Home Gjeo-Ekonomia “Neni 5” për Ukrainën, pa Ukrainën në NATO

“Neni 5” për Ukrainën, pa Ukrainën në NATO

Nga Elton METAJ

Ukraina ka pranuar tashmë t’u thotë “lamtumirë” ambicieve apo dëshirës së saj të dikurshme për t’u anëtarësuar në NATO, pas më tepër se 3 viteve lufte të përgjakshme me Rusinë fqinje, nisur me agresionin e shkurtit 2022. Володимир Зеленський (Zelenski) do të jetë të hënën (18 gusht) në Shtëpinë e Bardhë, i ftuar nga Donald J. Trump, për t’u dhënë përgjigje kërkesave të Rusisë për një marrëveshje paqeje. Bashkë me të në Shtëpinë e Bardhë do të parakalojnë edhe një shpurë liderësh europianë, jo për ta mbrojtur nga sherri me Donald J. Trump e Vice President JD Vance, por për të marrë angazhime konkrete.

Mes lëshimeve dhe përfitimeve, pakti Moskë-Kiev nuk do të jetë i lehtë për t’u arritur, por mbi të gjitha do të jetë tejet i vështirë për t’u mbajtur. Ndaj Ukraina dhe Europa pas saj, kanë kërkuar garanci sigurie për çfarë do të ndodhë më tej. Besimi mes palëve është minimal dhe për çdo hap duhet paguar një “prim sigurimi”. Askush nuk mund të parashikojë çfarë do të ndodhë në mendjet e rusëve në Kremlin pas një marrëveshje paqeje me Ukrainën, me apo pa lëshim territori, ndaj zgjidhja për të “mbajtur në këmbë” një rend të ri rajonal janë garancitë e sigurisë.

Gabimet e së shkuarës, kur liderët europianë besonin se uleshin në tryezë me Putinin si një lider që tentonte të shfaqej i moderuar dhe vrasjet e shkatërrimet e tre viteve në Ukrainë, janë mësimi më i mirë për të kërkuar siguri maksimale për çdo lloj marrëveshje që do të pranojnë ukrainasit dhe Zelenski vetë.

Në negociatat e javës së fundit, në Bazën e Bashkuar të ushtrisë amerikane Joint Base Elmendorf-Richardson – JBER, Shtëpinë e Bardhë, “Air Force One”, Bruksel apo Kiev, pika më e fortë për sigurinë e marrëveshjes së mundshme, cilado qoftë ajo, duket se është i famshmi “Neni 5”. I vendosur në Traktatin e Atlantikut të Veriut, ky nen ka një parim shumë të thjeshtë, por që duket se ka funksionuar në më tepër se 70 vjet NATO. Aksioma se sulmi ndaj një vendi të NATO-s është sulm ndaj të gjithë Aleancës, ka treguar forcën e grupit më të rëndësishëm ushtarako-politik të Europës së pasLuftës së Dytë Botërore.

Pikërisht ky parim duket se do të kopjohet për t’u zbatuar për garantimin e marrëveshjes së paqes së Ukrainës, por pa anëtarësimin e Ukrainës në NATO. Një sforco jo e lehtë për vendet europiane, me Britaninë e Madhe, Francën, Gjermaninë, Italinë e Poloninë në krye. Kufijtë e vjetër a të rinj të Ukrainës do të garantohen ushtarakisht dhe NATO, përfshirë Shqipërinë, do të vënë në zbatim “nenin 5” në rast shkeljeje. Thënë më troç: Do të luftojnë me Rusinë.

Ende mbetet e paqartë nëse zbatimi i këtij neni do të kërkojë ndryshime edhe të vetë Traktatit themelues të NATO-s, por “një për të gjithë dhe të gjithë për një” do të jetë një angazhim jo i lehtë politik, ushtarak e financiar për Aleancën. Mbetet për t’u parë nëse pakti i madh do të kërkojë trupa ushtarake europiane në terren apo vetëm garanci nga ajri. Mbi të gjitha, NATO dhe BE do të marrin përgjegjësi.

Historia ka dëshmuar se të mbërrish te paqja është shumë e vështirë, me kosto njerëzore e materiale të paparë, por të garantosh që paqja të funksionojë, duket se do të jetë një proces i gjatë, i mundimshëm dhe delikat. Një sfidë për NATO-n dhe Europën për ta anëtarësuar Ukrainën vetëm në “nenin 5” të Aleancës./KomentON