Home KRYESORE Gjykata Kushtetuese vendos pro dekretit të presidentit, pritet formimi i qeverisë së...

Gjykata Kushtetuese vendos pro dekretit të presidentit, pritet formimi i qeverisë së re

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ka vendosur me votë unanime që vendi nuk shkon në zgjedhje pas mocionit të mosbesimit, por hapet rruga për krijimin e qeverisë së re. Gjykatësit kanë marrë vendim edhe sa i përket afatit që ka mandatari për krijimin e qeverisë, por pro kësaj kanë votuar 7 gjykatës, 2 kanë dalë kundër.

Presidenti Thaçi mandatoi më 30 prill Avdullah Hotin nga Lidhja Demokratike e Kosovës për të formuar një qeveri të re dhe Lëvizja Vetëvendosje kërkoi nga Gjykata Kushtetuese që të vlerësojë kushtetutshmërinë e veprimit të presidentit.

Të gjitha partitë politike përveç Vetëvendosjes kanë kërkuar formimin e një qeverie të re ndërsa kanë theksuar se do të pranojnë çdo vendim të Gjykatës Kushtetuese.

Lëvizja Vetëvendosje ndërkaq kërkon që vendi të shkojë në zgjedhje, ndërsa kryetari i saj, Albin Kurti, ka thënë se kjo parti do ta respektojë vendimin e Gjykatës Kushtetuese, përderisa një gjë e tillë do të jetë interpretim i Kushtetutës.

Para vendimit të Kushtetueses, veprimtarë të VV’së organizuan të enjten pasdite në sheshet qendrore të Prishtinë një, siç thanë ata, provë proteste, duke kërkuar zgjedhje të reja.

Rivalët politikë thanë se protesta është trysni mbi gjykatën, por kjo u hodh poshtë nga Vetëvendosje.

Më poshtë mund të lexoni vendimin e Gjykates Kushtetuese

Vendimet nga seanca shqyrtuese e mbajtur më 28 maj 2020

28.05.2020

Në seancën shqyrtuese të mbajtur më 28 maj 2020, Gjykata Kushtetuese e Republikës së Kosovës shqyrtoi dhe vendosi për kërkesën: 1. KO 72/20. Më poshtë mund të lexoni përmbledhjen e aktgjykimit të Gjykatës (teksti i plotë i aktgjykimit do t’u dorëzohet palëve, do të publikohet në ueb-faqen e Gjykatës dhe në Gazetën Zyrtare gjatë ditëve në vijim):

1. Aktgjykim
Lënda: KO 72/20
Parashtrues: Rexhep Selimi dhe 29 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës

Objekti i çështjes së kërkesës ishte vlerësimi i kushtetutshmërisë së Dekretit të Presidentit të Republikës së Kosovës, nr. 24/2020, i datës 30 prill 2020, me të cilin  z. Avdullah Hoti, iu propozua Kuvendit të Republikës së Kosovës si kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës. Parashtruesit e kërkesës pretendonin se Dekreti nuk është në pajtueshmëri me paragrafin 1 të nenit 4 [Forma e qeverisjes dhe ndarja e pushtetit], paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit], paragrafin 14 të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit], si dhe me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës së Republikës së Kosovës.
Kërkesa bazohej në nenin 113, paragrafi 2, nën-paragrafi 1 [Juridiksioni dhe palët e autorizuara] të Kushtetutës, në nenin 29 [Saktësimi i kërkesës] të Ligjit nr. 03/L-121 për Gjykatën Kushtetuese, si dhe në rregullat 32 [Parashtrimi i kërkesave dhe përgjigjeve] dhe 67 [Kërkesa në pajtim me nenin 113.2 (1) dhe (2) të Kushtetutës dhe neneve 29 dhe 30 të Ligjit] të Rregullores së punës së Gjykatës Kushtetuese.

Përfundime

1. Në vlerësimin e Dekretit [nr. 24/2020] të 30 prillit 2020 të Presidentit të Republikës së Kosovës, përmes së cilit “Z. Avdullah Hoti, i propozohet Kuvendit të Republikës së Kosovës kandidat për Kryeministër për të formuar Qeverinë e Republikës së Kosovës”, Gjykata, vendosi: (i) njëzëri që kërkesa e parashtrueseve të kërkesës është e pranueshme; (ii) njëzëri që Dekreti i kontestuar i Presidentit është në përputhshmëri me paragrafin 2 të nenit 82 [Shpërndarja e Kuvendit] të Kushtetutës, duke konstatuar rrjedhimisht, që votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi të Kuvendit ndaj Qeverisë, nuk rezulton në shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit dhe mundëson formimin e një Qeverie të re në pajtim me nenin 95 [Zgjedhja e Qeverisë] të Kushtetutës; (iii) me shumicë që Dekreti i kontestuar është në përputhshmëri me paragrafin (14) të nenit 84 [Kompetencat e Presidentit] të Kushtetutës në lidhje me paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës; (iv) njëzëri që të shfuqizohet masa e përkohshme e përcaktuar përmes Vendimit të 1 majit 2020; dhe (v) njëzëri që të refuzohet kërkesa për seancën dëgjimore.

2. Aktgjykimi i plotë, që përmban arsyetim të hollësishëm, do të publikohet në ditët në vijim. Deri në publikimin e tij, përmbledhja në vijim, reflekton përfundimet thelbësore të Gjykatës.

3. Gjykata rikujton se çështja kushtetuese që ngërthen ky Aktgjykim është përputhshmëria me Kushtetutën e Dekretit të kontestuar të Presidentit të Republikës, përmes të cilit, z. Avdullah Hoti, i është propozuar Kuvendit të Kosovës për kandidat për Kryeministër. Në kontekst të vlerësimit të kushtetutshmërisë së Dekretit të lartcekur, bazuar në pretendimet e parashtruesve të kërkesës dhe argumentet e kundërshtimet e palëve tjera të interesuara, Gjykata fillimisht vlerësoi nëse pas mocionit të suksesshëm të mosbesimit të votuar me dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit më 25 mars 2020, Presidenti i Republikës, bazuar në paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, ishte i detyruar të shpërndajë Kuvendin e Republikës dhe të shpall zgjedhjet e parakohshme. Më tej, Gjykata sqaroi procedurën që duhet ndjekur për formimin e një Qeverie të re, pas një votimi të suksesshëm të mosbesimit ndaj Qeverisë në Kuvend dhe, po ashtu dha vlerësimin e saj nëse në rrethanat e rastit konkret, procedura e ndjekur për caktimin e mandatarit për formimin e Qeverisë se re, ka rezultuar në një Dekret kushtetues.

4. Për të interpretuar përfundimisht nenet kushtetuese që ndërlidhen me rrethanat e rastit konkret përkatësisht nenet 82, 95 dhe 100 të Kushtetutës, Gjykata, gjithashtu mori parasysh: (i) parimet kushtetuese mbi rolin e Kuvendit dhe të Presidentit; (ii) praktikën e saj gjyqësore, përfshirë Aktgjykimin KO103/14 dhe të gjitha rastet e cituara nga palët në procedurë; (iii) Opinionet relevante të Komisionit të Venecias; (iv) Analizën krahasimore të Kushtetutave, përfshirë ato të referuara nga parashtruesit e kërkesës; (v) përgjigjet e pranuara nga Gjykatat Kushtetuese/Supreme, pjesë të Forumit të Komisionit të Venecias; dhe (vi) dokumentet përgatitore për hartimin e Kushtetutës.

5. Gjykata, fillimisht rikujtoi se Kushtetuta përbëhet nga një tërësi unike e parimeve dhe vlerave kushtetuese mbi bazën e të cilave është ndërtuar dhe duhet të funksionojë Republika e Kosovës. Normat e parapara me Kushtetutë duhet të lexohen në ndërlidhje me njëra tjetrën ngase vetëm në atë mënyrë nxirret kuptimi i saktë i tyre. Normat kushtetuese nuk mund të nxirren jashtë kontekstit dhe të interpretohen në mënyrë mekanike dhe të pavarur nga pjesa tjetër e Kushtetutës. Kjo për faktin se Kushtetuta ka një kohezion të brendshëm sipas të cilit gjithsecila pjesë ka një ndërlidhje me pjesët e tjera. Struktura e normave kushtetuese që ndërlidhen me themelimin e institucioneve shtetërore që burojnë nga vota e popullit, duhet të interpretohen në atë mënyrë që të jetësojnë dhe jo të bllokojnë themelimin dhe ushtrimin efektiv të funksioneve përkatëse. Çdo paqartësi e normave duhet të interpretohet në frymën e Kushtetutës dhe vlerave të saj. Asnjë normë kushtetuese nuk mund të interpretohet në atë mënyrë që të bllokojë themelimin dhe funksionimin efektiv të pushtetit legjislativ dhe ekzekutiv, dhe as mënyrën se si të njëjtat e balancojnë njëra tjetrën në aspekt të ndarjes së pushteteve.

6. Gjykata gjithashtu theksoi se të gjitha pushtetet dhe bartësit e funksioneve publike, pa përjashtim, kanë për obligim që të kryejnë detyrat e tyre publike në shërbim të jetësimit të vlerave dhe parimeve mbi të cilat është ndërtuar të funksionojë Republika e Kosovës. Të drejtat dhe detyrimet që burojnë nga Kushtetuta, duhet të ushtrohen në shërbim të themelimit dhe mbarëvajtjes efektive të institucioneve shtetërore.

7. Sa i përket rregullimit kushtetues për shpërndarje të Kuvendit, Gjykata theksoi se Kushtetuta parasheh detyrimin e shpërndarjes së Kuvendit në rrethanat e paragrafit 1 të nenit 82 të Kushtetutës dhe mundësinë e shpërndarjes së Kuvendit në rrethanat e paragrafit 2 të nenit 82 të Kushtetutës, pas votimit të suksesshëm të një mocioni mosbesimi. Më saktësisht, Kuvendi shpërndahet detyrimisht vetëm në tri raste: (i) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh nga dita e caktimit të mandatarit për Kryeministër nga Presidenti, nuk mund të formohet Qeveria; (ii) nëse për shpërndarjen e Kuvendit votojnë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit; dhe (iii) nëse brenda afatit prej gjashtëdhjetë (60) ditësh prej fillimit të procedurës së zgjedhjes së Presidentit, nuk zgjedhet ky i fundit. Ndërsa, në rast të votimit të suksesshëm të mosbesimit ndaj një Qeverie, Presidenti ka mundësinë, por jo detyrimin të shpërndajë Kuvendin.

8. Mundësia e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, nuk mund të ushtrohet në mënyrë të pavarur e as në kundërshtim me vullnetin e Kuvendit, por duhet të ushtrohet në bashkërendim me vullnetin e shumicës së nevojshme të përfaqësuesve të popullit të përfaqësuar në Kuvend. Përdorimi i foljes “mund” në kontekst të paragrafit të 2 të nenit 82 të Kushtetutës reflekton vetëm mundësinë e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin, bazuar në konsultimet me partitë politike të përfaqësuara në Kuvend. Një konstatim të tillë lidhur me kompetencat presidenciale që ndërlidhen me foljen “mund” [“može”/“may”] në kontekst të shpërndarjes se Kuvendit, konfirmohet edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias të përfshira në këtë Aktgjykim.

9. Gjykata theksoi se Kuvendi është institucioni i vetëm në Republikën e Kosovës që zgjedhet drejtpërdrejt nga populli për një mandat katër (4) vjeçar. Përveç Kushtetutës, përfaqësuesit e popullit nuk i nënshtrohen asnjë pushteti tjetër dhe asnjë mandati detyrues. As Presidenti që është zgjedhur prej Kuvendit, nuk e ka kompetencën ta shpërndajë atë pa vullnetin e Kuvendit; e as ushtrimi i kompetencës së Kuvendit për shprehjen e mosbesimit ndaj një Qeverie që e ka zgjedhur vet, nuk mund të rezultojë edhe në përfundimin e mandatit të vet Kuvendit. Kuvendi nuk mund të kushtëzohet në shpërndarjen e vetvetes nëse zgjedh të shprehë mosbesimin ndaj një Qeverie të zgjedhur prej tij, pasi që mocioni i mosbesimit si mekanizëm i kontrollit kushtetues të Qeverisë nga Kuvendi si organ përfaqësues i popullit, nuk do të kishte asnjë kuptim. Një qasje e tillë është në kundërshtim me parimin kushtetues të kontrollit parlamentar të Qeverisë të mishëruar në paragrafin 4 të nenit 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], paragrafin 8 të nenit 65 [Kompetencat e Kuvendit] dhe nenin 97 [Përgjegjësia] të Kushtetutës dhe parimet themelore demokratike.

10. Pragu i lartë i votës së nevojshme për shpërndarje të Kuvendit nga vet deputetët reflekton peshën dhe rëndësinë që Kushtetuta ka përcaktuar për këtë qëllim. Krahas pragut më të lartë të paraparë për amendamentimin e Kushtetutës, e për të cilin kërkohet miratimi i dy të tretave (2/3) të të gjithë deputetëve të Kuvendit, përfshirë dy të tretat (2/3) e të gjithë deputetëve të Kuvendit që mbajnë vende të garantuara për përfaqësuesit e komuniteteve që nuk janë shumicë në Republikën e Kosovës, për shpërndarjen e Kuvendit, Kushtetuta ka përcaktuar pragun e radhës më të lartë të mundshëm, përkatësisht votën prej dy të tretave (2/3) e të gjithë deputetëve të tij, të barabartë, ndër të tjera, me votën e nevojshme për bartje të sovranitetit të shtetit, siç është përcaktuar në nenin 20 të Kushtetutës. Për dallim, Kushtetuta për suksesin e një mocioni të mosbesimit ndaj Qeverisë, ka përcaktuar prag më të ulët të votës së nevojshme, përkatësisht gjashtëdhjetë e një (61) deputetë.

11. Po të mund të shpërndante Presidenti njëanshëm Kuvendin pas një mocioni mosbesimi, atëherë Presidenti do të kishte fuqinë e barabartë me dy të tretat (2/3) e votave të përfaqësuesve të popullit si dhe do të reduktonte në mënyrë arbitrare vullnetin e nevojshëm të dy të tretave (2/3) të deputetëve për shpërndarje të Kuvendit në vetëm gjashtëdhjetë e një (61) vota, aq sa janë të nevojshme për një mocion mosbesimi. Një fuqi të tillë, Presidentët, bazuar edhe në Opinionet e Komisionit të Venecias, nuk e kanë madje as në shumicën e shteteve me rregullim presidencial.

12. Në fakt, analiza e Kushtetutave tjera të reflektuara në këtë Aktgjykim, përfshirë edhe ato Kushtetuta që janë përdorur në argumentet e parashtruesve të kërkesës, Opinionet relevante të Komisionit të Venecias si dhe përgjigjet e Forumit të Komisionit të Venecias, saktësojnë që asnjë Kushtetutë nuk përcakton shpërndarjen e detyrueshme të Kuvendit vetëm me faktin që është votuar suksesshëm një mocion mosbesimi. Përkundrazi, votimi i suksesshëm i një mocioni mosbesimi, rezulton në tri situata të mundshme: (i) zgjedhjen e menjëhershme të Kryeministrit të ri, në rastet kur Kushtetutat parashohin “mocionin konstruktiv”; (ii) edhe një mundësi shtesë për zgjedhjen e një Kryeministri; ose (iii) kthimin e kompetencës te Presidenti përkatës, për të ndjekur procedurat e përcaktuara për zgjedhjen e Qeverisë, për aq mundësi sa përcakton e njëjta. Në të gjitha këto vende, vetëm atëherë kur të jenë shteruar të gjitha mundësitë kushtetuese për zgjedhjen e një Qeverie të re, shpërndahet Kuvendi dhe shpallen zgjedhjet e parakohshme.

13. Kompetenca e Presidentit për të shpërndarë Kuvendin e përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 82 të Kushtetutës, zbatohet drejtë, vetëm atëherë kur pas një mocioni të suksesshëm të mosbesimit të votuar nga më së paku gjashtëdhjetë e një (61) deputetë: (i) mungon shumica e nevojshme e deputetëve për të formuar një Qeveri të re dhe në të njëjtën kohë (ii) mungon edhe shumica prej dy të tretave (2/3) të deputetëve, për t’u vet shpërndarë. Pra kjo mundësi, në njërën anë paraqet një mundësi shtesë për të formuar Qeveri brenda legjislaturës ekzistuese dhe për t’i shmangur zgjedhjet, ndërsa në anën tjetër, paraqet edhe mundësi zhbllokimi në rastet kur nuk ka vullnet dhe as shumicë të nevojshme për formim të një Qeverie të re nga Kuvendi brenda të njëjtës legjislaturë.

14. Deri më sot, neni 82 i Kushtetutës gjithmonë është zbatuar në këtë mënyrë, më saktësisht: (i) legjislatura e tretë dhe pestë, janë shpërndarë nga Presidenti në vitin e tretë të mandatit të tyre, në vitin 2010 dhe 2017, respektivisht, kur në Kuvend nuk ka pasur vullnet e as shumicë të nevojshme për të formuar një Qeveri të re; ndërkaq, (ii) legjislatura e katërt dhe gjashtë, në vitin 2014 dhe 2019, respektivisht janë vet shpërndarë me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve dhe kjo shpërndarje vetëm është dekretuar nga Presidentët përkatës.

15. Rrethanat e rastit konkret, dallojnë qartazi nga ato të legjislaturave të kaluara. Në këtë rast, (i) një mocion mosbesimi është votuar me dy të tretat (2/3) e të gjithë përfaqësuesve të popullit dhe të njëjtit nuk kanë nevojë për ndihmën e Presidentit për tu shpërndarë; dhe (ii) shumica e partive politike dhe koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend, respektivisht edhe shumica e të zgjedhurve të popullit, janë deklaruar në favor të krijimit të një Qeverie të re pas shprehjes së mosbesimit ndaj Qeverisë në detyrë/dorëheqje. Shpërndarja e Kuvendit nga Presidenti kundër vullnetit të përfaqësueseve të popullit do të ishte arbitrare e qartazi kundërkushtetuese. Përkundrazi, Presidenti ka qenë i detyruar të fillojë procedurat për t’i dhënë mundësinë formimit të një Qeverie të re bazuar në dispozitat e nenit 95 të Kushtetutës.

16. Mënyra e zgjedhjes së Qeverisë në Kushtetutën e Kosovës është e përcaktuar përmes nenit 95. Procedura që duhet ndjekur për zgjedhjen e një Qeverie është sqaruar në Aktgjykimin e Gjykatës në rastin KO103/14. Gjykata u qëndron parimeve të përcaktuara përmes atij Aktgjykimi. Ai ka sqaruar që për formimin e një Qeverie, Kushtetuta përcakton dy mundësi. E drejta e parë për formimin e Qeverisë, i takon “partisë politike ose koalicionin që ka fituar shumicën e nevojshme në Kuvend për të formuar Qeverinë”, përkatësisht partisë politike ose koalicionit fitues të zgjedhjeve. Presidenti nuk ka diskrecion lidhur me të drejtën e kësaj partie politike ose koalicioni për të propozuar kandidatin për Kryeministër dhe vetëm e mandaton të njëjtin. Në rast të dështimit të zgjedhjes së kësaj Qeverie në Kuvend apo refuzimit të këtij mandati nga partia politike ose koalicioni fitues, e drejta për formimin e Qeverisë, kalon te partia politike ose koalicioni i përfaqësuar në Kuvend, që në diskrecionin e Presidentit, ka gjasat më të mëdha për të formuar Qeverinë në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. Ndërsa, dështimi i këtyre dy mundësive, rezulton në detyrimin e Presidentit për të shpallur zgjedhjet, siç është përcaktuar në Kushtetutë.

17. Neni 95 i Kushtetutës përcakton procedurën për zgjedhjen e një Qeverie përgjatë një cikli zgjedhor. I njëjti, përcakton dy mundësi për zgjedhjen e një Qeverie, sikur pas zgjedhjeve ashtu edhe pas dorëheqjes së Kryeministrit/Qeverisë. Gjykata ka sqaruar se efekti i dorëheqjes së një Kryeministri rezulton në dorëheqjen e një Qeverie, ashtu siç rezulton edhe efekti i votimit të suksesshëm të një mocioni mosbesimi për “Qeverinë në tërësi”, në dorëheqjen e të njëjtës. Një qëndrim i tillë, është gjithashtu në përputhshmëri me Analizën Krahasimore, Opinionet e cituara të Komisionit të Venecias dhe kontributin e dorëzuar në Gjykatë nga anëtarët e Forumit të Komisionit të Venecias, sipas të cilave, pas një mocioni të suksesshëm mosbesimi, Kryeministri/Qeveria janë në dorëheqje, dhe aktivizohet neni kushtetues përkitazi me zgjedhjen e Qeverisë, me përjashtim të atyre rasteve që e kanë të parashikuar “mocionin konstruktiv”, ose kanë paraparë vetëm edhe një mundësi për zgjedhjen Kryeministrit/Qeverisë, pas mocionit përkatës.

18. Prandaj, në të gjitha rastet kur dorëheqja e Kryeministrit apo mbetja e postit përkatës i lirë për arsye tjera, ka rezultuar në rënien e Qeverisë edhe kur dorëheqja e Qeverisë është rezultat i një mocioni të suksesshëm mosbesimi, me kushtin që pas këtij mocioni nuk ka pasuar shpërndarja e Kuvendit sipas parimeve të sqaruara më lart, aktivizohet paragrafi 5 i nenit 95 të Kushtetutës, i cili detyron Presidentin për të mandatuar kandidatin e ri për Kryeministër. Partia politike ose koalicioni i cili e ka të drejtën e parë të propozimit të mandatarit për Kryeministër dhe formimit të Qeverisë është sërish partia politike ose koalicioni fitues. Për formimin e kësaj Qeverie duhet të ndiqet procedura e përcaktuar përmes paragrafit 2 dhe 3 të nenit 95 të Kushtetutës, ndërsa, dështimi i marrjes së votave të nevojshme në Kuvend apo refuzimi i këtij mandati, kalon të drejtën e formimit të Qeverisë te një parti politike ose koalicion që mund të ketë shumicën e nevojshme për të formuar Qeverinë, siç është përcaktuar në paragrafin 4 të nenit 95 të Kushtetutës dhe sipas parimeve të përcaktuara në Aktgjykimin KO103/14. Gjykata sqaron se përmes Aktgjykimit KO103/14, asnjëherë nuk ka përcaktuar se partia politike ose koalicioni fitues, ka të drejtën ekskluzive dhe të vetme për të propozuar mandatarin për Kryeministër dhe për të formuar Qeverinë.

19. Gjykata gjithashtu thekson se kompetenca e Kuvendit për të zgjedhë dhe shprehë mosbesimin ndaj Qeverisë është përcaktuar në paragrafin 8 të nenit 65 të Kushtetutës dhe zbatohet përmes neneve 95 dhe 100 të Kushtetutës, për Zgjedhjen e Qeverisë dhe Mocionit të Mosbesimit, respektivisht. Ky i fundit, është një ndër mekanizmat më thelbësor të ushtrimit të kontrollit parlamentar ndaj Qeverisë dhe rrjedhimisht edhe balancimit të pushteteve. Legjitimiteti demokratik i një Qeverie të zgjedhur nga një Kuvend, buron nga besimi që përfaqësuesit e popullit i mveshin me rastin e zgjedhjes së saj. Ky besim pushon në momentin kur shumica e të gjithë deputetëve të Kuvendit të kenë votuar kundër tij. Për pasojë, ajo humb besimin e përfaqësuesve të popullit, dhe rrjedhimisht edhe autoritetin kushtetues për të ushtruar kompetencat përkatëse.

20. Gjykata rithekson se në rrethanat e rastit konkret, më 25 mars 2020, ishte votuar një mocion mosbesimi me dy të tretat (2/3) e votave të të gjithë deputetëve të Kuvendit, kundër Qeverisë së udhëhequr nga partia politike fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit 2019. E njëjta parti politike, për dallim prej shumicës së Kushtetutave të analizuara e të reflektuara në Aktgjykim, pas votimit të mocionit të suksesshëm të mosbesimit, bazuar në Kushtetutën e Kosovës, sërish ka të drejtën e parë për propozimin e kandidatit për Kryeministër. Një propozim të tillë kjo parti politike nuk e ka bërë edhe pas (4) katër kërkesave të Presidentit, duke filluar prej datës 2 prill 2020 deri në datën 22 prill 2020.  Partia politike në fjalë, përkatësisht Lëvizja VETËVENDOSJE!, në thelb, pretendon se: (i) pas mocionit të mosbesimit, Presidenti detyrohet të shpërndajë Kuvendin dhe të shpallë zgjedhjet e parakohshme; dhe se (ii) nuk ka afat kushtetues për propozimin e mandatarit për Kryeministër, rrjedhimisht, është në diskrecionin e plotë dhe të paafatizuar të partisë politike fituese, për të propozuar mandatarin për Kryeministër dhe atë “vetëm atëherë kur të jenë plotësuar kushtet politike, administrative dhe teknike”. Për pasojë, si çështje vlerësimi të këtij Aktgjykimi është edhe: (i) afati brenda të cilit duhet të propozohet kandidati për Kryeministër; dhe (ii) nëse mos propozimi i këtij kandidati nga partia politike që ka të drejtën e parë të propozimit, reflekton refuzimin e marrjes së mandatit për Kryeministër.

21. Për sa i përket afatit kohor brenda të cilit duhet të bëhet propozimi për kandidatin për Kryeministër, Gjykata ka theksuar i njëjti duhet të analizohet në kuptim të: (i) sistemit të afateve kushtetuese që Kushtetuta ka përcaktuar për qëllime të formimit të Qeverisë; dhe (ii) natyrës së “konsultimit” në mes Presidentit dhe partisë politike ose koalicionit me të drejtën për të propozuar mandatarin për Kryeministër, përfshirë përgjegjësitë dhe detyrimet reciproke në mes tyre, për qëllime të caktimit të të njëjtit.

22. Së pari, Gjykata theksoi se caktimi i mandatarit nga Presidenti rezulton në rrjedhjen e dy lloj afatesh paralele kushtetuese: (i) atë të shpërndarjes së Kuvendit nëse zgjedhja e Qeverisë nuk bëhet brenda gjashtëdhjetë (60) ditësh nga marrja e mandatit; dhe (ii) atyre të përcaktuara në nenin 95 të Kushtetutës, që ndërlidhen me dy mundësitë për formimin e Qeverisë, respektivisht afatin pesëmbëdhjetë (15) ditor brenda të cilit kandidati për Kryeministër paraqet përbërjen e Qeverisë dhe kërkon miratimin nga ana e Kuvendit; (iii) afatin dhjetë (10) ditor, brenda të cilit Presidenti emëron kandidatin tjetër për Kryeministër, në rast se kandidati i parë për Kryeministër dështon t’i sigurojë votat e nevojshme në Kuvend apo edhe e refuzon mandatin përkatës; dhe (iv) duke iu referuar “procedurës së njëjtë”, afatin pesëmbëdhjetë (15) ditor, brenda të cilit kandidati tjetër për Kryeministër, paraqet përbërjen e Qeverisë dhe kërkon miratimin e saj nga ana e Kuvendit. Këto afate të sakta reflektojnë qëllimin dhe rëndësinë që Kushtetuta i ka dhënë themelimit të shpejtë të Qeverisë, duke përcaktuar afatin pesëmbëdhjetë (15) ditor, për kandidatin për Kryeministër, për të negociuar dhe arritur marrëveshjet për të siguruar votat e nevojshme të deputetëve të Kuvendit për Qeverinë e propozuar; dhe gjithashtu afatin gjashtëdhjetë (60) ditor për formimin e një Qeverie, dhe pasojën përkatëse të shpërndarjes së Kuvendit nëse ky afat nuk respektohet.

23. Së dyti, Gjykata rikujtoi që në Aktgjykimin KO103/14, ajo ka bërë dallimin përkitazi me natyrën e “konsultimit” në mes Presidentit dhe partisë politike apo koalicionit me të drejtën për të propozuar mandatarin e parë dhe të dytë. Në rastin e parë, Presidenti nuk ka diskrecion dhe është plotësisht e qartë se cila është partia politike ose koalicioni i cili propozon mandatarin për Kryeministër, rrjedhimisht ky “konsultim” ngërthen një proces krejtësisht formal dhe teknik ndërmjet Presidentit dhe partisë apo koalicionit fitues, për propozimin e një mandatari dhe mandatimin e të njëjtit. Për dallim nga kjo, në rastin e dytë, nuk është e qartë se cila është partia politike ose koalicioni me të drejtën e propozimit të mandatarit, gjë që mbetet në diskrecion të Presidentit për t’u konsultuar me të gjitha partitë politike dhe koalicionet e përfaqësuara në Kuvend për të vlerësuar se cila ka gjasën më të madhe për të formuar Qeverinë, në mënyrë që të shmangen zgjedhet. Rrjedhimisht, ky proces “konsultimi” është më kompleks sesa në rastin e parë dhe megjithatë Kushtetuta përcakton detyrimin për Presidentin që ushtrimin e këtij diskrecioni, ta zbatoj në  afat dhjetë (10) ditor.

24. Prandaj, në kontekst të: (i) rëndësisë së pakontestueshme të funksionimit efektiv të një Qeverie si një ndër tri shtyllat themelore të pushtetit shtetëror; (ii) sistemit të afateve të sakta dhe të shkurtra të përcaktuara në Kushtetutë lidhur me formimin e një Qeverie; (iii) natyrën krejtësisht të qartë dhe teknike e formale të “konsultimit” në mes të Presidentit dhe partisë politike ose koalicionit fitues, për qëllim të caktimit të mandatarit të parë; dhe (iv) kufizimin e afatit kushtetues në dhjetë (10) ditë për qëllime të caktimit të mandatarit të dytë përmes një “konsultimi” shumë më kompleks, Gjykata thekson që mos saktësimi i afateve në Kushtetutë përkitazi me propozimin e kandidatit të parë për Kryeministër nga partia politike ose koalicioni fitues, nuk nënkupton diskrecionin dhe të drejtën e këtyre të fundit për të mos vepruar në afat të pakufizuar kohor. Përkundrazi, fryma e Kushtetutës reflekton qëllimin e qartë dhe të vetëkuptueshëm të nevojës për veprime të shpejta.

25. Në këtë kuptim, Gjykata vëren se një afat përkitazi me përcaktimin e mandatarit për Kryeministër nuk është saktësuar në Kushtetutë jo vetëm për partinë politike ose koalicionin fitues për propozim të mandatarit, por as afatin brenda të cilit Presidenti detyrohet të dekretoj mandatarin e propozuar, apo përcjelljen e të njëjtit në Kuvend. Gjykata thekson që caktimi i mandatarit për Kryeministër, nuk përfshinë vetëm detyrimin e Presidentit për të dekretuar atë dhe as vetëm të drejtën e partisë politike fituese për të propozuar këtë mandatar, por përfshinë edhe detyrimin e kësaj të fundit, për të propozuar ose refuzuar që të propozoj kandidatin për Kryeministër. Më saktësisht, përcaktimi i mandatarit për Kryeministër, ngërthen detyrimin e bashkëpunimit reciprok të Presidentit dhe partisë politike fituese në këtë proces. Për më tepër, duke marrë parasysh natyrën teknike dhe formale të “konsultimit” për qëllime të caktimit të mandatarit të parë, e cila vënë në lëvizje procesin e formimit të Qeverisë dhe afatet e parapara me Kushtetutë, Gjykata thekson se është e vetëkuptueshme, që ky “konsultim” formal, duhet të përmbyllet sa më shpejtë që të jetë e mundur dhe ngërthen në vetvete kërkesën për dinamikë të shpejtë ndërveprimi.

26. Në të kundërtën, të gjitha normat e lartcekura kushtetuese lidhur me afatet dhe qëllimet që ngërthejnë ato lidhur me formimin e Qeverisë, do të ishin pa asnjë efekt dhe plotësisht të panevojshme. Zgjedhja e Qeverisë do të mbetej peng i “afateve të pakufizuara” e në diskrecion të plotë të partisë politike ose koalicionit fitues apo edhe të Presidentit. E para, do të mbante peng formimin e Qeverisë, duke u thirrur në diskrecion të plotë dhe të paafatizuar për të bërë propozimin për mandatar për Kryeministër, ndërsa Presidenti po ashtu, do të thirrej në diskrecionin e plotë dhe të paafatizuar për ta dekretuar të njëjtin. Ky “diskrecion i plotë dhe i paafatizuar kohorë”, në ndërkohë ndërlidhet me zgjedhjen e Qeverisë, kompetencë kjo e një pushteti tjetër, përkatësisht Kuvendit. Një qasje dhe interpretim i tillë, do të ishte arbitrar dhe qartazi në kundërshtim me strukturën e normave kushtetuese, qëllimin e frymën e saj por edhe në kundërshtim me parimet themelore të një demokracie parlamentare. Gjykata, në këtë aspekt gjithashtu thekson se përkundër pretendimeve të parashtruesve që ndërlidhen me zgjatjen e procedurave për themelimin e institucioneve pas zgjedhjeve, me theks në situatën e vitit 2014 lidhur me zgjatjen e procesit të konstituimit të Kuvendit, Gjykata në Aktgjykimin KO119/14, nuk ka trajtuar çështjen e afateve kohore që ndërlidhen me konstituimin e Kuvendit, pasi të njëjtat nuk ka qenë objekti i shqyrtimit në Gjykatë.

27. Lidhur me mungesën e propozimit të mandatarit për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve, Gjykata, në këtë Aktgjykim, ka analizuar shkëmbimin e letrave në Kryetarit të partisë politike fituese, njëherësh Kryeministër në detyrë dhe Presidentit. Këto shkresa reflektojnë dy karakteristika: (i) kërkesën e Presidentit për propozimin e kandidatit për Kryeministër në njërën anë; dhe (ii) mungesën e propozimit dhe kërkesën për shpërndarje të Kuvendit dhe për shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme nga Lëvizja VETËVENDOSJE!, në anën tjetër.

28. Gjykata, në këtë Aktgjykim ka theksuar se: (i) për qëllime të “konsultimit” për përcaktimin e mandatarit në mes Presidentit dhe partisë politike ose koalicionit fitues, relevante është vetëm propozimi i kandidatit për Kryeministër dhe mandatimi i tij/saj; dhe (ii) ky “konsultim” nuk mund të përfshijë as çështje që ndërlidhen me shpërndarjen e Kuvendit e as shpalljes së zgjedhjeve të parakohshme, sepse, asnjëra nga këto çështje nuk është as në kompetencën ekskluzive të Presidentit, as të partisë fituese të zgjedhjeve e as të Qeverisë në detyrë/dorëheqje. Kjo sepse, është e qartë se: (i) rastet e shpërndarjes së detyrueshme e Kuvendit janë të përcaktuara saktë në Kushtetutë; (ii) mundësia e shpërndarjes së Kuvendit nga Presidenti, siç është sqaruar tashmë, nuk është kompetencë që ushtrohet nga Presidenti pa bashkërendim me të gjitha partitë politike dhe koalicionet e përfaqësuara në Kuvend, dhe jo vetëm me atë që ka fituar zgjedhjet; dhe (iii) Qeveria nuk ka asnjë kompetencë kushtetuese as lidhur me shpërndarjen e Kuvendit e as shpalljen e zgjedhjeve. Përkundrazi, lidhur me këto dy çështje, roli i partive politike ose koalicioneve të përfaqësuara në një Qeveri, është i barasvlershëm vetëm në fuqinë e tyre që e kanë përmes përfaqësimit në Kuvend. Vullneti i shumicës së Kuvendit në rrethanat e rastit aktual, qartazi i ka pamundësuar Presidentit shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme.

29. Gjykata thekson se në rrethanat e rastit konkret, partia politike që ka udhëhequr Qeverinë ndaj të cilës është votuar një mocion mosbesimi nga Kuvendi, nuk ka bërë një propozim për mandatar tjetër për Kryeministër për qëllim të formimit të Qeverisë së re. Megjithatë, parashtruesit e kërkesës pretendojnë se ata asnjëherë nuk e kanë refuzuar shprehimisht marrjen e këtij mandati.

30. Përkitazi me mundësinë refuzimit të marrjes së mandatit, Gjykata rikujton që në Aktgjykimin KO103/14, ajo kishte konstatuar se “nuk përjashtohet që partia ose koalicioni në fjalë do të refuzojë të marrë mandatin”. Përkundër faktit që nuk ishte çështje në rastin para Gjykatës në vitin 2014, ajo e kishte parashikuar mundësinë e refuzimit, pikërisht për të pamundësuar bllokimin e mundshëm të themelimit të Qeverisë në të ardhmen. Ky Aktgjykim, megjithatë nuk kishte saktësuar mënyrën në të cilën mund të bëhet refuzimi i mandatit përkatës. Prandaj, pretendimi i parashtruesve se “Gjykata ka thënë se Presidenti mund të anashkalojë fituesin e zgjedhjeve, vetëm nëse ky heq dorë shprehimisht nga e drejta e tij por në asnjë rrethanë tjetër”, nuk është i saktë. Kjo sepse, edhe autorizimi për partinë politike fituese që refuzimin e marrjes së mandatit ta bëj vetëm shprehimisht, pra mundësia të mos propozoj një emër për mandatar dhe në të njëjtën kohë të mos e refuzoj këtë të drejtë shprehimisht, do ta mveshte partinë politike fituese me të drejtën për të bllokuar procesin e caktimit të mandatarit nga Presidenti.

31. Një mundësi e tillë do ta pamundësonte zbatimin e kompetencës së Presidentit për caktimin e një mandatari dhe propozimin e të njëjtit Kuvendit, duke pamundësuar njëkohësisht dhe ushtrimin e kompetencës së Kuvendit për zgjedhjen e Qeverisë. Përkundrazi, siç është sqaruar tashmë, caktimi i mandatarit për Kryeministër kërkon ndërveprimin e menjëhershëm në përmbushjen e detyrimeve dhe përgjegjësive reciproke në mes Presidentit dhe partisë ose koalicionit fitues. Prandaj, refuzimi në fakt nënkupton mos ndërmarrjen veprimeve me qëllim të përmbushjes së këtij detyrimi, përkatësisht mungesën e veprimeve konkrete dhe propozimit të kandidatit për Kryeministër nga partia ose koalicioni fitues. Kushtetuta dhe fryma e saj përcaktojnë se kjo e drejtë dhe njëkohësisht detyrim,  si për partinë e parë ashtu edhe për Presidentin, nuk mund të abuzohet dhe duhet të ushtrohet në mirëbesim dhe në funksion të formimit të Qeverisë.

32. Nga shkëmbimi i shkresave zyrtare në mes Presidentit dhe partisë politike fituese, në këtë rast, jo vetëm që nuk ka propozim për mandatar, por nuk reflektohet as edhe një indikacion i vetëm lidhur me qëllimin për të propozuar një mandatar për Kryeministër. Përkundrazi, kërkesa e këtyre shkresave është shpërndarja e Kuvendit dhe shpallja e zgjedhjeve të parakohshme. Këto kërkesa përjashtojnë mundësinë e propozimit të një mandatari për Kryeministër.

33. Në rrethana në të cilat është votuar suksesshëm një mocion mosbesimi me dy të tretat (2/3) e përfaqësuesve të popullit dhe mundësisë për formimin e një Qeverie të re, po të konfirmoheshin pretendimet rreth: (i) afatit të pakufizuar kohor dhe në diskrecion të plotë të partisë politike fituese, dhe (ii) të drejtës që vetëm shprehimisht të refuzohej mandati për Kryeministër, të kombinuara më kërkesën e vetme për shpërndarje të Kuvendit dhe shpallje të zgjedhjeve të parakohshme, formimi i një Qeverie do të bllokohej në pafundësi, duke mbajtur në detyrë Qeverinë që ka humbur besimin e përfaqësuesve të popullit. Kjo nuk është fryma e Kushtetutës së Republikës së Kosovës.

34. Presidenti, duke balancuar detyrimin e tij për të garantuar funksionimin kushtetues të institucioneve të përcaktuara me Kushtetutë, siç është përcaktuar në paragrafin 2 të nenit 84 të Kushtetutës, përfshirë në këtë kontekst edhe të drejtën e Kuvendit për zgjedhur Qeverinë, siç është përcaktuar në paragrafin 8 të nenit 65 të Kushtetutës, në njërën anë, dhe në anën tjetër, duke marrë parasysh që partia politike fituese e zgjedhjeve, nuk kishte ndërmarrë asnjë veprim të vetëm drejt propozimit të mandatarit për Kryeministër përkundër kërkesave të Presidentit, por kishte vazhduar të kërkonte shpërndarjen e Kuvendit dhe shpalljen e zgjedhjeve të parakohshme, përkundër faktit që shumica e partive politike ose koalicioneve të përfaqësuara në Kuvend tashmë ishin deklaruar kundër kësaj mundësie, duke i pamundësuar Presidentit ushtrimin e kompetencës së përcaktuar përmes paragrafit 2 të nenit 82 të Kushtetutës, me të drejtë ka konstatuar shterimin e mundësive kushtetuese për të përcaktuar një kandidat për Kryeministër nga partia politike fituese e zgjedhjeve. Si rezultat kishte filluar procedurat për mandatimin e kandidatit të ri për Kryeministër, në konsultim me dhe pas propozimit të partisë politike, e cila bazuar në konsultimet përkatëse, ka rezultuar të ketë gjasën më të madhe për të krijuar Qeverinë dhe në mënyrë që të shmangen zgjedhjet. E kundërta, do të pamundësonte jetësimin e kompetencave esenciale të Kuvendit të Republikës për të zgjedhur Qeverinë e Republikës së Kosovës.

35. E drejta për të propozuar mandatarin për Kryeministër është edhe përgjegjësi dhe privilegj. Propozimi i këtij emri, ngërthen në vetvete pikën më të lartë të suksesit të një partie politike ose koalicioni brenda një cikli zgjedhor. E drejta e parë për të propozuar kandidatin për Kryeministër i është garantuar partisë ose koalicionit fitues të zgjedhjeve përmes Kushtetutës. Ushtrimi i kësaj të drejte, nuk është i mveshur edhe me autorizimin për të bllokuar formimin e një Qeverie brenda një cikli zgjedhor. Një qëndrim i tillë, do t’i bënte peng të partisë ose koalicionit fitues, të gjitha institucionet më thelbësore të shtetit.

36. Gjykata në fund thekson se funksionimi demokratik i institucioneve është përgjegjësi parësore e secilit person i cili është i mveshur me autorizime publike. Të gjitha veprimet që ndërmerren nga personat e mveshur me fuqi ose autorizime publik duhet të jenë në pajtim me Kushtetutën dhe frymën e saj dhe të kontribuojnë në mbarëvajtjen dhe bashkërendimin e punëve me interes publik për Republikën e Kosovës, ashtu që kjo i fundit të zhvillohet dhe të jetësojë vlerat dhe parimet mbi të cilat është ndërtuar dhe aspiratave të mishëruara në Preambulën e saj.

Share: