Nga Azem Parllaku
Së fundmi një film me metrazh të shkurtër, i cili hyri në listën e kandidatëve për Çmimin Oscar, i mbajti shqiptarët të mbërthyer përballë ekraneve të cilët si asnjëherë tjetër ndoqën natën vjetore të ndarjes së çmimeve të Akademisë.
Realizuesit e SHOK-ut, tashmë kanë hyrë në histori. Filmi solli në kujtesën tonë kolektive, ngjarjet e luftës në Kosovë, ku protagonistë ishin dy djem të vegjël.
Ndërsa, për këtë film me të drejtë do të flitet gjatë, nëpërmendje duhet të na vijnë edhe momente tjera emocionuese kur fëmijët e luftës në Kosovë dhe historitë e tyre, u bënë shumë prekëse.
Kështu, ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Bill Klinton në Mars të vitit 1999, në një takim me gazetarët tha:” Sot nuk duhet të harrojmë guximin e popullit kosovar, i cili vazhdon të ndeshet me dhunën dhe brutalitetin.
Shumë amerikanë e kanë dëgjuar tani historinë e një vajze kosovare, e cila është përpjekur të qëndrojë në kontakt me një shoqen e saj në Amerikë, nëpërmjet postës elektronike, ndërsa forcat e ushtrisë serbe sulmuan fshatin e vajzës.
Para pak ditësh ajo shkruante:
-Tani nga ballkoni im shikoj, njerez që vrapojnë me valixhe në duar dhe dëgjoj të shtëna armësh.
-Fshati është i rrethuar.
-Përderisa të kem rrymë elektrike do të vazhdoj të shkruaj dhe të përpiqem të qëndroj e qetë, ndërkohë që, shpresoj të mos ndërpriten ëndërrat e vëllait tim të vogël që, po fle”.
Më tej ky Mik i madh i shqiptarëve do t’i drejtohej popullit amerikan me këto fjalë:
“Nuk mund të rrimë e bëjmë sehir se si qindra mijëra njerëz trajtohen barbarisht, vriten, përdhunohen, dëbohen me forcë nga shtëpitë e tyre, se si u shuhen historitë e familjeve të tyre, por ne do t’u kthejmë të drejtat shqiptarëve”.
“Mendoni për një çast se si do të ndjeheshit ju, po të ishit pjesë e atij populli, që kanë jetuar në paqe, në një vend që duan të përdorin gjuhën e tyre, por që u vajtën në shtëpitë e tyre dhe u thanë:
Mblidhni plackat dhe ikni!
Do t’ju djegim çdo dokument të pronave dhe identitetit tuaj, dhe nëse burri ose djali juaj do të ishte në një moshë për shërbim ushtarak, ta hiqnin mënjanë e ta vrisnin.
Dhe e gjithë kjo sepse ju keni një fe dhe një kulturë tjetër etnike.
A do ta donim këtë ne për fëmijët tanë në shekullin e 21-të?”
Me këto fjalë i’u drejtua ushtarakëve Komandanti i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të SHBA-së, në Bazën Detare të Norfolkut në Virxhinia 1999.
Në vitin 1999 e gjithë Bota, ishte solidarizuar me shqiptarët e Kosovës.
Grupi muzikor “Kelly Family” atëkohë bëri këngën “Children of Kosovo”, këngë e cila pushtoi shumicën e ekraneve të kanaleve muzikore pas bombardimeve të Serbisë.
Kjo këngë u shndërrua një hit në shumë vende, sidomos në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nga vjen edhe grupi.
Por, çuditërisht Kosova ende deri sot, nuk është kujtuar të ftoj për një koncert këtë grup, edhe pse fama e tij është më e madhe në Europë se në SHBA.
Këngëtari i njohur amerikan Majkëll Xhekson i cili vdiq me 25 Qershor 2009 shkruajti një këngë të titulluar “What more can I give” (Cfarë mund të jap më tepër) të cilën së bashku me albumin e tij të fundit ia kushtoi dramës së popullit kosovar. Midis të tjerave ai shprehet “Dëshiroj të shkoj atje, dhe të përqafoj të gjithë këta fëmijë. Imazhet e tyre janë tmerrësisht rrënqethëse”.