Home Ja Pse Shqiperia nuk behet si Zvicera “Zgjedhorja”/ Përfaqësuesit flasin pas takimit por asgjë nuk i bën bashkë

“Zgjedhorja”/ Përfaqësuesit flasin pas takimit por asgjë nuk i bën bashkë

Përfaqësuesit e partive politike dhe ekspertët ligjore janë mbledhur sot në takimin e radhës për Reformën Zgjedhore.

Të pranishmit ndër të tjera kanë shqyrtuar dhe diskutuar rreth propozimit të Partisë Demokratike për financimin e partive politike.

Në një prononcim për mediat pas takimit, bashkëkryetarja e Komisionit për reformën, Rudina Hajdari iu kthye edhe njëherë çështjes së ndryshimit të sistemit zgjedhor. Ajo shigjetoi presidentin Meta për tubimin e tij të djeshëm dhe tha se duhen ndërmarrë hapa konkretë.

“Unë dua të vazhdoj të theksoj se vendosmëria ime dhe e opozitës parlamentare vazhdon. Sugjeroj fort që edhe partitë e tjera politike ta marrin seriozisht këtë iniciativë se nëse do flasim sot për të shprehur vullnetin tonë politik për të shprehur vullnetin e qytetarëve, duhet të bazohemi te neni 2 i Kushtetutës. Nëse do vazhdojmë me këtë lloj retorike nuk mjafton që të dalim nëpër sheshe dhe të ulërasim, por të bëjmë hapa konkretë që kanë të bëjnë me hapjen e listave. Deformimi që ka ndodhur në marrëveshjen e 2008 ka favorizuar dy partitë kryesore. Ne duhet të vazhdojmë përpara dhe ti themi shqiptarëve se jemi këtu për ta”, tha Hajdari.

Përfaqësuesi i Partisë Demokratike, Oerd Bylykbashi theksoi se ata do ti qëndrojnë fortë propozimit të tyre pasi kjo do të garantojë standarde ndërkombëtare. Ai komentoi gjithashtu deklaratën e kryeministrit Rama i cili i kërkoi partisë së tij në Kongres 800 mijë vota zgjedhjet e ardhshme.

“Duhet një zgjidhje që garanton që jo vetëm financimi të jetë si duhet por edhe transparencë, do i qëndrojmë maksimalisht. Propozimi bën një reduktim drastik të financimit që merret nga burimet private duke e çuar në standarde ndërkombëtare, 66% nga shteti dhe 34% nga shteti duke vendosur kufizime të forta për financuesit. Ata që kanë marrë nga taksat e shqiptarëve nga kontratat publike,PPP nuk mund të financojnë dhe kush financon nuk mund të marrë tendera apo koncesione nga shteti për të shkëputur kapjen zgjedhjeve dhe partive nga oligarkia.

Rrisim kontrollin e partive, që shpenzojnë shifrat marramendëse dhe më pas tallen. Me urdhrin për të fituar 800 mijë vota dhe për të transferuara zgjedhësit fantazmë në karabina të papërfunduara apo lulishte vetëm që kandidatët që kërkon PS-ja të jenë ato që të fitojnë. Qeveria nuk ka asnjë masë që zgjedhësit të votojnë ku kanë vendbanimet dhe ti pajisë me ID për zgjedhjet, shumë u kanë skaduar dhe në pamundësi ekonomike do të pengohen nga pagesa e papërballueshme për ata. Në 2009 bëmë subvencionim të çmimit sot i është lënë selektivitetit politik” tha ai.

Nga ana tjetër bashkëkryetari i Komisionit dhe përfaqësuesi i mazhorancës, Damian Gjiknuri tha se ndryshimet në ligjin zgjedhor mund të votohen edhe në prill pasi deri më 15 mars ai tha se ishte e rëndësishme të përfundonte drafti. Ai gjithashtu shtoi se ka kohë deri në zgjedhjet e 2021 duke lënë të kuptohet se mazhoranca nuk ka ndërmend të shkojë në zgjedhje të parakohshme.

“Ka akoma shumë cështje të pazgjidhura, por mos e shikoni 15 masin si datë që të kemi të gjithë draftin. Duhet të kemi një dakordësi për të gjitha cështjet, procedura e tekstit dhe aprovimi mund të marrë edhe një muaj, por në 15 mars të kemi dakordësi për cështjet dhe më pas ekspertët të zbardhin draftet. Nëse kemi një marrëveshje për të gjitha cështjet është sukses i arritur. Marrëveshja ka rëndësi më pas gjithcka është zbardhje, në Kuvend mund ta aprvojmë edh enë prill kemi kohë edh enjë vit për zgjedhjet e radhës, koha është e mjaftueshme” tha ai.

I pyetur si e gjykon propozimin e PD-së për një financim 66% nga shteti ai tha se “Duket si shumë, pasi mbase mund të gjendet një sistem më i pranueshëm i balancuar mes kontributit shtetëror dhe atij privat. Janë futur elementë të rinj garanci, monitorim më i imët, nga palët e treta, kufiri 50 mijë lekë që të bëhet përmes llogarive bankare. Besoj se do të gjejmë një zgjidhje“.

Lidhur me akuzat e PD-së për listat, ai tha se “Këto janë konsiderata politike, kapacitetet aplikuese janë më të mëdha, 170 personal angazhuar për aplikim për kartë. U kërkua nga PD-ja një shifër, që do të vijë zyrtarisht, sa zgjedhës janë pa dokument, nëse është shifër e madhe pse jo nxitje edhe me mënyrat e para që të pajisjen. Nuk ka më dublime në lista, ka një sistem më të mirë të adresave. Asnjë njeri nuk mund të votojë dy herë në Shqipëri. Është shqetësim politik, se në regjistrin e gjendjes civile punojnë të njëjët njerëz që kanë qenë”. /Opinion.al

Share: