Home KRYESORE Tërmeti, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Tërmeti, Rama shpall gjendjen e jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës

Kryeministri Edi Rama ka njoftuar sot shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme në Tiranë dhe Durrës. Kreu i qeverisë ka mbledhur sot në mëngjes në një mbledhje urgjente Këshillin e Ministrave.

“Dua ti them të gjithëve që e kanë bërë të vetën këtë tezë pafajësish se çfarë është në të vërtetë gjendja e jashtëzakonshme dhe pa na dhënë kohën të bëjmë gjërat me radhë. Dje nuk ka qenë momenti për këtë. Dje faktikisht ne kemi pasur komunikim me njëri-tjetrin, por vetëm në rrugë digjitale sepse të gjithë kemi qenë në pikë të frontit. Ne sot do të shpallim gjendje e jashtëzakonshme bazuar në kushtetutën dhe legjislacionin përkatës. Ashtu si kushtetuta dhe legjislacioni e shpjegojnë dhe duke nisur nga natyre e problematikës dhe situatës do të jetë një gjendje e jashtëzakonshme në perimetrin e dy rajoneve ku plagët janë më të hapura në Durrës dhe Tiranës. Gjendja e jashtëzakonshme nuk është thjesht çështje financash, por është një seri masash. Nuk e  di a janë të gatshëm ata që e predikonin për tiu nënshtruar këtyre masave. Kjo ka qenë arsye që ne kemi reflektuar, sepse gjendja e jashtëzakonshme përkon me marrjen ose krijimin e një niveli të ri të qeverisjes së situatës për një periudhë 30 ditore.”, tha Rama.

Ai bëri edhe një bilanc të tërmetit tragjik ëq goditi ditën e djeshme Shqipërinë si dhe falenderoi të gjithë ata që morën pjesë në vijën e parë të frontit të shpëtimit të personave të zënë nën rrënoja.

“24 të vdekur, 657 të lënduar, deri tani 45 jetë të shpëtuar. Tërmeti sfidues për shoqërinë tonë, për shtetin tonë, qeverinë tonë dhe në tërësi për kombin tonë. Pa asnjë ekzagjerim më duhet të nënvizoj qysh në fillim reagimin e menjëhershëm dhe domethënës të të gjithë këshillit të ministrave dhe po ashtu të trupave të emergjencave civile, të policisë së Shtetit, të forcave të Armatosura dhe Urgjencës Kombëtare. Ka qenë një ndër momentet më të errëta të jetës sonë. Mund të thuhet me plot gojën se nga të gjithë njerëzit nën uniformë të shtetit shqiptar është bërë një punë heroike. Dua të shpreh mirënjohjen dhe respektin dhe falënderimin të gjithë trupave të angazhuara në vijën e parë të frontit të kësaj përballjeje me një fatkeqësi të përmasave të jashtëzakonshme që nga ata të cilët rrezikuan jetën e tyre duke shpëtuar jetë të mbetura pezull në fije të perit deri tek ata që pritën dhe trajtuan gjithë infrastrukturën e ngritur të shërbimit shëndetësor me qindra të plagosur”, tha Rama.

Kryeministri shtoi se prioriteti i kësaj dite mbetet shpëtimi i jetëve dhe dhënia e ndihmës për ata që kanë nevojë. /Opinion.al

Share: