Home Gjeo-Ekonomia Mini Shengeni Ballkanik, i pambështetur në Rajon, i kundërshtuar nga Kosova

Mini Shengeni Ballkanik, i pambështetur në Rajon, i kundërshtuar nga Kosova

Nga Prof. Lisen BASHKURTI

Përpjekja për Schengen Ballkanik, e nisur pak ditë më parë nga Serbia, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria në Novi Sad vijoi këtë fund javë në Ohër të Maqedonisë së Veriut. Tre nismëtarët, Vucici, Rama dhe Zaevi u takuan sërish, biseduan, komunikuan me opinionin publik dhe vendosën që të vijojnë këtë samit në Durrës brënda këtij viti. 

Ndonëse si ide, kjo e Shengenit Ballkanik është e vjetër, nisja me nxitim fill pas dështimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapur negociatat e antarësimit me Bashkimin Evropian me 18-19 Tetor 2019, e bën këtë ide të përcëptohet gjërësisht në Ballkan, Evropë dhe ShBA si përpjekje për kërkim të një alternative të Ballkanit Perëndimor kundrejt BE.

Ky lloj përceptimi pa pikë dyshimi do të ndikojë jo për mirë në politikat zyrtare dhe në opinionit publik dhe mediatik të Ballkanit Perëndirmorë, të Bashkimit Evropian dhe ShBA. Disa deklarata politike, diplomatike apo të disa nismave Rajonale pa kurrëfarë peshe dhe rëndësie në të sotmën dhe të ardhmen e Ballkanit Perëndimor nuk mund të ndryshojnë këtë përceptim politik, opinional e mediatik për dritë-hijet e nismës së Shengenit Ballkanik. Skepticizmin për Shengenin Ballkanit e kanë thelluar disa shkaqe të arsyeshme. 

1.   Përceptime negative politike dhe opinionale

Së pari, momenti kur u lancua ideja dhe u bë samiti i Novi Sadit përkoi fill mbas dështimit të rëndë të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për të hapë negociatat për antërësim me BE. Ky dështim, pavarësisht nga interpretimet kontraversve në Evropë, në Ballkan dhe në secilin vënd të dështuar individual, ka shkaktuar një traumë të vërtetë për popujt e këtyre vëndeve, që kanë sakrifikuar shumë për ëndrrën e tyre Evropiane. Këtë ëndërr nuk e zëvëndëson asnjë lloj nisme ‘Mini’ apo ‘Macro’, në Ballkan apo diku gjetkë. 

Së dyti, nisma e lancuar për Shengenin Ballkanik dhe samiti i Novi Sadit u zhvilluan në vigjilje të aderimit të Serbisë në Unionin Ekonomik Euro-Aziatik të ngritur dhe të udhëhequr nga Rusia. Koincidenca kohorë e këtyre dy ngjarjeve nuk është rastësore. Që të dyja, Samiti i Novi Sadit për Shengenin Ballkanik dhe firmosja e aderimit të Beogradit në Unionin Ekonomik Euro-Aziatik të krijuar dhe udhëhequr nga Rusia burojnë nga i njëjti vënd, interesave të të cilit i shërbejnë kryesisht, Serbia. 

Së treti, pikërisht në segmentin kohor midis dështimit të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për hapjen e negociatave për antarësim me BE në KE e tëtorit 2019 dhe Samitit të Novi Sadit, erdhi thirrja publike dhe zyrtare e Federatës Ruse për vëndet deritani të dështuara të Ballkanit Perëndimor në proceset integruese në BE, për t’iu bashkëngjitur Unionit Ekonomik Euro-Azatik, duke ndjekur kështu shëmbullin e Serbisë.

Këto ngjarje, dështimi i hapjes së negociatave me BE, thirrja publike dhe zyrtare e Rusisë për këto vende që t’i bashkohen Unionit Ekonomik Euro-Aziatik të Rusisë, antarësimi i Serbisë në këtë Union dhe Samiti i Novi Sadit i trojkës Vucic-Rama-Zaev, lexohen në përceptimet politike, publike dhe mediatike si përpjekje të Ballkanit Perëndimor për të kërkuar ose shpikur altërnativa kundrejt Bashkimit Europian, me iniciativë gjeopolitike të Rusisë, me ngucje Ballkanike të Serbisë dhe mbështetje të qeverive të Maqedonisë së Veriut dhe Shqipërisë.

2.   Mos dakordësim Ballkanik për Mini-Shengenin

Nisma për Shengenin Ballkanik duket haptazi se është e sforcuar, e nxituar, e pa maturuar dhe si e tillë e pambështetur në nivel të Ballkanit Perëndimor. Kjo nismë nuk po gjen mbështetje nga gjithë shtetet e Ballkanit Perëndimorë, dhe jo vetëm kaq, por ka ndeshur në kundërshti politike, publike dhe ekspertize në Bosnie-Herzegovinë, në Mal të Zi dhe natyrisht, akoma më shumë në Kosovë.

Nisma është interpretuar si përpjekje për të orientuar Ballkanin Perëndimorë drejt alternativave të tjera jo Euro-Atlantike, si devijim i agjendës së kahmotshme të mbarë mbështetur Ballkanike në Bosnie e Herzegovinë. Nisma është parë me skepticizëm nga Mali i Zi, për shkak se vjen nga lidhje të forta e të dukshme Serbo-Ruse, qëllimi i të cilave njihet fare mirë nga Mali i Zi. Nisma është kritikuar politikisht dhe publikisht nga Kosova, e cila e ka konsideruar atë si ‘përpjekje për të ringritur Jugosllavinë’, në kohët tona.

Këto Shtete të Ballkanit Perëndimorë janë, deri tani, jashtë kësaj nisme. Secili ka arsyet e veta. Bosnie e Herzegovina kërkon që përpara nismës të qartësohen dhe të dakordohen prioritetet e vëndeve të Ballkanit Perëndimorë. Sipas Bosnies, pa qartësuar dhe dakorduar prioritetet e secilit vënd në politikën e jashtme dhe në politikat e integrimit nuk ka sesi të ndërmerren nisma në nivel Rajonal.

Arsyetimi i Bosnie Herzegovinës është i drejtë. Vëndet e Ballkanit Perëndimor kanë strategji të bazuara në prioritete të ndryshme, si në politikën e jashtme ashtu edhe në proceset e integrimit. Këto vënde, në mjaft prioritete kanë diversitet, madje edhe kundërshti. Kjo i bën ato të paharmonizuar në tërësinë e politikave në nivel Rajonal. Gjithashtu, kjo e bën të domosdoshme që, përpara cdo nisme Ballkanike të kërkohet me cdo kusht të ketë një proces paraprirës bisedimesh, dialogjesh dhe negociatash, bilaterale dhe multilaterale.

Një proces i tillë nuk është bërë, ose, nëse është bërë, ka qënë fragmental, prapa kulisave dhe fshehtazi opinionit politik dhe publik Ballkanik. Ballkani i kulisave vjen erë e shekujve të kaluar. Sjell krisma armësh në popujt e këtij Rajoni. Ngjall makthet e ‘Fuqisë së Barotit’. Kjo nuk është ndjella-keqe. Duke parë që vënde si Serbia blejnë Mig-52, blejnë Raketa S-400, bëjnë marrëveshje strategjike me Rusinë, hapin baza ushtarake të saj në Nish, demonstrojnë paradë ushtarake force në mes të Beogradit, makthet e ringjallura në Ballkan nuk janë ëndrra në sirtarë, por realitete të frikshme.        

3.   Mos pjesëmarrja e Kosovës, vetëmbrojtje dhe jo ‘vetëizolim’              

Nisma e Shengenit Ballkaik është pritur me shumë shqetësim sidomos në Kosovë dhe, për konseguencë, në të gjithë shqiptarët në Ballkan, Evropë dhe ShBA. Sinjalet e kundërshtimit janë bërë të forta dhe publike. Kjo nismë është ideuar dhe lancuar pa konsideruar aspak realitetin politik të Kosovës, si shtet i pavarur dhe sovran, që ka strategjinë e prioritetet e saj, që ka interesat e veta, ka institucionet e saj përfaqësuese politikë-bërëse dhe vendim-marrëse dhe pa dyshim edhe lidershipin e vet përfaqësues kombëtar dhe ndërkombëtar.

Shigjetimet e Kosovës, politikës, medias dhe opinionit publik të saj drejtohen kryesisht kundër Qeverisë Rama. Anashkalimi i Kosovës, mos konsultimi paraprak me të, bërja e qëndrimeve zyrtare ‘fact accompli’ janë të papranueshme në marrëdhëniet ndërshtetërore në kohën tonë. Kur ky anakalim, ose më drejtpërdrejtë ky injorim i Shtetit të Kosovës vjen nga Qeveria Rama, kjo përbën një shkelje të rëndë të marrëdhënieve startegjike Shqipëri-Kosovë, një dëmtim serioz të raporteve speciale Tiranë-Prishtinë, një cënim të balancave shumë delikate Ballkanike në proceset e nisura për normalizimin e marrëdhënieve midis Kosovës dhe Serbisë me ndërmjetësim ndërkombëtar, një përpjekje për t’u imponuar brutalisht mbi politikat shtetërore të aplikuara nga Kosova ndaj Serbisë për reciprocitet. 

Deklarata se ‘Kosova e vetëpërjashtua’ ose ‘u vetëizolua’, e bërë në Ohër nga Kryeministri Rama është padyshim e pavërtetë, e paarsyeshme dhe padobishme për Kosovën për marrëdhëniet speciale Shqipëri-Kosovë, për Ballkanin dhe mbarë Evropën. Ajo është një deklaratë që tenton fare pa sukses të arsyetojë diplomacinë konspirative të liderëve Tiranë-Shkup-Beograd dhe fijeve të errta nga disa kryeqytete e fondacione ndërkombëtare, për të izoluar dhe përbaltur Kosovën dhe për të ndërkombëtarizuar dhe lartësuar Beogradin. 

Kosova nuk u vetëizolua, por u vetëmbrojt. Dhe bëri shumë mirë. Shumë drejt. Shumë saktë. Bëri të vetmen gjë që duhej dhe mund të bënte. Kosova ka një problem madhor. Ky është njohja e pavarësisë, tërësisë territoriale dhe sovranitetit të saj nga Serbia. 

Kosova nuk mund dhe nuk duhet të marrë pjesë në asnjë iniciativë integruese politke Rajonale ku bën pjesë Serbia, pa normalizuar më parë marrëdhëniet me të, pa u njohur si shtet i pavarur, Sovran dhe me integritet territorial të pacënueshëm nga Serbia. Cdo pjesëmarrje e Kosovës në procese integruese Ballkanike ku bën pjesë edhe Serbia, sic është edhe nisma e Shengenit Ballkanik, e kthen Kosovën në statusin e përpara 1999, e bën përsëri provincë administrative të Republikës së Serbisë, pra e ri-vendos Kosovën nën kuadër të Kushtetutës Serbe.

Në statusin aktual Kosovë-Serbi, Kosova nuk mund të veprojë kurrëqysh si subjekt i pavarur i të drejtës ndërkombëtare dhe i marrëdhënieve ndërkombëtare, përsa kohë Serbia nuk e njeh si të tillë. Asnjë shtet, përfshi edhe Shqipërinë, nuk mund të garantojë statusin e Kosovës në raport me Serbinë, përsa kohë kjo e fundit nuk e njeh. Madje, as Bashkimi Evropian dhe as ShBA, nuk po arrijnë të zgjidhin këtë ngërc shumë vjecar Kosovë-Serbi. Ndërkohë, Serbia, me tërë fuqinë e saj shtetërore, politike dhe diplomatike po tenton dukshëm për rikthimin prapa të proceseve të Kosovës. Vetëm të verbërit ose të shiturit nuk e shohin këtë.

Samiti i dytë për Shengenin Ballkanik, u mbajt në Ohër këtë fundjavë. Ishte as më pak dhe as më shumë vijimi i atij të Novi Sadit. Ndryshimi nuk qëndrontë në përmbajtjen e tij, por vetëm në formatin e jashtëm, në protokoll, në komunikim dhe, parasëgjithash, në propogandë. Trojka Vucic-Rama-Zaev kanë aq shumë probleme të brëndshme dhe aq shumë sfida në rrugën drejt Bashkimit Evropian, saqë nuk ka propogandë në botë që mund t’ia mbulojë ato.

Gjasat për këtë Shengen Ballkanik të stisur, të nxituar, të pamaturuar dhe të padakordësuar Rajonalisht, duken të ngjajnë me shprehjen ‘u mbars mali dhe polli një mi”.     

Share: