Prokuroria ka nisur hetimet zyrtarisht për policin që dhunoi djalin 15- vjeçar të Zaida Cobos në Tiranë.
Djali 15- vjeçar kishte thyer karantinën dhe po kthehej në shtëpi me biçikletë kur u dhunua nga një prej policëve i cili rezulton të jetë Glein Ndreu.
Nga ekspertiza mjeko-ligjore del se dëmet ndaj djalit hyjnë në kategorinë e dëmtimeve dhe atij i duhen 9 ditë pushim. Prokuroria pretendon se Glein Ndreu e ka qëlluar me shpullë dhe grusht dhe për të kërkon ndalimin e ushtrimit të çdo detyre publike.
Por ndërkohë pikërisht nga ky rast u prodhua një skandal ku në mbledhjen online të Komisionit të Sigurisë, drejtori i përgjithshëm i Policisë Ardi Veli nxori një video për të treguar shembullin se nga çfarë familje vinte 15- vjeçari.
Aty tregohej nëna e djalit, Zaida Cobo e cila i drejtonte dikujt një pistoletë në kokë, por në fakt ajo po luante aktore në një film. Sot po ajo e ka kallëzuar penalisht në Prokurori Ardi Veliun.
NJOFTIMI NGA PROKURORIA
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Tirane ka regjistruar procedim penal per te evidentuar veprimet e dhunshme te kryera nga punonjësit e policisë se shtetit, per rastin e te miturit S.Ç. Ne vijim te veprimeve hetimore te kryera eshte kerkuar ne gjykate, pezullimi nga detyra, te efektivit te policisë G.N, sipas nenit 242 te Kodit te Procedurës Penale. Veprimet hetimore vijojnë per evidentimin e pergjegjesise penale te personave te tjere te përfshirë.
(BalkanWeb)