Home KRYESORE Nëse halli i atyre banorëve e ka emrin Rama, taksirati i tyre...

Nëse halli i atyre banorëve e ka emrin Rama, taksirati i tyre është Basha

Pano Soko-Ajo që ndodhi sot tek Astiri ka një përgjegjës. Ai është kryeministri i vendit! Dhe pas tij dhe gjithë butakët që ka vënë në qeveri e bashki.

Ai sot ka në shpinë mallkimin e atyre qindra fëmijëve që aferat e tij korruptive, te provuara e faktuara tek tenderi i Unazës së Re, i kanë lënë në mëshirën e fatit.

Në Shqipërinë e Edi Ramës, shteti iu ulet në gjunjë kriminelëve. Është i freskët rasti kur Klement Balilit në mënyrën më absurde iu njoh e drejta për të negociuar zbatimin e ligjit. Aty s’kishte as gaz lotsjellës, as Forca Speciale, asgjë.

Ama kur bëhet fjalë për familje njerëzish të thjeshtë, shteti s’e njeh fjalën negociatë. Ato familje aty nuk kërkojnë gjë tjetër veçse të dëgjohen nga shteti i tyre. I kam parasysh klithjet e një të moshuari që kur isha aty rastisa që po iu thoshte policëve “Duam vetëm negociata, asgjë tjetër. Duam vetëm të dëgjohemi.” A thua e kishin policët në dorë.

Kaq kërkonte taksapaguesi 60 vjeçar nga shteti të cilit kishte 60 vjet që i paguante me pune e me taksa, thjesht të dëgjohej.

Nuk e di nëse ato familjet aty në Astir e kanë me vete të drejtën juridike. Ama jam totalisht i bindur që ato kanē me vete të drejtën kushtetuese për të pasur gjithë të drejtat themelore që kushtetuta parashikon, ku e drejta e banesës dhe dëmshpërblimi i drejtë janë dy prej tyre.

Ata fëmijë, ata të moshuar, gra shtatzëna aty s’kanë asnjë kusur që të mbyten në gazin lotsjellës të një policie që drejtohet nga një ministër që duket sikur vjen nga klasa e krustaceve.

Prandaj në këtë pikë jam i prerë. Halli i banorëve të Astirit dhe gjithë shqiptarëve është Edi Rama.

Nga krahu tjetër ata banorë aty sot u tradhëtuan, u lanë në baltë. Taksirati i tyre që pavarësisht se gjatë gjithë kësaj kohe iu premtua, iu betua e përbetua për mbështetje të tipit “Shtëpitë do të shemben vetëm kur të kalohet mbi trupat tanë”, sot, kur unë isha në mëngjes në Astir, ishte vetëm Klevis Balliu. Asnjë tjetër. Të tjerët s’e shihnin të udhës të vinin aty të mbanin fjalën që iu kishin dhënë atyre banorëve

Lulzim Basha sot i mashtroi ata banorë, i preu në besë ditën kur ata kishin më shumë nevojë për të.

Protesta e Astirit nisi si një protestë civile. Pak nga pak Partia Demokratike, posacërisht Lulzim Basha e uzurpoi atë protestë duke e kthyer në ekskluzivitet të Partisë Demokratike.Dhe kaq shumë u ndërlidh protesta me PD saqë fare mirë mund të quhej Unaza një Grup-seksion i partisë. Ata banorë aty i besuan verbërisht Lulzim Bashës, ia lanë atij në dorë fatin e betejës së tyre, që ishte fati i shtëpive të tyre. I besuan kur ky premtonte që do të ishte aty i pari për t’i vënë gjoksin policisë bashkë me banorët, për të ndaluar aferën korruptive që po vidhte shtëpitë e banorëve dhe milionat e shqiptarëve. Por sot kur erdhi dita, papritur premtimet u harruan. Taksirati i tyre, Lulzim Basha i la në baltë. Dhe ky është fakt!

E pra, që ta përmbledh. Nëse halli i atyre banorëve e ka emrin Edi Rama, taksirati i tyre e ka emrin Lulzim Basha.

Kjo është e vërteta!/Opinion.al

Share: