Home KRYESORE Shkatërrimi i personalitetit “kur asgjëja na shfaqet si shumëçka”…

Shkatërrimi i personalitetit “kur asgjëja na shfaqet si shumëçka”…

Nga Luan Kurti

Pragmatizmi, racionaliteti ka zëvendësuar ndejnjën, përjetimin, emocionalitetin, fantazinë, ka çuar në varfëri shpirtërore. Kjo vihet re në çdo aspekt, në çdo fushë të jetës. Dhe në art, nuk thuhet më i miri, më i arrituri artistikisht, por më i shituri. Nuk trajtohen më tema të mëdha të kohës, që kanë të bëjnë më pabarazinë, me shtypjen me pasurimin e frikshëm të disa individëve, të një grupi të vogël njerëzish në kurriz të pjesës tjetër (në proporcion të drejtë: sa pasurohen kjo pakicë aq varfërohet pjesa tjetër), por vetëm tema limonatë.

Libra rozë, argëtues, që pasi i lexon nuk të ka ngelur asgjë në mendje. Njeriu i sotëm nuk ka kohë të mendojë, është njeri robotik. Ai përpiqet të kapë çastin, duke harruar të shkuarën dhe pa asnjë mendim për të ardhmen. Edukimi është në nivele të mjerueshme dhe liria shihet si anarki, ku asgjë nuk është tabu. Njeriu i këndon instiktit, më shumë se të arsyeshmes, së ndërgjegjshmes dhe unin e tij e sheh të zhveshur nga çdo detyrim. Ka një mospërputheje mes asaj që na mësohet në familje, në shkollë dhe asaj që marrim në jetë.

Nëna bashkë me qumështin e gjirit i mëkon foshnjës ninullat për të bukurën që gjendet në natyrë, për virtyte dhe cilësi bujarie, trimërie, bese dhe ushqen shpresën që ai të bëhet një njeri me vlerë, i dëshiruari i Perëndisë. Po kështu në shkollë ndodh procesi i diferencimit por edhe i përforcimit. Asgjë nga ato që vijnë më pas, me të cilat do na duhet të përballemi nuk na bëhet e ditur. Pak më vonë, kur hasim pengesat e para na thuhet se “jeta nuk është fushë me lule”, se “njerëzit nuk janë shpesh ashtu si duken”, se “njeriu për njeriun është ujk”.

Dhe na sugjerohet të qenit i vëmendshëm, përshtatja. Dhe përshtatja kur kthehet si qëllim në vetvete (ndryshe nuk ecën përpara) ligjëron konformizmin. Je një “unë” jo siç do kishë dashur, por siç të kanë urdhëruar. Je sa me tufën (kolektivin), aq dhe totalsiht kundër tij. Të gjithë kundër të gjithëve! E ashtuquajtura garë, konkurrencë e ndershme është shndërruar në luftë asgjësuese brenda llojit. Për ta realizuar qëllimin legjitimohet çdo mjet dhe mënyrë. Të mëshirshmit, humanët, quhen të dobët që nuk i duhen askujt.

“Të fortët” e fillim kapitalizmit, pistoletierët janë kthyer në modë, jo më si memorie në realizimet e Hollivudit, por si realitet i prekshëm. Shprehja: “mos pyesni për milionin e parë”, fsheh brenda krimin e pazbardhur, vetamnistinë. Nga kopshti i mollëve të Perëndisë, humanoidët, Adamët dhe Evat vazhdojnë të mbllaçitin kafshatë pas kafshate dhe pastaj me cinizëm kërkojnë shenjtërim. Nuk dihet më kufiri i asgjëje, por e sigurt është se asgjëja është shumëçkaja që na ka kapluar trupin dhe shpirtin…

Share: