Home KRYESORE Edhe OSBE dërgon paketën anti-shpifje në Komisionin e Venecias

Edhe OSBE dërgon paketën anti-shpifje në Komisionin e Venecias

OSBE-ja ka dërguar paketën anti-shpifje pas Këshillit të Evropës në Komisionin e Venecias. Këtë fakt e ka pohuar përmes një statusi në Twitter, Përfaqësuesi i OSBE-së për liri të mediave, Harlem Désir.

“Dërgova në Komisionin e Venecias projektligjet për Median Audiovizuale dhe Komunikimet Elektronike, pasi Parlamenti shtyu votimin javën e kaluar. Kjo është një mundësi e rëndësishme për të bërë përmirësime të mëtejshme para një votimi të ri të Parlamentit”, -ka bërë të ditur ai.

Parlamenti në Tiranë shtyu për 2 muaj shqyrtimin e një dekreti të Presidentit Meta për të ridiskutuar ndryshimet në projekt-ligjin mbi mediat audio-vizive, pasi të shprehet për të Komisioni i Venecias.

Ndryshimet në këtë ligj janë pjesë e amendamenteve të së ashtu-quajturës paketa anti-shpifje aq shumë të kundërshtuar nga organizatat e vendase dhe ndërkombëtare të gazetarëve si përpjekje për censurë, sipas tyre, por sipas qeverisë, një përpjekje për të frenuar lajmet e rreme. Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Socialiste, Taulant Balla, tha se Komisioni i Venecias pranoi kërkesën e tyre për t’u shprehur mbi ligjin e mediave audio-vizive në fund të marsit.

Dhjetëra gazetarë, përfaqësues të organizatave të medias dhe të shoqërisë civile protestuan kundër së ashtuquajturës “paketë antishpifje”, duke deklaruar se qeveria po ngre institucione censure dhe po mundohet të godasë fjalën e lirë. Por socialistët pohuan se po mundohen të rregullojnë tregun e mediave online dhe të shmangin lajmet e rreme.

Organizatat shqiptare të shtypit thonë se po kërkojnë standarte europiane dhe ndërkombëtare të lirisë së shprehjes, të cilat qeveria po i shkel me ligjet e sotme duke sjellë censurë dhe autocensurë, ndaj zgjidhja e këtij konflikti të shtypit me qeverinë është rrëzimi i ligjeve ntë ashtuquajtura për anti-shpifjen dhe vetërregullimi i komunitetit të medias./ Opinion.al

Share: