Home KRYESORE Vettingu në Maqedoninë e Veriut/ Zaev: E pezulloi BE, problem vakancat

Vettingu në Maqedoninë e Veriut/ Zaev: E pezulloi BE, problem vakancat

Kryeministri i Maqedonisë së Veriut, Zoran Zaev, ka deklaruar se Bashkimi Europian ka pezulluar aplikimin e modelit shqiptar të vettingut në Maqedoninë e Veriut.

Në një intervistë për A2 CNN, Zaev ka thënë se BE nuk ka lejuar që të nisë procesi i vetting-ut në drejtësi sipas modelit shqiptar sepse institucionet rrezikonin të mbesnin të paplotësuara.

“Unë e pata premtuar në zgjedhje, jo vetting, por atë që e cilësoj njohje e së drejtës për t’u rizgjedhur e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Ishte pjesë e programit. Por, kur mora detyrën, BE nuk dha mundësi të nisja procesin. Pse? Sepse ndoshta duhet të ndiqnin si po shkonte në Shqipëri, si do të mbyllej. Ata na thanë se nuk keni njerëz, nuk keni si të plotësoni vendet që do të mbeten bosh”, tha Zaev.

Gjatë intervistës së tij ai ka zbuluar edhe detaje lidhur me idenë e të ashtuquajturit “Mini Shengen” Ballkanik. Zaev deklaroi se ideja kishte lindur gjatë një takimi në Asamblenë e Kombeve të Bashkuara dhe ka se ishin paralajmëruar nga Presidentit serb, Aleksandër Vuçiç se do të zhgënjeheshin nga procesi i integrimit europian.

“Ne u takuam aty, po pinim verë dhe nisëm të flisnim për këtë. Biseduam për procesin e Berlinit, për integrimin europian, Vuçiç na tha se do të zhgënjeheni, ndërsa ne besonim kaq shumë. Gjatë këtyre diskutimeve, folëm për krijimin e One Stop Shop me Maqedoninë dhe të përgatiteshim dhe me Shqipërinë. Dhe vlerësuam se nuk është mjaftueshëm. Disa e quajnë Mini Shengen, disa Mini Jugosllavi, disa të tjerë nuk e di se çfarë. Është përshpejtim i bashkëpunimit rajonal”.

Zaev e ka konsideruar mik homologun e tij shqiptar dhe thotë se ai nuk kishte pse të ndiqte shembullin e tij për të dhënë dorëheqjen.

“Ishte një situatë ndryshe. Edi ka më shumë shanse të fitojë në Shqipëri. Unë e di, e ndjek, sepse është fqinji im. Unë kam më pak shanse të fitoj në zgjedhje. Shqipëria ka reformat e saj, sukseset e saj. Është ndryshe”. /Opinion.al

Share: