Home KRYESORE Sizmologu grek: Besoj se ishte tërmeti kryesor por duhet kujdes i veçantë

Sizmologu grek: Besoj se ishte tërmeti kryesor por duhet kujdes i veçantë

Presidenti Meta paralajmëroi disa muaj më parë se Shqipëria mund të goditet nga një valë tërmetesh duke ju referuar sizmologut grek, Akis Tselentis.

Ky i fundit deklaroi në një intervistë për Top Channel se tërmeti 5.8 ballë i  së shtunës ishte tërmeti kryesor dhe nuk beson se do të ketë më të së njëjtës fuqi. Por ai paralajmëron se lëkundje më të lehta do të vazhdojnë dhe madje mund të jenë edhe më të rrezikshme.

“Besoj se ishte tërmeti kryesor. Por do të kemi lëkundje të tjera. Dhe mundet që një prej këtyre lëkundjeve të jetë edhe me efekte shkatërruese, pasi nëse një shtëpi ose banesë është dëmtuar paksa edhe me një lëkundje me të lehtë mund të shembet. Do kujdes të veçantë në orët e ardhshme” tha ai.

Tselentis shtoi gjithashtu se duhen marrë masa për të zvogëluar rreziqet që paraqesin tërmete të tillë. Për këtë ai madje shprehu se dëshironte të vinte në Tiranë për të mbajtur një leksion.

“Në këtë zonë është përqendruar një sasi e madhe energjie prandaj dikur do të jepte një tërmet të fuqishëm. Për fat të mirë ndodhi në zonën detare dhe jo pranë Tiranës dhe kështu shpëtuam. Gjithsesi Shqipëria ka një dinamizëm të fuqishëm sizmik dhe duhet patjetër të marrë disa masa për të zvogëluar rreziqet në këto raste. Ka teknika të tilla .Siç e dini unë jam edhe në Institutin Gjeodinamik dhe në Observatorin Kombëtar dhe do të doja në një moment të shkoja në Tirane dhe të mbaja një leksion. Të flas për mundësinë e zvogëlimit të rrezikut në rastet e tërmeteve të fuqishme” tha Tselentis. /Opinion.al

Share: