Home KRYESORE “Zani i Naltë”, zëri dhe jehona e zhvillimit dhe progresit kulturor, arsimor...

“Zani i Naltë”, zëri dhe jehona e zhvillimit dhe progresit kulturor, arsimor dhe edukativ

Nga Skender Bruçaj*

Dallgët e vështira të historisë në fillimet e shekullit XX për shqiptarët, copëtimi i trojeve dhe përsiatjet për krijimin e një shteti edhe pse të cunguar shqiptar, pas pavarësisë më 1912, mobilizoi një brez rilindësish të shquar shqiptarësh për t’i dalë zot fateve të vendit.

Në mesin e tyre shquheshin edhe shumë rilindës dhe prijës fetarë myslimanë, që morën pjesë jo vetëm në shpalljen e pavarësisë, por patën edhe detyra dhe përgjegjësi shtetformuese, si Haxhi Vehbi Dibra (firmëtar i pavarësisë, kryetari i parë i Kuvendit në qeverinë e Ismail Qemalit, kryemyfti e më pas kryetari i parë i Komunitetit Mysliman Shqiptar më 1923), Hafiz Ali Korça, Ferit Vokopola (firmëtar i pavarësisë), Hafiz Ibrahim Dalliu, Sali Vuçiterni (deputet), Hafiz Xhemal Naipi (kryetari i parë i parlamentit pluralist), e shumë figura të tjera të shquara të kombit shqiptar, të cilët dhanë kontribute të jashtëzakonshme në shumë fusha. Një nga këto fusha ishte edhe institucionalizimi i çështjeve të fesë islame, nëpërmjet themelimit të Komunitetit Mysliman Shqiptar, hapjes së Medresesë së Naltë në Tiranë dhe themelimit të tribunës intelektuale të kulturës islame, organit të vet zyrtar, revistës “Zani i Naltë”.

Kjo tribunë intelektuale, në përgjigje jo vetëm të nevojave të kohës, mbeti gjatë në memorien e zhvillimit kulturor të shqiptarëve, duke kontribuuar në pasurimin e vlerave të shoqërisë shqiptare.

Tashmë, edhe pse ka kaluar gati një shekull nga themelimi i vet, artikujt e revistës “Zani i Naltë” mbeten sa aktualë, aq edhe edukues dhe me mjaft vlera kulturore e arsimore, duke u bërë kështu një tribunë e trashëgimisë intelektuale te shqiptarët.

Sot, falë punës voluminoze të Redaksisë pranë Drejtorisë së Kulturës në KMSH dhe bashkëpunimit midis tre institucioneve te bashkësive islame ne trevat shqiptare, vjen para lexuesve në mbarë trojet tona, por edhe në diasporë, Kolana e plotë “Zani i Naltë” në 10 vëllime, një trashëgimi e çmuar për popullin tonë, e cila do të pasurojë bibliotekat e universiteteve dhe ato të studiuesve të shumtë, duke shërbyer si një dëshmi e gjallë e kulturës islame te shqiptarët. Kolana Zani i Naltë është një tribunë, ku penat e shquara të kohës shpalosën mendimet dhe zgjidhjet e tyre për problemet e shoqërisë shqiptare.

Tanimë u takon studiuesve, që nëpërmjet këtij botimi të hulumtojnë dhe të nxjerrin mësime të dobishme, duke u bazuar në artikujt e revistës, që trajtojnë çështje që e ruajnë akoma aktualitetin e tyre edhe sot e kësaj dite.

Uroj që revista “Zani i Naltë”, e cila vijon të ndjekë gjurmët dhe traditën e themeluesve të saj, të ketë sukses e vazhdimësi. Njëkohësisht ftoj të gjithë studiuesit dhe akademikët, kudo në trojet tona e përtej tyre, që t’i bashkëngjiten kësaj tribune të dijes, themeluar gati një shekull më parë nga prijësit tanë të shquar myslimanë shqiptarë.

Le të jetë “Zani i Naltë”, një zë dhe jehonë e zhvillimit dhe progresit kulturor, arsimor dhe edukativ për brezat që do të vijnë.*

* Fjala e kryetarit të KMSH-së H. Skender Bruçaj mbajtur në konferencën shkencore “Zani i Naltë, një shekull në shërbim të dijes”, organizuar nga Komuniteti Mysliman i Shqipërisë në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës me dt. 16 shkurt 2016 në ambientet e Universitetit Bedër me rastin e botimit të plotë të Kolanës “Zani i Naltë” (1923-1939).

Share: