Publicisti Fatos Lubonja thotë se e tërë bllokada që po bëhet për postin e Presidentit në negociatat mes LDK-së dhe VV-së ka për qëllim ta pengojë projektin e Albin Kurtit, i cili është “shpallur për të rimëkëmbur Kosovën”.
“Kam shumë frikë se ajo nuk është një çështje teknike dhe as mosmarrëveshje për presidentin, por rezistencë e kastës së korruptuar politiko-ekonomike që e ka sunduar deri më sot Kosovën ndaj projektit shqetësues – për të mos edhe kërcënues – që e ka shpalosur Vetëvendosja”, ka vlerësuar Lubonja në një përgjigje me shkrim për Gazetën Express.
Lëvizja Vetëvendosje dhe LDK-ja kanë dështuar deri tani të arrijnë një marrëveshje për bashkëqeverisje për shkak se Isa Mustafa po e do edhe pozitën e Presidentit. Albin Kurti ka thënë se për Shefin e Shtetit duhet të bisedohet më vonë, kur edhe të përfundojë mandati i Hashim Thaçit. Sidoqoftë, Fatos Lubonja e ka një shpjegim pse partia e themeluar nga Ibrahim Rugova po këmbëngul që ta marrë edhe pozitën e kreut të shtetit të Kosovës.
“Në këtë kontekst, kam frikë se ngulmimi i LDK-së për të marrë aq shumë poste si dhe për ta diktuar Presidentin nuk është çështje oreksesh individuale, por pjesë e kësaj strategjie. E një strategjie, pra, që synon ta shtrojë “Vetëvendosjen”, t’ia presë thonjtë asaj dhe, tek e fundit, ta pengojë në realizojë projektin e shpallur”, – ka thënë Lubonja.
Por, a është zgjidhje të shkohet në zgjedhje para se të arrihet një kompromis? Analisti thotë se votimet e reja e dëmtojnë Kosovën dhe prodhojnë një situatë të njëjtë.
“Gjykoj se shkuarja në zgjedhje, edhe pse mund t’i japë vota më shumë, do ta linte atë prapë në të njëjtën gjendje, madje edhe më keq, sepse do ta linte në armiqësi edhe me LDK’në, çka do të ishte diçka e keqe për Kosovën në përgjithësi”, – ka shtuar ai.
Lubonja kërkon që të bëhet një kompromis ndërmjet LDK-së e VV-së për një President mbipartiak, i cili nuk do të ishte nën komandën e një partie të caktuar.
“Sipas meje, duhet një kompromis që mund të arrihej me zgjedhjen (apo rënien dakord për zgjedhjen në kohën e duhur) të një figure për president që do të jepte garanci të mjaftueshme se nuk do ta bënte lojën e njërës apo tjetrës parti, por që do të vinte ligjin, Kushtetutën, mbi partitë”.
Deri tani kanë kaluar 25 ditë prej se janë certifikuar zgjedhjet, ndërsa më shumë se dy muaj e gjysmë prej që janë mbajtur zgjedhjet. Lubonja thotë se u ngutën kur dhanë vlerësime për zgjedhjet në Kosovë për faktin se vonesat në krijimin e institucioneve e kanë zbehur 6 tetorin.
“E para gjë që dua të them është se ne në Shqipëri më duket se treguam një entuziazëm të parakohshëm kur i vlerësuam zgjedhjet në Kosovë si tregues të një emancipimi shumë më të madh të klasës politike kosovare në krahasim me atë tonën. Nevojën e ridimensionit të këtij entuziazmi po e bën gjithnjë e më të qartë vonesa e jashtëzakonshme në krijmin e qeverisë”, – ka shtuar ai.
Lëvizja “Vetëvendosje” ka fituar vetëm 29 deputetë, ndërsa LDK-ja një deputet më pak. Fatos Lubonja thotë se VV-ja s’duhet ta injorojë fuqinë jo të madhe politike që e ka në skenën politike kosovare dhe premtimet për luftimin e korrupsionit.
“Nga ana tjetër, “Vetëvendosja” nuk mund ta injorojë faktin se nuk ka mbështetje të mjaftueshme për ta realizuar projektin e saj, se i duhet të bëjë kompromise. Problemi për të është se deri në ç’pikë mund të bëjë kompromise pa u bërë pjesë e sistemit të korruptuar, që ka premtuar ta ndryshojë”.
Lubonja thotë se në Shqipëri është krijuar ambient i keq, ku njerëzit normalë dhe me dinjitet nuk do të pranonin të ishin në krye të një shteti të kapur. Ai shpreson se “Vetëvendosje” nuk do të lejojë të degradojë edhe në Kosovë pozita e Presidentit, duke e gjetur një njeri të dinjitetshëm për ta zënë vendin që dikur e kanë mbajtur Ibrahim Rugova, Fatmir Sejdiu, Atifete Jahjaga e së fundi aty ku është Hashim Thaçi.
“Ndoshta gabohem ose uroj të gabohem, por them se Kosova, duke qenë se ka një parti politike fituese si Vetëvendosja, që nuk ka qenë asnjëherë në pushtet, ka shansin të mos arrijë në këtë pikë, por të marrë një drejtim tjetër, që do t’i bënte njerëzit e ndershëm dhe me dinjitet të ndihen gjithnjë e më mirë në vendin e tyre dhe jo gjithnjë e më keq. Kompromisi për të zgjedhur një president të tillë do të ishte një hap i rëndësishëm në këtë drejtim”, tha Lubonja.
Ai ka thënë se nëse dështon skenari për një president mbipartiak, atëherë përsëritet skenari i udhëheqjes së shtetit nga bandat.
“Përndryshe, përgatituni për skenarin shqiptar të qeverisjes së vendit nga një bandë e vetme, në krye të një ekonomie gjithnjë e më kriminale, që po i bën njerëzit e ndershëm të ikin nga sytë këmbët”, –ka thënë Lubonja për Gazetën Express.