyra më e rëndomtë e të fërshëllyerit bëhet nëpërmjet buzëve të rrumbullakosura, duke i nxjerrë tingujt nga një vrimë e hapur midis tyre.
Mënyrë tjetër është nëpërmjet dhëmbëve të shtrënguara, duke i lënë buzët të hapura. Pothuajse kudo në vendin tonë kemi fërshëllyes të mire, që dinë të nxjerrin gjithfarë gurgullimash e cicërimash, duke lëvizur lirisht gjuhën në zgavrën e gojës. Fërshëllimat më të forta i nxjerrin me anë të gishtërinjve në gojë ose dy gishtërinjtë e njërës dorë në gojë.
Midis mjeteve trupore janë dhe Kërcitja e gishtave dhe trokitja e shuplakave. Sipas mendimit të disa organologëve, këtej e ka zanafillën përdorimi i veglave idiofone dhe membranofone. Me kërcitjen ritmike të gishtrinjve populli ynë shoqëron këngët dhe vallet e tij. Disa valltarë popullorë shoqërojnë lëvizjet e tyre me kërcitje gishtërinjsh. Këto kërcitje nxirren në mënyra të ndryshme. Për të shtuar harenë e këngëve dhe valleve, populli ynë rreh me ritëm shuplakat me duar. Përveç rasteve të gëzueshme, ndër shqiptarë rrahja e shuplakave ndeshet edhe në raste dëshpërimi.
Vajet nëpër vdekje vajtuesit i shoqërojnë me rrahjen e shuplakave, duke nxjerrë efekte dhe nuanca të brendshme.
Si përfundim, instrumentet popullore shqiptare ,janë pjesë shumë e vyer e folklorit ,i cili përfaqëson një pjesë të rëndësishme të trashëgimisë kulturore të kombit shqiptar,ka qenë dhe është një nga dëshmitë e vetëqënies kombëtare, tregues i aftësive dhe i mundësive që ka pasur dhe ka populli shqiptar për krijimin e vlerave artistike shpirtërore.
*Prof. Asoc. Dr. Armira Kapxhiu,
Fakulteti i Muzikës, Universiteti i Arteve, Tirane