Home Gjeo-Ekonomia Pse nuk bashkohen Kina dhe Amerika kundër koronavirusit?

Pse nuk bashkohen Kina dhe Amerika kundër koronavirusit?

Bashkimi Sovjetik dhe SHBA dikur punuan së bashku për të zhvilluar një vaksinë kundër poliomielitit. Sot, Amerika ka më shumë synim të shkatërrojë konkurrencën kineze sesa të punojë me Kinën për të shmangur depresionin botëror ekonomik.

Dy ekonomitë më të mëdha në botë, Kina dhe Shtetet e Bashkuara, duhet të lënë mënjanë rivalitetet kombëtare, në mes të pandemisë globale Covid-19. Situata është aq e vështirë sa Fondi Monetar Ndërkombëtar parashikon “rezultatin më të keq ekonomik” që nga Depresioni i Madh.

Pekini dhe Uashingtoni duhet të punojnë së bashku, por a janë ata të gatshëm?

Depresioni i Madh i viteve 1930 duhet të jetë një shembull i asaj që ndodh kur vendet nuk arrijnë të bashkëpunojnë me njëri tjetrin. Vendet kërkonin të fitonin përparësi kombëtare, duke vendosur taksa për importet, siç ishte Akti i Tarifave Smoot-Hawley i SHBA-së, në vitin 1930, akt i cili nxiti masa hakmarrëse nga vendet e tjera.

Sigurisht, është e vështirë të pritet që rivalitetet të zhduken gjatë një pandemie, por çështje të tilla mund të lihen mënjanë për disa kohë. Edhe në kulmin e Luftës së Ftohtë, Bashkimi Sovjetik dhe Sh.B.A kuptuan se ishte në interesin e tyre ekonomik dhe shëndetësor të punonin së bashku për të zhvilluar një vaksinë kundër poliomielitit në vitet 1950 dhe sëmundjes së lisë në vitet 1960-1970.

Për çështjen e luftimit të Covid-19, Tedros Adhanom Ghebreyesus, drejtori i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Shëndetit, tashmë ka bërë publik mendimin e tij se Kina dhe SHBA, duhet “të bashkohen dhe të luftojnë këtë armik të rrezikshëm. Kur ka përçarje në nivel kombëtar dhe global, virusi fiton betejën’’.

Por bashkëpunimi Kinë-SHBA është gjithashtu i nevojshëm në sferën ekonomike. Ekonomia e parë që u godit nga koronavirusi është Kina, ajo do të jetë gjithashtu e para që do të rikuperohet, por perspektivat ekonomike kineze do të jenë më pozitive, nëse ekonomia botërore forcohet.

Të dhënat e publikuara të premten e kaluar, tregojnë se çmimet e disa produkteve kineze, ranë me një ritëm më të shpejtë në mars. Është e qartë se pandemia vazhdon të pengojë prodhuesit kinezë. Përhapja e vazhdueshme e koronavirusit në të gjithë botën dhe dëmtimi i aktivitetit ekonomik global, i shkaktuar nga izolimet, mbylljet dhe përpjekjet e tjera për kontrollimin e virusit, nuk do të ndihmojnë situatën.

Nuk është sekret që Kina dhe SHBA kanë pasur dallime thelbësore në lidhje me çështjet e mbrojtjes së pronësisë intelektuale. Prandaj nuk është për t’u habitur që muajin e kaluar, mbështetja e SHBA.-së ishte thelbësore në emërimin e Daren Tang Heng Shim, nga Singaporti, si drejtor i përgjithshëm i Organizatës Botërore të Pronës Intelektuale (Wipo), të Kombeve të Bashkuara. Tang kishte kundërshtar, kandidatin Wang Binying nga Kina./Opinion.al

Share: