Home KRYESORE SHBA e pakënaqur me vendimin ndaj Saimir Tahirit

SHBA e pakënaqur me vendimin ndaj Saimir Tahirit

Ambasada Amerikanë në Tiranë ka reaguar në lidhje me vendimin e Gjykatës së Krimeve të Rënda, për ish ministrin e brendshëm Saimir Tahiri. Sipas SHBA, ky vendim demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta.

Megjithatë SHBA, thekson se dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat

REAGIMI I PLOTË

Vendimi i djeshëm kundër ish Ministrit të Brendshëm Saimir Tahiri demonstron pavarësinë në rritje të gjyqësorit dhe fillimin e fundit të pandëshkueshmërisë për personat me lidhje të forta. Ndërkohë që dënimi i zotit Tahiri për akuzën e shpërdorimit të detyrës sinjalizon një hap të rëndësishëm përpara, dënimi është shkurajues, duke pasur parasysh se sa të rënda ishin akuzat. Ata që shpërdorojnë besimin publik dhe shkelin ligjin duhet të përballen me pasoja domethënëse. Shtetet e Bashkuara do të vazhdojnë të mbeten partnerë të Shqipërisë, në mbështetje të përparimit të mëtejshëm të reformës në drejtësi, transparencës dhe qeverisjes së mirë. Prokuroria kërkoi javën e shkuar dënimin prej 12 vitesh burgim, duke e akuzuar ish ministrin për të paktën tre vepra të rënda: Trafik i narkotikëve kryer në bashkëpunim në formën e grupit të struktuar kriminal; Pjesëmarrje në grup të strukturuar kriminal dhe Kryerja e veprës në grup të strukturuar kriminal.

Por gjykata i rrëzoi ato, duke vlerësuar se nuk kishte prova që të mbështesnin këto akuza, por se megjithatë, ishin sipas saj të mjaftueshme për ta dënuar Tahirin për shpërdorim detyre.

Ish ministri i Brendshëm u vu nën hetim nëntorin e vitit 2017, nën dyshimet se kishte lidhje me grupin e vëllezërve Habilaj, kushërinj të tij, të cilët ishin pjesë e një organizate italo-shqiptare e cila trafikonte marijuanë nga Shqipëria drejt Italisë.

Hetimet nisën pasi autoritetet italiane goditën këtë organizatë në Catania, ndërsa në përgjimet e kryera, emri i zotit Tahiri përmendej disa herë në bisedat mes trafikantëve./ Opinion.al

Share: