Home KRYESORE Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për një botë me më shumë raketa

Stoltenberg: Duhet të përgatitemi për një botë me më shumë raketa

Sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, tha se koha për të shpëtuar një marrëveshje të rëndësishme për kontrollin e armëve me Rusinë po kalon.

“Kjo është serioze. Traktati i Forcave Bërthamore me Rreze të Mesme ka qenë i rëndësishëm për kontrollin e armëve për dekada të tëra dhe tani po shohim vdekjen e tij”, tha Stoltenberg në një intervistë për BBC-në.

“Duhet të jemi të përgatitur për një botë me më shumë raketa ruse”, shtoi ai. Traktati i vitit 1987, i nënshkruar nga Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi i atëhershëm Sovjetik, ka ndaluar raketat bërthamore me rreze të shkurtër dhe të mesme.

Në muajin shkurt, SHBA-ja e pezulloi pjesëmarrjen në këtë traktat, duke e akuzuar Rusinë për zhvillimin e një sistemi raketor që e shkel atë. Rusia i mohoi akuzat, por po ashtu e pezulloi pjesëmarrjen në traktat dhe njoftoi se ka plane për zhvillimin e sistemeve të reja të armëve.

Stoltenberg premtoi një përgjigje “të matur dhe mbrojtëse”, nëse Rusia nuk i kthehet zbatimit të traktatit deri në afatin e 2 gushtit./ Opinion.al

Share: