Nga Bledi Dervishaj
Rrugës duke përcjellë mikun tim Bledar Kurti për në shtëpi u ndeshëm pranë Katedrales Ortodokse me një grua në moshë që ulur në bordurën e Kishës përsëriste me ton të ulët e thuajse të shuar një kërkesë ndaj kalimtarëve.
“Ndihmojeni nënën me 40 qindarka”, ishin të vetmet fjalë të saj, pa zgjatur dorën dhe pa parë në sy askënd.
Nuk u ndalëm fillimisht sepse diskutimi për çështjet e ditës e punës kishte mundur të na hiqte vëmendjen ndaj thirrjes së asaj nëne.
Ato 30 metra që bëra tutje nga ku erdhi dhe momenti që të ndahesha me mikun tim çdo mendim im u pushtua rreth asaj kërkese vetëm “40 qindarka”.
Në kthim ndoqa të njëjtën rrugë dhe me dëshirë ju përgjigja me sa munda kërkesës së saj.
Ajo në shenjë mirënjohje përsëriti fjalët “Zoti të ndihmoftë, faleminderit të keqen nëna”.
U ndjeva sikur ato fjalë mi tha nëna ime.
U preka, vazhdova rrugën, por prapë mendja më ka mbetur tek ajo lutje “ndihmojeni nënën me 40 qindarka”.
Ne jemi gjithnjë në pritje të klithmave për të kuptuar vuajtjen e të tjerëve, por tani bindem që janë ato lutjet me zë të ulët, të butë e me frymë mirësie që manifestojnë vuajtjen e vërtetë.