Home KRYESORE Ti ‘Je njësh’, ‘Yll të kam’, ‘Ti je bota’ etj…

Ti ‘Je njësh’, ‘Yll të kam’, ‘Ti je bota’ etj…

Nga cikli ‘Dritëhijet e racionales’! Nga Çapajev Gjokutaj

Të mburresh, të vlerësosh veten, të besosh te vetja. Natyrisht që në parim, janë tri gjëra të ndryshme por, kur vjen puna t’i zbatosh në jetë, kufinjtë mes tyre janë lehtësisht të kapërcyeshëm. Mund të synosh njerën, por të bësh tjetrën. Për më tepër se behet fjalë për për një proces thellësisht subjektiv: raportet me vetveten.

Vetëm se rreziku i kalimit të kufijve nuk peshon njëlloj. Theksohet herë nevoja e besimit tek vetja e herë stigmatizimi i mburrjes dhe i mburravecëve.

Ne që tani jetojmë moshën e tretë psh, kur i kishim femijët të vegjël prireshim t’i edukonim me motot: krahas shokëve, vetëm kalliri bosh del mbi të tjerët, delen e vetmuar e ha ujku etj.

Prindërit e sotëm përgjithësisht kanë qasje tjetër, madje krejt të kundërt. Fëmija rritet e nxitet me shprehje të tipit ‘Je njësh’, ‘Yll të kam’, ‘Ti je bota’ etj.

Dhe s’di të them ku gjenden rrënjët e këtij ndryshimi. Është bërë mburrja më pak e dëmshme dhe rrjedhimisht më e pranueshme? Kane ndryshuar ideologjitë nga i nxjerrim modelet? Apo ka ndryshuar konteksti, dmth koha që jetojmë kërkon njerëz më ambiciozë, me besim në vete dhe të aftë t’ia dalin mbanë në një botë me konkurencë të egër, në një shoqëri ku fisin, klanin, autoritetin e zëvendëson kredia, banka, tregu?

Gjithsesi mbase të gjithë, të rinj e të moshuar, s’humbasim gjë nëse në nje cep të mendjes mbajmë edhe teneqen bosh që zhurmon, edhe kallirin plot që ul kryet, edhe atë thenien e John Steinbeck: sa me pak arritje të kesh, aq më shumë të pëlqen të dukesh.

( Nga cikli ‘Dritëhijet e racionales’ )

Share: