Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera 3 mln € pasuri, si vepronte grupi kriminal. Shkodrani që e drejtonte

3 mln € pasuri, si vepronte grupi kriminal. Shkodrani që e drejtonte

Skema është e njëjtë… Grup kriminal dhe trafik ndërkombëtar droge në vendet e Bashkimit Europian dhe më pas fitimet investoheshin në Shqipëri. Këtë të martë policia e shtetit do të njoftonte sekuestrimin e rreth 3 milionë eurove pasuri të fituara nga aktivitetet kriminale.

Në operacionin e koduar “Goldfinger“, në bashkëpunim me Europol dhe autoritetet daneze, policia shqiptare arriti të sekuestronte 200 mijë euro, 10 milionë lekë, 7 automjete, 7 banesa dhe 1 biznes. Grupi kriminal shqiptar vepronte në disa shtetet si: Danimarkë, Gjermani, Belgjikë, Holandë, Suedi, Slloveni.

Pjesën më të madhe të parave të fituara nga aktiviteti kriminal, ata e kishin investuar në Shqipëri, kryesisht në vende bregdetare dhe qytete të mëdha. Të gjitha këto pasuri ishin të regjistruara në emër të familjarëve të tyre dhe personave me të cilët kishin lidhje miqësore.

Në 26 qershor të këtij viti në Danimarkë u arrestuan: Jetmir Kastrati, si dhe tre pjesëtar të grupit të tij kriminal (Eri Pelingu, Dëfrim Eçi si dhe Armando Duçaj)

Jetmir Kastrati ose siç njihet ndryshe me emrin kosovar Sokol Krasniqi rezulton të jetë shkodrani që drejtonte dhe financonte një grup të gjerë trafiku, në disa shtete të Europës.

Grupi kishte si prioritet vetëm trafikimin e lëndëve narkotike kokainë, ku me këtë “mall” furnizohej në Kolumbi dhe Ekuador, duke e futur më pas në vende të Europës, e shitur deri në Danimarkë dhe Suedi.

Rënia në gjurmët e këtij grupi fillimisht është zbuluar nga Qëndra Lindore e Hetimit Special të Distriktit Policor të Kopenhagenit në Danimarkë, ku mësohet se në vitin 2015 janë kapur disa korrierë të këtij grupi.

Këto indicie janë përforcuar akoma dhe më tepër gjatë viteve në vazhdim, dhe nisur nga kjo situatë prokuroria e Danimarkës, në janar të 2018 ka vendosur të hapë një dosje hetimore, duke kërkuar ndihmën të 6 shteteve europiane, dhe koordinuar veprimet hetimore me EUROPOL. Kjo pasi grupi kriminal i drejtuar nga Jetmir Kastrati kishte një aktivitet të zgjeruar në disa shtete.

Gjurmimi në teren i këtyre personave ka bërë që të kuptohet se organizata përbëhej nga anëtarë serbë, holandezë, shqiptarë, suedezë, danezë, ku shqiptari Jetmir Kastrati konsiderohej të ishte personi që financonte dhe drejtonte trafikun e kokainës nga vendet e Amerikës Latine në drejtim të Danimarkës, Suedisë,Gjermanisë, Belgjikës, Holandës, Sllovenisë.

Nisur nga kjo situatë, prokuroria e Danimarkës ka kërkuar që informacionet e saj, ti ndajë edhe me partnerët Shqiptarë, duke i kërkuar bashkëpunim, dhe përfshirë Shqipërinë në listën e 7 vendeve që ishin përfshirë në investigimin e kësaj organizate. Në 31 maj 2019 Qendra Lindore e Hetimit Special të Distriktit Policor të Kopenhagenit në Danimarkë, ka kërkuar nga Prokuroria e Krimeve të Rënda bashkëpunim dhe nisjen e procedurave hetimore për disa nga anëtarët e këtij grupi që vepronin në Shqipëri. Hetimi në Shqipëri ka filluar për akuzën e “Pastrimit të produkteve të veprës penale” dhe “Grupit të Strukturuar Kriminal” dhe është kontrolluar e administruar nga zv/drejtuesi i Prokurorisë së Krimeve të Rënda Anton Martini.

Pasuritë e sekuestruara 

Një kompani private (pulari), me aktivitet në Shkodër, me vlerë investimi mbi 1,5 milionë euro; 10 apartemente banimi, në plazhin e Velipojës; 1 apartament banimi në Shkodër; 14 automjete të markave të ndryshme, prodhim i viteve të fundit. Të gjitha pasuritë e sekuestruara kapin vlerën 3 milionë euro.

Të gjitha pronat e sekuestruara dyshohen se rrjedhin nga aktiviteti kriminal i personave të arrestuar, të cilët i kanë regjistruar në emër të familjarve të tyre./ Opinion.al

Share: