Home KRYESORE Shqiptarëve nuk u mjaftonin fatkeqësitë natyrore, por edhe ato kryeministrore kishin mangut.

Shqiptarëve nuk u mjaftonin fatkeqësitë natyrore, por edhe ato kryeministrore kishin mangut.

Nga Nardi Olli

Tashmë gjithçka ndodh në vendin tonë, po bëhet edhe më e qartë. Shqiptarëve nuk u mjaftonin fatkeqësitë natyrore, por edhe ato kryeministrore kishin mangut. Projekti i Ramës për zgjatjen e gjendjes së jashtëzakonshme për tre muaj jo vetëm nuk është realist, por duket që është edhe dashakeq. Kjo për faktin se kryeministri edhe pa këtë situatë ka akumuluar pushtet të pakufishëm, ndërkohë që gjendja e jashtëzakonshme ja justifikon edhe ligjërisht këtë pushtet.

Gjatë përmbytjeve të viteve të mëparshme, edhe pse situata ishte shumë e rënduar, kokëfortësisht refuzoi shpalljen e gjendjes së jashtëzakonshme edhe në nivel rajonal, ndërkohë që sot turravrap kërkon të zgjasë këtë situatë deri në fundqershor. Që të kërkosh diçka të tillë do të thotë që situata në vend është shumë e rëndë, kaq e rëndë sa duhen edhe dy muaj të tjerë për të garantuar shëndetin publik të shqiptarëve. Por ky interpretim rrëzon vetë qeverinë, e cila me gojën e vet kryeministrit pohon se situata është nën kontroll dhe kjo është shoqëruar edhe masa lehtësuese, si në kuadrin e hapjes së një numri më të madh biznesesh apo lehtësira në qarkullimin e këmbësorëve dhe pjesërisht të automjeteve.

Atëherë përse ky qëndrim kaq kontradiktor me realitetin?! Si nga pikëpamja numerike e të infektuarve, të shëruarve apo personave që kanë humbur jetën gjendja rezulton jo thjesht normale, po madje optimale krahasimisht me vendet e tjera. Por edhe situata në vendet e tjera europiane nuk ka ndonjë shenjë se pandemia po rrezikon jetë, por përkundrazi është në kurbë rënëse.

Madje, Greqia, Gjermania, Kroacia edhe vetë Italia me Francën po bëjnë gati planin e hapjes e kthimit në normalitet e askund nuk flitet për zgjatje të masave të jashtëzakonshme! Atëherë për se ky qëndrim i Ramës. Ndoshta gabohem, por arsyet nuk duken se lidhen me situatën e pandemisë, por me arsye subjektive që lidhen me ushtrimin e pushtetit absolut në kushtet e kufizimit apo ndalimit të drejtave kushtetuese, të cilat në një farë mënyre, i justifikon ekzistenca e gjendjes së jashtëzakonshme.

Represioni ndaj mediave apo qëndrimeve kritike justifikohet ligjërisht, ndërkohë që i japin atij mundësinë të shmangë debate të mëdha publike, duke filluar që nga masat fillestare të përballimit të një pandemie, skandalet pa fund me tenderimit në këtë periudhë, skandalin e ndryshimit të Kodit Penal apo kalimin e ligjeve shumë të diskutuar si ai i amnistisë fiskale, rishikimit të buxhetit të shtetit etj.

Nëse realisht do kishte shqetësim me situatën gjendje e jashtëzakonshme mund të shtyhej edhe vetëm me një muaj e në varësi të situatës mund të shiheshin edhe opsionet për të vijuar ose ndaluar. Por jo! Rama ka nevojë për më shumë kohë për të larguar vëmendjen nga keqdrejtimi e keqmenaxhimi në thelb i situatës. I duhet t’ këtë jo të justifikuara mjetet për realizimin e qëllimeve të veta, por një shkallë më lart, do t’ i shenjtërojë ato.

Ndërkohë si baba i vetëshpallur i kombit, tallet me ne e na tregon se kur duhet të dalim e si duhet të dalim. E nëse, nuk sillemi mirë babai i rreptë rifillon ndëshkimet. Në fakt pranoja e të besuarit se është baba i kombit nuk është vetëm truk mediatik, por psikologjik. Pamja që i ka dhënë vetes si Ismail Qemali dhe daljet mediatike ku pas shpine duket portreti i Ismail Qemalit, duke u rrekur të tregojë edhe ngjashmërinë fizike janë fakte konkrete se ka filluar ta besojë vërtet diçka të tillë, siç do qasje autokratike apo diktatoriale.

Tejzgjatja e kësaj situate të rëndë nuk do të ketë pasoja vetëm në rrafsh ekonomik, por do të këtë pasoja të rënda edhe në rrafshin social e psikologjik për çdo familje dhe individ. Deri më tani, Shqipëria ka përdorur metodat më ekstreme dhe të frikshme të kufizimit, disa prej të cilave bien ndesh me Kushtetutën dhe të drejtat themelore të njeriut, kufizime, të cilat e theksoj nuk ka guxuar kush t’ i zbatojë në asnjë vend tjetër demokratik. Vijimi me masa ekstreme do të ketë pasoja të paimagjinueshme për të ardhmen e afërt dhe atë të largët të Shqipërisë.

Në emër të frikës nga armiku i padukshëm, po vritet pa mëshirë shpresa dhe jetët tona në vijimësi.

Share: