Home KRYESORE “S’ta jap dorën se vjen nga Italia”, Rama takon arkitektin e flet...

“S’ta jap dorën se vjen nga Italia”, Rama takon arkitektin e flet për koronavirusin: Nuk dhashë shembull pedagogjik

Kryeministri Edi Rama nga Shijaku, në prezantimin e planit të rindërtimit, për banesat e shkatërruara pas tërmetit tragjik të 26 nëntorit, është ndalur në nisje të fjalës te situata më e fundit me koronavirusin.

Teksa ka falënderuar gjithë ata që po merren me projektin e rindërtimit në këtë zonë, Rama ka ftuar në podium një arkitekt italian, Francescon, me të cilin ka bërë edhe disa batuta.

“S’po i jap dorën se ky vjen nga Italia dhe dihet, por lere..”- tha Rama, të cilit më pas i jep dorën dhe e takon.

Me tej bën edhe disa sqarime lidhur me situatën në vendin tonë, ndërkohë që koronavirusi po shënon viktima cdo ditë në vendet e tjera.

“Mbase nuk dhashë shembull pedagogjik me dhënien e dorës, por jam jo fort i lumtur me këtë bombardim lajmesh për koronavirusin që sigurisht është një problem patjetër, përbën shqetësim të madh për ne, gjithë botën, vende e fuqira shumë të mëdha po ndeshen e kanë vështirësi shumë të mëdha, por ajo që është e sigurt që krahas me epideminë që ka të panjohurat e veta ka një epidemi të lajmeve të rreme, komenteve pa asnjë bazë shkencore që rrit shumë panikun, ankthin e pasigurinë te njerëzit dhe kjo sipas porosive që jep OBSH nuk ndihmon, por pengon shumë”- tha Rama.

Sipas tij, “Sigurisht të jemi të kujdesshëm, racionalë në të gjitha kontaktet, dhënia e dorës nuk ishte shumë pedagogjike se nuk është as trimëri as karshillëk, por siguri për shëndetin e të gjithëve dhe të jemi të kujdesshëm, të ndjekim burimet zyrtare”.

Ai ka theksuar se deri sot nuk kemi rast në Shqipëri, duke akuzuar burimet e asaj që ai i ka cilësuar infodemi, që përhapin bashkë me lajmet e rreme, edhe panik ndër njerëz.

“ Se ka në burimet e infodemisë gjëra që janë kërcënuese për psikologjinë, por ka në Shqipëri që me qëllim duan të përhapin panik, shpresojnë të bëhet rrëmujë, urojnë që njerëzit të humbasin arsyen e të dalin rrugëve e pastaj të dali ku të dali, e dini shumë mirë kush i ushqen, e pse i ushqen, thonë se ka ardhur, e kemi fshehur etj, është e pamundur të ndodhë se jemi pjesë e rrjetit të koordinuar me OBSH, mos ardhtë kurrë por i kemi bërë përgatitjet, nëse vjen do e përballojmë”- tha Rama.

360grade.al

Share: