Home KRYESORE Marrëveshja Kosovë : Serbi promovon paqen apo konfliktin e ngrirë?

Marrëveshja Kosovë : Serbi promovon paqen apo konfliktin e ngrirë?

RIVALITETI SHEKULLOR

Nga Dr. Sadri Ramabaja

Dialogu me plot mistere i udhëhequr nga Brukseli që prej vitit 2011, nuk kishte si përfundonte ndryshe derisa përmbylli fazën e tij të parë më 19 prill 2019. Ajo marrëveshje nëpërkëmbi 17 shkurtin 2008, pra aktin e shpalljes së pavarsisë dhe aktin që ndërlidhet me verdiktin e Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë (2010), ku potencohej taksativisht, se deklarata e pavarsisë nuk bie ndesh me ligjin ndërkombëtar.

Vazhdimi i këtij dialogu nga dyshja Thaiçi – Vuçiç, e mbështetur nga qarqet që duan t’i revizionojnë, si Dejtonin edhe Rambujenë, nuk prodhon paqe afatgjatë, e rrjedhimisht nuk e inkorporon dot Evropën Juglindore në Unionin politik të Evropës së bashkuar. Për pasojë, në rast se ecet më tej me këtë format, faza e fundit e dialogut Kosovë – Serbi do të promovojë një konflikt të ngrirë shtesë në Evropën Juglindore (ai i Qipros po hyn në gjysmëshekullin e dytë), sipas modelit të atij të Nagorni- Karabakut!

                                                   ***

Lufta që pati shpërthyr mes armenëve dhe azerëve në krahinën e Nagorny Karabakut, të populluar nga më se 85% me armenë, por që ishte pjesë integrale e Azerbajxhanit, popullsi turqishtfolëse, shpërtheu fillimisht në vitin 1992, pas shpërbërjes së Bashkimit Sovjetik (BRSS). Ajo u ndërpre me ndërhyrjen e OSBE-së me trupa paqëruajtëse në vitin1994, por la prapa 25.000 viktima dhe detyroi të zhvendoseshin 700.000 azerë dhe 400.000 armenë.

Armenët kishin përvetësuar Nagorni-Karabakun, duke e shpallur si pjesë integrale të Armenisë, dhe atë territor e kontrollojnë edhe sot. Kjo enklavë de fakto tashmë nuk është më pjesë e Azerbajxhanit; ajo ka mbetur një konflikt i ngrirë për të ardhmen. Kjo gjendje, as paqë e as luftë, e promovuar në termin ushtarako-politik si konflikt i ngrirë, në këtë hapësirë të ish BRSS, paraqet arsyen reale për kundërthëniet më të mëdha të palëve, që në çdo rast mund të shndërrohet në luftë.

Në të gjithë “Perandorinë” e shpërbërë post-sovjetike, sidomos në periferitë e saj, – pavarësisht se që të dy palët thirren në parime që ata gjoja i gjejnë të bazuar në të drejtën ndërkombëtare – armenët i bazojnë kërkesat e tyre duke u thirrë në parimin e të drejtës së popujve për vetvendosje; ndërkaq, azerët argumentojnë të drejtat për ta pasur në zotërimin e tyre Nagorni Karabakun duke u thirrë në parimin territorial dhe integritetin e pacënueshëm shtetëror, duke gjetur edhe “arsye” të tjera të ngjashme.

Në rastin e Krimesë, armenët u pozicionuan në krah të Rusisë, duke mbështetur pikërisht parimin e të drejtës për vetëvendosje. Në prill të vitit 2018, pas të ashtuquejturit Revolucion Demokratik Armen (Revolucioni Samten), sundimtari autoritativ shumëvjeçarë i Armenisë, Sersh Sargsian, humbi pushtetin, duke pasur edhe mbështetjen e Moskës e që u zëvendësua me udhëheqësin e opozitës, Nikoll Pashenjan, i cili thirrej në luftën antikorrupsion dhe u bë kryeministër. Me këtë rast, një zëdhënse e Ministrisë së Punëve të Jashtme e Rusisë, Maria Saliarova, përzgjodhi fjalët më të mira për mesazhin rus në adresë të popullit armen: “Armeni, Rusia do të jetë përherë në anën tuaj!”.

Ky mesazh e bëri publik pozicionimin e mëtejshëm të Armenisë. Ai sinjalizonte Brukselin, se Armenia nuk ka ndërmend të hamendësohet për pozicionin mes BE-së dhe Rusisë. Agjenda Ruse e kordinuar me atë Serbe, njësoj si në rastin e veriut të Kosovës edhe në atë të Republikës Serbe në Bosnjë, ka për model konfliktet e ngrira në hapsirën post-sovjetike, sidomos këtë të Nagorni Karabakut.

Hamendësimi për pozicionim gjeopolitik si risk

Tërheqja, respektivisht dorëheqja e R. Haradinajt nga posti i kryeministrit dhe insistimi i qendrave që kanë mbështetur marrëveshjet paraprake (2013; 2015), të cilat, pavarësisht kombinimeve të forcave politike për formimin e qeverisë (qoftë teknike, qoftë përmes koalicionit para apo pas zgjedhor), qëllimi është që në krye të dialogut Kosovë-Serbi të mbetet H.Thaçi, duke pretenduar që ai dialog të përmbyllet para fillimit të fushatës zgjedhore të D.Trumpit për mandatin e dytë në Shtëpinë e Bardhë, dhe ta sjellë Kosovën para alternativës: ndarje ose bosnjëzim! Ndërkaq diskursi i Thaçit pas takimit të Berlinit, len të kuptohet se është produkt i hamendësimeve për pozicionim gjeopolitik, por që de fakto promovon konfliktin e ngrirë mes Kosovës e Serbisë, respektivisht mes dy kombeve me historinë më të gjatë (plot 1400 vjet) të përplasjeve në Evropën Juglindore,

Për shmangien e konfliktit të ngrirë, në rast se kombinacionet për qeverinë e re, Berlini dhe Brukseli do të lejojnë të mbetet jashtë VV, me çdo çmim, siç ka gjasa të ndodhë, nëse populli nuk e voton zëshëm atë ose nëse nuk imponohen zgjedhe të reja, atëherë, në emër të kompromisit, garda e vjetër – blloku i së keqes – LDK/PDK/AAK/NISMA/ AKR/LS- do të jenë të gatshëm të pranojnë krijimin në veri të Republikës Serbska-n Nr2 (Asocioni i Komunave Serbe me kompetenca ekzekutive). Kjo Bashkësi me entitet të theksuar politik, do të pajisej edhe me të drejtën e vetos për shumë sfera të politikës qeveritare, por që mund të “prekin” interesin nacional serb. Ajo “republikë” do të shfrytëzohet nga ana e Serbisë edhe si pengesë reale për aderimin e Kosovës në NATO, për aq kohë sa Serbia nuk do të jetë anëtare e kësaj strukture të sigurisë, duke defunksionalizuar komplet Republikën e Kosovës. Nëse imponohet Asociaconi, në një të ardhme të afërt do të jetë fare e mundshme që udhëheqja e asaj bashkësie politike serbe, duke u thirrë në interest e komunitetit serb, t’i hapi portat bazës simotër ruse të Nishit, diku ne majat e Pançiqit, apo në Zveçan.

Vetëm këto mundësi me bazë reale janë më se bindëse që dialogu në fjalë të rikthehet aty ku filloi, duke mos toleruar asesi krijimin e parakushteve bazë për një konflikt të ngrirë. Vetëm dështimi total i projektit për ndarjen e Kosovës, si varianti A serb, i tumirur tashmë nga dyshja Thaçi-Vuçiç dhe kryeminisri Rama, do të mund ta dëshmonte fitoren e Perëndimit, respektivisht Berlinit kundruall Moskës. Ky dështim i Rusisë në Mitrovicë do të mund të dëshmohej si një reprizë e fuqishme e të ashtuquajturës lojë me shumë zero (Nullsummenspiel), me ç`rast mund të reagojë Putini, por duke u mjaftuar që zemrimin ta shkarkojë diku brenda te e ashtuquajtura “Zonë e afërt” (Naheu Ausland), duke u pajtuar definitivisht me humbjen e ndikimit në Europën Juglindore.

Paralajmrimi i Vuçiçit për të ashtuquajturin “Bashkim ekonomik të rajonit”, i cili duhet kuptuar si derë dalëse (Exit) nga dështimi i variantit A dhe një lloj përpjekje për kalim te varianti B (Asociacioni), duke mos lënë anash idenë për restaurimin e së kaluarës. Në esencë ideja për ,,Bashkimin ekonomik të rajonit” është një kopje e dobët e Unionit Euroaziatik (EEU) të Putinit, me amballazhin e procesit të Berlinit. Ky projekti i ri i A.Vuçiçit rezulton të jetë nusprodukt i hamendësimeve serbe për pozicionim gjeopolitik ose instrument i ndërmjemë, që do të mund t’i shërbejë Serbisë në të ardhmen e afërt, për zgjerim më në perendim (Bosnjë e Mal të Zi) dhe në jug – në Kosovë e Maqedoni, ngjajshëm siç i shërbeu Rusisë EEU-ja (Unioni Ekonomik Euroazia) për të shtrirë influencën në ish Republikat e BRSS-së.

Edhe Putini e kishte prezentuar EEU-në kryesisht si projekt ekonomik, pavarsisht se të gjitha vendet që kanë aderuar në këtë lloj bashkimi (Rusia, Kazakistani, Rusia e Bardhë – Bjellorusia, Armenia, Kirgistani, por edheTaxhikistanini), e kanë të qartë se Moska atë e sheh si projekt gjeopolitik. Çfardo marrëveshje shqiptaro – serbe që “ëmbëlsohet” me projekte të kësaj natyre, mund të shndërrohet fare lehtë në paradhomë të EEU-së. Blerja e armatimit rus (raketave, bombarduese, tankave etj.) demanton gjuhën e hipokrizisë që përdorë A.Vuçiçi sa herë takohet me vendimmarrësit në Berlin, në Paris a në Bruksel, duke u shtirë si gjoja nxitës e farkues i paqes e stabilitetit në Evropën Juglindore.

Përmes të ashtuquajturit “Bashkim Ekonomik” të rajonit që proklamoi Vuçiçi vetëm një ditë pas dorëhëqjes së kryeministrit Haradinaj, duke luajtur edhe më tej rolin e viktimës, edhe në vigjilie të ngritjes së aktakuzës nga Dhomat e Specializuara (Gjykata Speciale) në Hagë ndaj drejtuesve kuazipolitikë të UÇK-së, ndaj Shtabit të Përgjithshëm dhe kuadrove të tjera të UÇK-së, flet për objektivat e Beogradit, për rikthimin e rolit dominues të Serbisë në rajon, duke e vlersuar tashmë kujtimin e “Serbisë së Vogël” në veriun e Kosovës si akt të kryer!

                                                    ***

Ideologët pansllavistë, sidomos ata serbë, e shihnin Kosovën disi ngjajshëm siç e shihnin nacionalistët (nazistët) gjermanë Ukrainën -si hapsirë jetësore (Lebensraum). Pansllavistët serbë nuk shkëputen dot nga ëndrra e tyre e shek 19-të, duke e trajtuar atë si trampolinë dhe në funksion të realizimit të projektit nacional serb për shtrirje drejt Durrësit. Në këtë kuadër, ata i trajtojnin shqiptarët si qenie njerëzore të kategorisë së dytë e të destinuar për zhdukje. Jo më kot kanë hartuar më se 19-të projekte për zhdukjen e Shtetit dhe kombit Shqiptar.

Hijet e së kaluarës

Proceset politike nëpër të cilat ka kaluar gjatë gjithë shekullit XX i kanë imponuar elitës sonë kulturore e politike një lloj konformizmi, që mund të barazohet me ligjin e mbijetesës. Vetëm këto dy dekadat e fundit të jetës në liri, veçanërisht gjatë dekadës së fundit, ia kanë mundësuar kësaj elite të shestojë projekte strategjike me interes nacional, si bie fjala idetë mbi “Komunuellthin shqiptar” (Arbën Xhaferi), një elaborat me shumë interes dhe “Federata shqiptare” (tezë e disertacionit – Sadri Ramabaja).

Janë të paktë ata politikanë aktivë që gjatë këtyre viteve kanë mundur ta etabliojnë konceptin mbi intergritetin territorial dhe sovranitetin si parime kushtetuese. Ndërkaq, grupimi politik, sado i vogël, i mbledhur rreth presidentit Thaçi, çuditrisht, në procesin e uzurpuar të dialogut Kosovë – Serbi, që po udhëhiqej nga BE-ja në fund të fazës së dytë të tij (1918), lehtësisht ia arriti që ta imponojë idenë Ruso- Serbe për ndarjen e Kosovës, respektivisht konceptin serb mbi ,,ripërkufizimin” (Razgraniçenje) mes shqiptarëve dhe serbëve. Si ide, shkruan Islam Lauka, ajo u ngjiz në Ministrinë e Punëve të Jashtme të Rusisë, ndërsa si projekt u përpunua nga ekspertiza shkencore ruse.

Në shkrimin e tij “Ballkanizimi i Evropës kundrejt europianizimit të Ballkanit” (15.05.2008), bashkëpunëtori i vjetër shkencor i Institutit të Europës pranë Akademisë së Shkencave të Rusisë, Pavel kandel, arrin në përfundimin se “Ndarja e Kosovës, fillimisht faktike, pastaj dhe juridike, shihet si i vetmi kompromis i mundshëm” i Serbisë me Kosovën, në mënyrë që Beogradi të njoh realitetin e ri.

Çështja e shtruar nga pala Serbe në negociatat e fshehta, pas ndërprerjes së dialogut, si një vazhdimësi e procesit për këtë dialog, si nga pala shqiptare (Thaçi & Co), por edhe nga BE-ja (me theks Franca), e kanë tumirë! Prandaj sot (15 gusht 2019) pesshja e diplomatëve perëndimorë flet me gjuhë tepër lakonike si për ,,arritjen e një marrveshjeje të qëndrueshme, ligjërisht të detyrueshme dhe gjithëpërfshierse”, por tejet të kuptueshme, brenda së cilës “gjenden procedura dhe substanca të marrëveshjes së ardhshme” me Serbin. Por a mund të bëhet kjo marrëveshje pa ridefinimin e shtetit dhe në dëm të rendit liberal (?!) Ridefinimi i shtetit në dëm të sovranitetit dhe integritetit të Republikës, qartësisht do të ishte në shpërputhje të plotë me vullnetin politik të shqiptarëve, e në akordancë me konceptin kolonialist të lidershipit serb. Ndërkaq pohimi i natyrës, se “duhet provuar akomodimin e diversitetit etnik, fetar e gjuhësor… përmes teknikave shtesë që nuk i ka parashikuar plani i Ahtisarit”, qoftë edhe me kushtin që “coptimi i vendit nuk del asnjëherë në tavolinën e bisedimeve me Serbinë”, bie disi ndesh me vetë qëllimin. Ky lloj “akomodimi” gjithësesi do t’i mbivendoset akteve ndërkombëtare me peshë: opinionit të GJND dhe dokumenteve e akteve tjera me karakter ndërkombëtar, përfshirë edhe njohjen e pavarsisë së Kosovës prej më se 116 shteteve. Lufta çlirimtare e Kosovës (UÇK) sado që po i nënshtrohet poshtërimit nga elita neoliberale europiane, përmes imponimit të Gjykatës Speciale, por edhe më shumë nga diskreditimi që i ka bërë asaj nomenklatura politike, që unë i cilësoj si olhokratë, e të cilët, duke u thirrë në emër të UÇK-së, e kanë kapur shtetin dhe e kanë sjellë atë buzë dështimit. Askush nga studjuesit seriozë të historisë politike të Europës Juglindore nuk do t’i mohonte dot meritat e saj për lirinë e Kosovës dhe ripozicionimeve gjeopolitike të rajonit. Fundja, ishte lufta e spartanëve të UÇK-së së vegjëlisë shqiptare, ajo që e solli NATO-n në Kosovë; ishte lufta e saj si shprehje e kurajos së rezistencës së Kombit shqiptar në dobi të lirisë, që i bën sot të mundshme real-shestimet rreth rrugëve që mund e duhet t’i djekim si komb për bashkim. Këtë përfundim e kanë të qartë edhe armiqtë tanë, pasi është lajtmotivi i narrativës nacionale të shqiptarëve. Ndërkaq legjitimimi i kësaj narrative është rrjedhojë e racionalitetit politik dhe i dijes.

Hijet e së kaluarës shekullore të përplasjeve mes shqiptarëve dhe serbëve janë prezente edhe sot në debatin dhe dialogun herë të heshtur e herë aktiv, përndryshe nuk do të kishte nevojë Serbia për armatosje nga Rusia, që e defilon edhe para kamerave…

Katër ishujt Kurile që Japonia i kishte humbur për shkak të pozicionimit të gabuar gjatë LDB, ka mbi 70 vite që janë pjesë e Rusisë, ndërkaq tek gjeneratat e reja japoneze lehtësisht venerohet se ata (ishujt) nuk kanë më kuptimin që kishin tek ajo që pësoi atë humbje. Disi ngjajshëm ky sentiment është tek brezi aktual i shqiptarëve për Toplicën, me Pustarekën, Nishin, Prokuplen, Kurshumlinë, Medokën, Leskocin e Vrajën, që stërgjyshërit tanë i kishin humbur në vitin 1878.

Shqiptarët e brezit të lirisë sot, sado nacionalistë qofshin, nuk mund ta shndërrojnë atë pjesë të humbur të gjeografisë kombëtare në kauzë politike me farë tendence për ta shndërruar në ,,Konflikt të ngrirë”. Nuk ka si të jetë ndryshe sot Kosova, madje as veriu i saj, ku është përqëndruar lufta e Serbisë për rikthim.

Insistimi i Beogradit për ta shfrytzuar Kosovën tutje si mit, nuk është zgjidhje racionale, rrjedhimisht e pengon Serbinë dhe Kombin serb që nesër të bëhet pjesë e Evropës së re. Marrëveshja që mund t’i imponohet Kosovës, e që de fakto do të sillte në jetë binjaken e ,,Republikës Serbska” në hapësirën e veriut të Kosovës, promovon realisht konfliktin e ngrirë afatgjatë në këtë pjesë të Europës Juglindore. Qendrat e vendosjes në Europë, e sidomos administrata e D.Trump-it, që sot qëndrojnë prapa kësaj ideje, qoftë të heshtura, qoftë të pozicionuara hapur, de fakto janë duke invenstuar në kthimin afatgjatë të Rusisë në Ballkan pas pamundësimit me sukses të kësaj tentative përmes grushtetit të dështuar në Podgoricë (2016)dhe ,, Pushtimit” të Parlamentit në Shkup (2017). Rikthimi i mundëshëm i Rusisë në Ballkanin Perëndimor (tek ura e Ibrit), do të jetë suksesi i dytë i përmasave reale gjeopolitike ruse, pas rikthimit triumfues në lindjen e afërt që pati përmes Sirisë brenda dekadës së dytë të shek. 21.

Këtë tentativë jam i prirë ta shoh si produkt i mungesës së unitetit të vet europianëve, në njërën anë, dhe çarjes së unitetit ndërveprues në rrafshin transatlantik pas ardhjes së D. Trump-it në Shtëpin e Bardhë.

Rivaliteti i gjatë historik mes shqiptarëve dhe serbëve i ka detyruar ndërkohë elitat politike të rirreshtohen prapa superfuqive që gjatë epokës së Luftës së ftohtë ishin rival të ashpër për domonim dhe influencë politike- ushtarake në gjithë hapsirën e Europës Jugindore. Serbia nuk mund të jetë pjesë integrale dhe e dinjitetshme e Europës së re, në rast se shërben tutje si trampolinë për penetrim të Rusisë në Europë. Natyrisht, edhe shqiptarët që t’i kthehen politikisht e me dinjitet familjes europiane, si pasues të Gjergj Kastriotit në pozicionimin gjeopolitik dhe të Pjetër Bogdani në rrafshin ideor e kulturor, do të jenë të shtërnguar të heqin dorë nga morali i dyfishtë, të cilin po e aplikon një shtresë sado e hollë e politikanëve, duke koketuar me bartësit e neootomanizmit si ideologji e rrezikshme për të ardhmen europjane të Shqiprisë e shqiptarëve.

Këtë pikë kthese shqiptarët e kanë vulosur edhe përmes luftës së UÇK-së, që qe shndërruar de fakto në forcë tokësore e NATOS-s, aleancës politiko- ushtarake më të madhe të Perendimit në historinë moderne.

Është pjesërisht e kuptueshme se, humbja e Kosovës ka traumatizuar rëndë Serbinë. Ky traumatizim ka fituar peshën e vet edhe për faktin se shqiptarët nuk qenë në shkallën e emancipimit dhe fuqisë ushtarake për gjatë gjithë shek. 20-të, që t’ia risjellin në vemendje Serbisë etapat e zgjerimit të saj drejt jugut në dëm të kombit Shqiptar (1833,1878,1912), duke ia bërë më të kalueshëm traumatizimin për “humbjen” e Kosovës. Çlirimi i Kosovës në qershor të 1999 i ka hapur rrugë faktorizimit të kombit dhe si proces ai është i pakthyeshëm. Aderimi ndërkohë i Shqipërisë në NATO, prosperimi i pozicionimit të shqiptarëve si faktor vendimmarrës në Maqedoninë Veriore dhe ngushtimi i hapësirës së ndikimit të marionetave të Serbisë për ta mbajtur edhe më tej Kosovën si neokoloni Serbe, e bën traumatizimin e klasës politike serbe edhe më frustrues e të venerueshëm. Shih për këtë, deklaratat e grupit të Quintit për fillimin e mënjihershëm të dialogut Kosovë – Serbi tashti, në prag të zgjedhjeve, sikur reflekton mosnjohje të realitetit politik në Kosovë! Marionetat e Beogradit, dhe jo vetëm ata, do të duhej ta dinin se Kosova nuk ka tokë për të shitur.

Ndarja e Kosovës është saktësisht ajo çfarë i duhet Putinit, për të arsyetuar veprimet e tij në Gjeorgji, Moldavi dhe Ukrainë. Kjo as që vihet në dyshim”, pohon taksativisht Daniel Server, eksperti amerikan për Europën Juglindore, në një intervistë dhënë së fundmi në Prishtinë.

Hijet e së shkuarës në mardhëiet dhe raportet mes dy popujve – shqiptarëve dhe serbëve,- shkojnë thellë në histori, por ato kulmojnë për të keq në shek.19-të, për të vazhduar gjatë gjithë shek. 20-të. Atëbotë, kur serbët do të hidhnin themelet e shtetit modern, ata njëkohësisht po hartonin edhe planin e parë (1844 Naçertanja) për zhdukjen e Kombit shqiptar. Ndërkaq gjatë gjithë shek 20-të ata do të harrojnë plot 19 programe për zhdukjen e shtetit e kombit shqiptar, duke vënë në veprim Shtatmadhërinë e Ushtrisë dhe armata të tëra, madje edhe mercenarë rusë po për këtë qëllim.

Për këtë objektiv strategjik të Beogradit do të vihen në jetë, pas Naçertanjes (1844), njeri pas tjetrit planet e Akademikut serb Vaso Çubrilloviq (1937;1944); ai i diplomatit dhe nobelistit Ivo Andriq (1928) e deri tek ai “Patkoi” i Shtatmadhorisë së Ushtrisë Serbe (1999). Në këto projekte, të gjithë autorët serbë pa përjashtim i trajtojnë shqiptarët si pengesë reale për ekspansionin serb dhe zgjerimin e “Lebensraum-it” serb drejt Durrësit. Serbia, respektivisht ideologët pansllavistë, madje edhe komunizmin si ideologji e kombiojnë me idenë ekspansioniste në dëm të shqiptarëve.

Edhe në raportet e depeshet e diplomatëve të kohës të akredituar në cilësinë e konsujve në Shkup, Manastir, Prizëren, Prishtinë… shihet se për ideologët dhe ushtarakët serbë, shqiptarët mbesin përherë ,,të rrezikshëm” për interesat serbe. Për rrjedhojë, për zhdukjen e tyre lejohen të gjitha masat e mjetet e mundshme. Ky qëndrim reflektohet edhe në sjelljet e ushtarëve serb në ditët që ata do të pushtonin qytetin verilindor të Shqipërisë – Kumanovën (tetor 1912), e që revolucionari rus, Lew Trocki (1879-1940), atëherë korrespondent lufte në Ballkan, botuar në gazetën e Kievit “Kievskaja Misl”, nr. 355, më 23 dhjetor 1912:

“Mizoritë nisën posa e kaluam kufirin e vjetër serb. Kur iu afruam Kumanovës rreth orës 17:00, dielli posa kishte perënduar dhe po terrohej. Por sa më shumë terrohej, aq më i fuqishëm bëhej kontrasti me zjarret që po e ndriçonin qiellin. Kishte zjarre gjithandej. Një mori fshatrash shqiptare ishin shndërruar në vargje tymi- në largësi, në afërsi madje edhe buzë hekurudhës. Kjo ishte hera e parë që vërtetë e shihja luftën, masakrën e ndërsjellë të qenieve njerëzore. Shtëpitë po digjeshin. Pronat e njerëzve të trashëguara nga baballarët, gjyshërit dhe katragjyshërit po shuheshin në tym. Zjarret e mëdha përsëriteshin pa ndalur deri në Shkup. (…) I gjithë qyteti ishte vdekshëm i heshtur.

(…) Një mëngjes, dy ditë para se të arrija në Shkup, banorët i kishin parë një grumbull trupash të pakokë shqiptarësh të hedhur nën lumin kryesor mbi lumin Vardar, mu në qendër të qytetit.”

Më tej, Trocki na e sjell një dialog me ca ushtarë serb në Ferizaj.

“Po çka pra po bëni tash në Ferizaj në mes shqiptarësh?” – e pyeta.

“Po pjekim pula dhe po masakrojmë shqiptarë. Por u bë boll më”, shtoi ai, duke gogësirë dhe me fëtyrë mërzie e indiference.

“Megjithatë ka njerëz të pasur në mesin e tyre. Afër Ferizajit erdhëm te një fshat, fshat i pasur, me shtëpi si fortesa. Pra, hymë në njërën nga to. Pronari ishte një plak i pasur, me tre djem. Aty ishin katër burra dhe shumë gra. I nxorrëm prej shtëpisë, i rreshtuam gratë dhe ua masakruam burrat para syve. Asgjë nuk ndodhi. Gratë nuk qanin. (…)

“Por si keni mundur të silleni si bishat?” – e pyeta gjithë tronditje.

Kështu është puna; mësohesh. Kishte qaste kur ndihesha dobësirë kur duhej vrarë ndonjë plak apo ndonjë djalosh të pafajshëm. Por kjo është luftë, dhe e dini edhe vetë se kur komandanti ju urdhëron, duhet zbatuar urdhërin. (…)

Pas rrëfimeve tjera që pasqyronin sjelljet e ushtarëve serb ndaj shqiptarëve sikur të ishin kanibal të kohës sonë, Trocki ia thotë njërit prej tyre:

“Që të gjithë janë shndërruar në egërsira dhe e kanë humbur njërëzoren.”

Kjo sjellje e Shtetit serb dhe ushtarit serb do të reprizohet sërish në fund të Luftës së Dytë Botërore, kur Kosova do të ripushtohet nga ushtria partizane, dhe së fuundmi në luftën e viteve 1998/99, kur gjithandej Kosovës ata do të bëjnë mbi 400 masakra masive, në të cilat do të pësojnë përveç të rriturve, gra, burra e pleq, edhe 1441 fëmijë.

​*

Shqiptarët përgjatë gjithë shekujve 19-të e 20-të do të trajtohen se ,,armiku kryesor” i Serbisë dhe, këtë qëndrim, të shndërruar në ,,fakt”, nuk e ndryshon as koha e as rendet e sistemet politike. Por, krahas ngulitjes së ,,këtij besimi”, respektivisht paragjykimi, për dy shekuj me radhë, d.m.th për 8-9 breza serbësh, në ndërdije do të krijohet edhe kompleksi i nënvlerësimit të vetëvetes, një lloj inferioriteti për faktin se shqiptarët ishin autoktonë në këto troje dhe krenarë për historinë e tyre. Sidomos epoka e Gjergj Katriotit, që njihet në histori si Moti i madh, pozicionimi e rreshtimi i tyre në ballë të qëndresës së civilizimit perëndimor në përballje me Perandorinë Osmane, mbi të cilën bazë qe zgjeruar e selitur edhe ndërgjegjia nacionale e shqiptarit modern, e bën rivalitetin shqiptaro – serb edhe me të ndjeshëm. Në shumë prej ,,studimeve” të akademikëve serbë, shih për këtë, në epokën e Millosheviqit, kemi një shpërthim të histeriigrafisë e politikës serbe në raport me shqiptarët, që do të kulmojë në prag të luftës, me fjalimin e S.Millosheviqit në Gazimestan, kur ai de fakto u shpalli luftënshqiptarëve pa dallim.


Gjatë LDB pati përpjekje për përparim për bashkpunim në frontin antifashist nga forcat progresive nga që të dy palët. Produkt i këtij bashkpunimi ishte lufta partizane, kontributi i Brigadave shqiptare për çlirimin e Novipazarit dhe ndjekja e gjermanëve deri në Vishegrad. Kurorëzimi i këtij përafrimi, sidoqoftë, mbetet Konferenca e B ujanit dhe vetë akordanca për tekstin e rezolutës që miratoi kjo konferencë. Konferenca i zhvilloi punimet më 31 dhjetor 1943 dhe 1 e 2 janar 1944, në Bujan, Malësi e Gjakovës. Në konferencë morën pjesë 49 delegatë, prej tyre 43 ishin me përkatësi kombëtare shqiptarë, 4 serb, 3 malazez dhe 1 i kombësisë boshnjake. Konferenca nxori rezolutën e saj historike. Në këtë rezolutë janë theksuar qartë objektivat e Këshillit Nacionalçlirimtar të Kosovës në raport me vizionin dhe gjakimin e shqiptarëve për bashkim. Pikat e kësaj rezolute, që ndërlidhen me vizionin në fjalë, janë si vijon:

  1. Kosova dhe Rrafshi i Dukagjinit janë të banuara kryesisht me shqiptarë.
  2. Shqiptarët e Kosovës dhe të Rrafshit të Dukagjinit, si gjithmonë, dëshirojnë bashkimin me Shqipërinë.
  3. Rruga më e mirë për shqiptarët që të bashkohen me Shqipërinë është lufta e përbashkët me popujt tjerë të Jugosllavisë.
  4. Populli shqiptar i Kosovës do të ketë mundësi ta caktojë fatin e vetë si rezultat i luftës kundër pushtuesit.
  5. Përcaktimi i fatit të vetë përfshinë edhe të drejtën e vetëvendosjes deri në shkëputje.
  6. Kjo e drejtë garantohet nga Lufta Nacionalçlirimtare e Jugosllavisë, Shqipërisë dhe aleatët e mëdhënjë antifashistë, ashtu siç është premtuar nga Karta e Atlantikut, Konferenca e Moskës dhe e Teheranit.
    Por, ende pa mbaruar mirë LDB, madje në vigjilje të epilogut të saj, Çubrilloviqi hartoi dhe vuri në dispozicion të Shtatmadhrisë së Ushtrisë Partizane Serbe projektin e tij të dytë për zhdukjen e Shqiptarëve dhe rikolonizimin e Kosovës. Duke e njohur në themel strategjinë serbe në raport me shqiptarët, por edhe gjasat reale se komunistët shqiptarë do të viheshin shpejt në lajthtje të plotë, nacionalistët shqiptarë në Kosovë këtyre objektivave pretenduan t’i përgjigjen përmes krijimit të strukturës së parë politike me orjentim nacional të qartë dhe në esencë edhe antikomuniste, duke mëtuar të kordinonin veprimin me Shërbimin Intelegjent ushtarak anglez. Ky koordinim, pavarsisht premtimeve, do të jetë i destinuar të dështojë pa filluar mirë, meqë Britania e Madhe i nënshtrohej marrëveshjeve të arritura në Konferencën e Jaltës, ku ishin përcaktuar zonat e influencës dhe rrjedhimisht forcat anglo-amerikane nuk zbarkonin dot në Adriatik, ndërkaq Jugosllavia gjithashtu, i ishte nënshtruar në heshtje ndarjes de fakto mes Perendimit dhe Moskës. Ky përcaktim i zonave të interesit mes të mëdhenjëve ishte kryer në Jaltë, më 29 janar 1944. Në këtë takim, “Stalini, praktikisht, kishte nxjerrë gjithë atë që donte nga aleatët. Zakonisht për këtë i vihej faji sëmundjes së Ruzveltit, që, për më tepër, pësonte joshjen e diktatorit. Dy udhëheqësit perendimorë qenë akuzuar se: i kishin shitur Stalinit Evropën Lindore.” Në këtë konferencë Shqipëria dhe shqiptarët do të mbeteshin në zonën e interest rus, duket në shkëmbim me Greqinë, që do të kalojë në zonën e interest Perëndimor, pavarësisht se Partia Komuniste e Greqisë dhe lëvizja partizane atje ishte shumë herë më e madhe se ajo në Shqipëri. Në këtë rrafsh diferencën e bënte në favorin grek blloku nacionalist grek që i ishte bashkuar Fontit antifashistë të Atlantës dhe ishte ngushtësisht i lidhur me Londrën.

*​ *​*

Vitet 70-ta të shek.20-të do të shënojnë edhe në raportet shqiptaro-serbe, si mes Perendimit e Lindjes, një lloj shtendosje (detante), që do të përdoret nga të dy palët, si ,,mjet për kontrollimin e konfliktit”, siç do të thoshte Kisinxheri. Natyrishtqë pala shqiptare, qoftë udhëheqsit e Republikës së Shqipërisë, qoftë edhe ata të nomenklaturës autonomiste të Kosovës me orientim më të theksuar nacinal nga pozitat e institucionalizmit zyrtar, do ta shfrytëzojnë këtë status për thellimin e bashkëpunimit ndërshqiptarë në fushën e arsimit, kulturës etj:, por edhe për avancimin e statusit politik të Kosovës, si rrugë e ndërmjetme për normalizimin e raporteve me Serbinë dhe kombin serb. Por, nëse shtendosja si nocion politik ka kuptimin e fillimit të ndërtimit të një lloj mirëkuptimi reciprok, respektivisht të legjitimimit të interesave nacionale edhe për palën tjetër, në këto marrëdhënie, pala serbe, nga pranvera e vitit 1981 e dëshmoi qartë se nuk është e gatshme të respektojë fare interesat vitale të shqiptarëve si Komb. Përkundrazi, Beogradi do ti shfrytëzoj demonstratat për Republikë (1981) si preteks për ndërhyrje diverzicioniste në Republikën e Shqipërisë dhe për shuarjen e autonomisë politike, që Kosova kishte arritur me Kushtetuten e1974-ës. Rezultat i penetrimit të shërbimeve serbe më me ngulmë, ishte hedhja në veprim e agjentëve ,,të fjetur” në Tiranë, që do të katapultojë me (vetë)vrasjen e kryeministrit Mehmet Shehut dhe arrestimin e pushkatimin e Ministrit të Brendshëm, Kadri Hazbiu. Ndërkaq në Kosovë do të thellohet kursi antishqiptar që shumëkujt nga brezi më i vjetër ju sillte ndërmend zezonën e Aleksandër Rankoviqit, ish ministrit të brendshëm jugosllav dhe dimrin e ashpër të vitit 1957, kur ai kishte ndërmarrë aksionin më të egër për mbledhjen e armëve në popull, me çrast do ta shtrojë në dru në masë çdo mashkull të moshës madhore. Duke pregaditur kështu terrenin për shpërngulje të popullsisë shqiptare për Turqi. Me këtë aksion ai kishte objektiv të qartë: t`u impononte shqiptarëve luftën, si të vetmin mjet politik për ruajtjen e qeniës dhe hapsirës së vetë autoktone ose nënshtrimin e asimilimin gradual pa kushte.

Politika e Detantës në vitet e 70-ta dha rezultate të prekshme në Kosovë. Ato vite (1968-1981) do të shënojnë rilindjen e mirëfilltë kombëtare në shumë plane. Por, siç do ta dëshmojë koha, që të dy palët, këtë periudhë do ta shfrytëzonin për arritjen e ,,kuotave më të larta strategjike”, duke mos i besuar fare njëra palë tjetrës. Derisa pala shqiptare gjithnjë e më shumë po unifikohej rreth strategjisë përngritjen e statusit të Autonomisë së Krahinës Socialiste Autonome të Kosovës në Republikë brenda Federatës jugosllave, duke e konsideruar këtë si hap strategjik që garanton vetëvendosjen e brendshme si akt të pranueshëm edhe nga faktori ndërkombëtar,e që do të krijonte kushte e rrethana më të favorshme në një të ardhme të afërt për shprehje të lirë të vullnetit politik për bashkim, pala serbe nuk kishte pushuar asnjëherë së vepruari përmes shërbimeve të veta të Intelegjencies për rrëzimin e pushtetit në Tiranë dhe shëndërrimin e Republikës së Shqipërisë në Republikë të 7-të të Jugosllavisë, ndërkaq shuarjen e statusit që kishte si rezultat i Kushtetutës së 1974-ës do ta ketë si objektiv strategjik me urgjencë.

Demonstratat e pranverës së vitit 1981 do të shënojnë edhe në këtë përballje, respektivisht në këtë rrafsh të prapavijës së Luftës së ftohtë, kuata të mira strategjike për të ardhmen e Kombit. Diskreditimi i Jugosllavisë në rrafshin politik e ideologjik, siç do të vërej me drejtë më vonë Arbër Xhaferi, do të jetë me pasoja edhe në rrafshin global, sidomos për Jugosllavinë. Kontributi që dhanë Kosovarët, konkretisht Demostratat e vitit 1981 në këtë plan, do të vihet në pah tek më vonë. Ato, thekson Arbër Xhaferi, pra “Demonstratat e vitit 1981 dhe ngjarjet që pasuan nxorën në shesh të drejtat e rrejshme, ligjet e pavlefshme, autonominë formale” që kishte Kosova dhe shqiptarët në ish Jugosllavi.

Por, këto ngjarje duhet studjuar edhe si të ndërlidhura me fillet e shndërrimeve të mëdha gjeopolitike në rrafshin botëror. Shpërbërja e Jugosllavisë filloi pikërisht në Kosovë dhe me këto demonstrate. Por, “rolin e vërtetë historik dhe global të këtyre demonstrative nuk mund ta gjejmë në dimensionin e përshkrimit të detajeve të ngjarjeve, por vetëm në korrelacion me zhvillimet në planin global”, shkruan më tej në esenë e tij të mirënjohur me titulin sinjifikativ “Kërkimi i ethshëm i fajtorit”, Arbër Xhaferi më në njërin nga përvjetorët e tyre, saktësisht më 16.03.2008. Në këtë rrafsh ai promovon tezën e tij të mirënjohur që ndërlidhet me doktrinën e komunizmit jugosllav mbi gjoja “zgjidhjen e çështjes etnike” në Jugosllavi. Ai shkërmoq këtë doktrinë me pak rreshta.

“Komunizmi u shfaq në skenën historike dhe ndërtoi strukturën e tij mbi dy pretendime kryesore:

  1. Zgjidhjen e çështjes së klasës punëtore në shoqërinë moderne dhe
  2. Zgjidhjen e çështjes etnike.
    Në Poloni në vitin 1980 u zhvillua një aktivitet sindikalist i njohur me emrin “Solidarnoshq” që kontestoi pretendimin, premisën e parë të ngrehinës komuniste, ndërkaq demonstratat e Kosovës (Prishtinës) të vitit 1981 e kontestuan premisën e dytë të kësaj doktrine”.

Me këtë akt pala shqiptare de fakto i kishte futur kazmën ngrehinës artificial me emrin Jugosllavi. Nuk do të vonojë dhe përplasjet do të shpërthejnë edhe brenda vetë fraksioneve të të ashtuquajturës Lidhje Komuniste e Serbisë, që de fakto ishte vetëm thellim i përplasjes mes dy kampeve të nacionalizmit serb me përmasa fashiste. Kjo luftë e brendshme do të shpërfaqet në vitet e fundit të 80-tave, ku profilohen më qartë dy kampe: në njërën anë kampi i S, Millosheviqit dhe në anën tjetër ai i Ivan Stamboliqit, por që në raport me shqiptarët nuk kishin farë diferenca konceptuale, prandaj kursi antishqiptar do të përfundojë me heqjen formale të Autonomisë në mars të vitit 1989. Me këtë akt, de Jure po promovohej Apart`heidi në koloninë e fundit që kishte toleruar rendi Liberal në Evropë!

Projekti i Millosheviqit tashmë dihet cili ishte, që atë e përjetoi brezi ynë, por cili ishte projekti i I.Stamboliqit? Për zbërthimin e tij sigurisht se në të ardhmën jo të largët do të dëshmojnë burimet arkivore serbe dhe jo vetëm ato, por telegrafikisht, ia vlen ta sjellë në këtë ese. Në një nga zyrat e burgut të Vrajës, në pranverën e hershme të vitit 1995, kisha një përballje atipike me kryëhetusin tim A V., një Kuisling sadist i mirënjohur dhe dy bashkëpuntorët e tij: R.S. dhe D.M. Një i ftohtë i thatë, sikur donte ta mbante tutje pushtetin e acart të atij dimri nga më të ftohtit e shekullit 20-të. Zyra ku më prisnin të tre ish udbashët sadist shqipfolës, në krahasim me qelinë ku vuaja dënimin, më ngjante si një kënd i parajsës së munguar. Vazhdimi i marrjes në pytje dukej se ishte një mbyllje e kapitullit të hetimeve ndaj mbi 300 të arrestuarve gjat dhjetorit 1984 dhe janarit 1985 gjithandej në Kosovë dhe kudo ku jetojnë shqiptarët – nga Struga e deri në kazermat e Ushtrisë Jugosllave në Sarajevë, Lubjanë e gjetkë. Hetuesit jo pa të drejtë kishin supozuat se mund të jem i ndërlidhur me ndonjërin nga të arrestuarit dhe lehtë mund të më rikthenin në burgun hetues të Gjilanit dhe të hapnin procedurë të re hetimi e rigjykimi. Pra kjo “bisedë rutinë” ishte më shumë se kaq, që në raport me ish të burgosurit politikë shqiptarë aplikonte UDB-ja në vazhdimësi. Meqë shokët e burgosur gjatë asaj vale masive arrestimesh kishin rezistuar, nuk kishin dekonspiruar asgjë që do të më inkriminonte mua, shumëçka ishte mbyllur ashtu siç nuk e kishte pritur kryehetusi im A.V., prandaj stili i komunikimit me mua kësaj radhe ishte disi ,,më i përgjegjshëm” dhe me tone e sjellje ,,më civilizuese”! Mungonin mbi tavolinë shkopinjtë e gomës dhe ambrella elektrike, por edhe govata e ujit, që e kishin aty për t’më rikthyer në jetë gjatë hetimeve intensive, kur ndodhte shpesh t’i humbisja ndjenjat.

  • E di se ti më cilëson si kuisling, tradhtar e çka jo, filloi A.V. me ligjeratën e tij bukur të gjatë.- Por një gjë mund të ta garantoj, u shpreh nga fundi i fjalës së tij,- ne do ta fitojmë Republikën në vitin 1989, ndërkaq juve të burgosurve politikë, tutje do t’ju mbajmë në vështrim dhe përherë do të jeni të shtypur e të përndjekur, madje ca prej jush do t’ju mbajmë përjetsisht në burgje. Përndryshe, në Republikën që do ta udhëheqni ju, unë as që do të pranojë të jetoj. Do të shkojë e do të kërkoj azil politik në Rumani; në Republikën tuaj kurrë nuk do t`mi shihni sytë!
  • Është çështje e juaja se ku zgjidhni të jetoni e si do të jetoni; si shqiptar, respektivisht si qytetar i rendit të parë, apo si vasal i përjetshëm, ia ktheva unë.
    Të nesërmen, gjatë shetisë, ia shpalosa edhe këto detaje të dialogut mikut tim Emin Krasniqit. Ai më kishte rrëfyer për ca informacione sekrete rreth arrestimeve masive të vjeshtës së vonë të vitit 1984-ës, por edhe për Lëvizjen e pritshme politike në Shqipëri etj. që i ia kishte përcjellë Metush Krasniqi. Emini ma pohoi si fakt dhe informacion të verifikuar çështjen e Republikës Autonome të tipit rus. ,,As Autonomi e as Republikë”, ecilësonte atë botë Beogradi zyrtar këtë status që po shestonte kampi i Ivan Stamboliqit për t`ia akorduar Kosovës, si përparësi që do të duhej marrë në konsideratë, meqë sipas tyre kështu do të garantohej të mbahej Kosova tutje si koloni serbe dhe nën tutelën serbe.

Nomenklatura titiste në Kosovë, e verifikuar mirë nga shërbimet serbe, në krye të secilës ishte pikërisht Azem Vllasi, në bashkpunim me klanin e Ivan Stamboliqit, kryetar të LKJ-në Serbe, në akordancë me Rusinë, do përgatiteshin për ngritjen e Statusit të Kosovës në një tip të Republikës Autonome, siç i kishin atëherë ca Republika në Rusi, ishte konkluzioni ynë. E reja, që mund të nxjerrim nga kjo marrje në pyetje, qenka se ata e paskan shenjuar vitin se kur do të fillojnë të angazhohen për ta kurorzuar si plan B, që do të shtynte për disa dekada Republikën.

Historia e vitit 1989 me grevën e minatorëve të Trepçes dhe manipulimi me shpirtin sakrifikues të minatorëve nga ana e titistëve kosovarë në pushtet, protestat me flamuj jugosllavë e postere të Titos në ballë, por edhe me fundin tragjik të Ivan Stamboliqit dhe burgosjen e Azem Vllasit, e më pas edhe me pezullimin e Autonomisë dhe aplikimin e Aparthejdit, i dha fund këtij skenari dhe i hapi rrugë përplasjeve të reja shqiptaro-serbe, që do të thelloheshin në dekadën e fundit të shek.20-të dhe më pas edhe gjatë luftës së UÇK-së (1998/99).

Sindromi sadist sërish qet kokë

Qershori i vitit 1999 shënon fundin e epokës së kolonializmit serb në Kosovë (1912-1999), ndërkaq 17 Shkurti i vitit 2008 kurorëzon përpjekjet shekullore të kësaj pjese të kombit tonë për mbijetesë dhe Liri.

Me gjithë gadishmërinë e palës shqiptare për ,,një fillim të ri”, që do të mund të hynte në histori si ,,kthim historik” në historinë e raporteve shqiptaro-serbe, Beogradi nuk heq dorë nga politikat shovene dhe idetë për ripushtimin e Kosovës. Procesi i Berlinit i inicuar nga kancelarja Gjermane Angela Merkel, ka rrezik të mbetet vetëm dëshmi e një vullneti të mire nga pala gjermane për të ndërmjetsuar pajtimin mes dy rivalëve shekullor të Evropës Juglindore. Marrëveshja e fshehtë e përafruar nga presidentët A.Vuçiç dhe H. Thaçi për ndarjen e Kosovës në emer të shëkëmbimit të territoreve, respektivisht të përkufizimit të territoreve mes shqiptarëve dhe serbëve,duket t’i ketë pasur fundin e saj para se të fillonte procesi. Zbulimi i saj nga diplomacia e fshehtë e shteteve mike, ka shkaktuar zhgënjim të thellë në popull dhe çarje të thellë brenda spektrit politik, por edhe fundin e parakohshëm të Qeverisë Haradinaj.

Kjo periudhë qe karakterizuar me krizë morale, thellim të varfërisë dhe kaosit, por edhe të rënies së maskave të oligarkëve. Duket që për studjuesit e historisë politike shqiptare do të shënojë edhe dekadën kur lidershipi kosovar do ta rikthejë në jetë sindromin esadist, duke u vënë plotsisht në shërbim të agjendes politike serbe. Aktivizimi i Gjykatës Speciale dhe paralizimi (ftesat për intervistim) për mundësinë e sjelljes pothuajse të të gjithë Shtabit të Përgjithshëm të UÇK në bankën e të akuzuarve, është dëshmija më e mirë jo vetëm e nënshtrimit të olhokratëve tanë, por edhe rikthimit në jetë të sindromit esadist, për të cilin fenomen kishte paralajmruar me kohë Ukshin Hoti.

Marrëveshja e fshehtë për ndarjen e Kosovës duket të ketë qenë në themel të “një fillimi të ri” të mardhënieve shqiptaro-serbe me pajtimin e treshes: Vuçiq- Rama-Thaçi. Ajo riktheu në jetë sindromin esadist. Sidoqoftë, si e tillë, hasi në kundërshtim masiv të spektrit politik. Ndërkohë ajo ka gjasa të mira të mbetet si marrëveshje në tentativë. A do ta kemi shpejt “një fillim të dytë të ri”, për rishikim të raporteve serbo – shqiptare, që do të shënonte prologun e marshit të të dy kombeve drejt Europës së re, mbetët të shihet shpejt.

*​ *​*

Në botën e mistershme të Hashim Thaçit, që nga katapultimi i tij në krye të UÇK-së, por sidomos nga 19 prilli i 2013-ës, kur ai nënshkroi marrëveshjen në Bruksel, e cila do t’i cenojë rend interesat nacionale, duke rikthyer Beogradin përmes “Listës Serbe” në bashkëqeverisjen e Kosovës, bën jetë aktive sindromi esadist. Ndërkaq si kryeolhokrat e ka dëshmuar se për t`shpëtuar bythën e vet, është në gjendje ta shndërrojë Kosovën dhe trojet shqiptare në “teatër të ndonjë lufte eventuale globale”. Ky rezonim i olhokratëve tanë e rrëzoi Qeverinë Kurti (25 mars 2020), që për shumëçka na kujton aktin e rrëzimit të Qeverisë së F.Nolit (janar 1925) dhe demokracinë e rrethuar shqiptare. Le të kujtojmë se në një pjesë të mire të shteteve atbotë në pushtet po etabloheshin fashistë që po pregaditeshin për shpërthimin e Luftës së Dytë Botërore.

Në librin e saj voluminoz me titull “Rusia e Putinit”, Angela Stent, Drejtoreshë e Qendrës për Studime për Euroazi, Rusi dhe Europën Perendimore, njëkohësisht edhe profesoreshë në Georgeton University, sjellë këtë të dhënë me interes edhe për politikën shqiptare sot:

Përkundër dëshirës së Trump-it, që çështja e cila kishte të bënte me ndërhyrjet e Rusisë në procesin e zgjedhjeve presidenciale, të shmanget, kjo temë e ndjek atë që nga dita e tij e parë në Zyrën ovale; ajo e ka penguar edhe në përpjekjet e tij për t`ju afruar Putinit. (…) Opinionit të gjerë tema ju bë e njohur për herë të parë në tëtor 2016, atëherë kur revista e njohur amerikane, MOTHER JONES, me orjentim liberal të majtë, në një artikull të saj pretendonte se, FBI-ja është duke ndjekur supozimet dhe pandehmat që i ka ngritur Intelegjencia ushtarake britanike – MI6, në një varg të raporteve të tij. Kristofer Steele, kështu quhet agjenti britanik që ishte ngarkuar nga një kompani amerikane që të merrte nën llupën e hetimeve marrëdhëniet e Donald Trump-it me palën ruse. Dëshmitë që siguroi ai, thuhet në konkluzionet e Steel-it, na bëjnë me dije se, “regjimi rus ishte përkujdesur e kishte kultivuar, mbështetur dhe ndihmuar për së paku pesë vjet Trump-in. (…) ”Qëllimi i Putinit në këtë rast është që të nxisë çarjen dhe të thellojë diferencat brenda strukturës Atlantike (NATO-s), vazhdon tutje raporti i Steel-it. Përveç tjerash, pretendon ai në raport, Shërbimi sekret rus, gjatë qëndrimit të Trump-it në Moskë e ka “kompromituar” atë, për çka ai mund të “shantazhohet”.

Çfarë rezultatesh do të sillte hulumtimi i një K.Steel-it tonë po që se do të angazhohej nga akcili institucion yni shtetëror, medial a shkencor, që “të mirrte nën llupë” rrugëtimin politik e operativ të Hashim Thaçit, deri te çasti i katapultimit të tij në krye të Drejtorisë Politike të UÇK-së, e më pas edhe në krye të Shtetit, që si pozicione të larta shtetërore do tia mundësojnë takimet e fshehta me presidentin serb Aleksandar Vuçiq dhe parafrimin e marrëveshjes për ndaren e Kosovës? Sekret publik tashmë është fakti se, atij vazhdohet ti bëhen shantazhe duke ia përkujtuar Gjykatën Speciale e deri tek bërja publike e aktakuzës nga Prokuroria e kësaj Gjykate në prag të udhëtimit të tij drejt Njujorkut, në takimin “historik”, ku pritej nënshkrimi i marrëveshjes në fjalë gjithmonë në përputhje me agjendën politike serbe.

  • * *

Serbia ndërkohë është shndërruar në forcë gravituese për të gjithë serbët e hapsirës së ish Jugosllavisë, rrjedhimisht edhe për kolonët serb të Kosovës (të sjellur nga viti 2013 e tutje) dhe atë pakicë serbe që ishte vendosur në Kosovë ndër shekujt e koegzistencës ndërfqinjësore. Pavarsisht se ajo kishte shkaktuar katër luftra në ish Jugosllavi (në Slloveni, Kroaci, Bosnjë dhe Kosovë), Serbia ka pritur që për këto dy dekada të rikuperohet plotësisht dhe të shndërrohet në vendin me investimet më të mëdha të kapitalit të huaj. Ajo ndërkohë shërben si partnere reale jo vetëm në raport me Rusinë, por edhe me fuqitë tjera rajonale, para së gjithash për Turqinë dhe Kinën. Brenda Shtetit serb, A. Vuçiq, si vozhdët pararendës, ka rikthyer modelin e pritjësit autoritar. Falë pozitës gjeostrategjike, historisë politike dhe faktorëve tjerë (gjuhësor, kulturor e ekonomik), Serbia flirton hapur me Rusinë e Putinit si ”shtet mafi”, duke sfiduar hapur Rendin Liberal në gjithë Evropën Juglindore.

Derisa ra komunizmi në Shqipërinë politike, dominonte teza se Serbia po gjen përkrahje në Perëndim edhe në dëm të Kosovës, meqë ajo, pra Shqipria po vazhdon të jetë “Fanar i Komunizmit” në botë. Kjo tezë pjesërisht edhe mund të- ketë pasur bazë reale. Por, rënia e komunizmit në Shqipëri, aderimi i saj në NATO dhe sidomos intervenimi i NATOS (1999) në Kosovë, çlirimi i saj dhe krijimi i një realiteti të ri gjeopolitik, kanë përmbysur shumë paragjykime dhe interesa të shumta. Nëse e parafrazojmë L. Trockin, sistemi komunist ala rus, tashmë ka vajtur në grumbullin e plehrave të historisë, ndërsa Shqipëria dhe shqiptarët si Komb, i janë rikthyer vlerave të perëndimit, pra vlerave të veta, për të vazhduar jetën tok me familjen Europjane nga aty ku i kishte lënë Gjergj Kastrioti, duke u integruar plotësisht në civilizimin Perendimor, pjesë organike e të cilit janë. Në këtë proces sigurisht se nuk ka munguar ndihma e Perendimit, për çka shqiptarët si Komb mbesin përjetësisht mirënjohës. Për fat të keq, Perendimi bëri ndërkohë të njejtin gabim strategjik siç kishte bërë në Rusi pas rënies së komunizmit. Para syve e nën hundët e EULEX-it në Kosovë, një shtresë olhokratësh (sundimtarë fundrrina) u toleruan të vrisnin shpresën e të rinjëve, meqë shteti u la në duar të mafisë politike,duke sakrifikuar kështu zhvillimin dhe prosperimin socialekonomik, madje duke rrezikuar vetë rendin liberal, në emër të paqes dhe stabilitetit! Olhokratët tanë të identifikuar si strukturë nën akronimin SHIK (alias PDK), pasi morën pushtetin edhe de jure (2007) dhe konsoliduan sundimin e tyre duke kapur Shtetin në të gjithë segmentet vitale, tek atëherë Perendimi do të vërente se ata nuk njohin e as që përfillin parimet e shtetit të së drejtës. Duke i vënë në rend të parë interesat e klanit dhe fisit, ata Republikën e ndanë në feude, ndërkaq nuk hezituan që për ruajtjen e pushtetit të koketojnë edhe me Beogradin. Beogradi duke i njohur mirë shpirtin e këtij soji autokratësh feudal, duke ringjallur sindromin esadistë “të fjetur” tek një sërë ,,personalitetesh” të mistershme të politikës dhe biznesit, në çastin historik do t’i katapultojë në krye të piramidës shtetrore.

Nënshkrimi i marrëveshjes të prillit 2013 dhe gushtit 2015, për mbi të gjitha, gadishmëria për ta nënshkuar edhe ndarjen e Kosovës (2018), dëshmon se sindromi esadist i olhokratëve tanë na shpërfaqet hapur dhe në përmasa më groteske të mundshme. Sinonimi i tij është tashmë vetë presidenti i Republikës!

Strategjia dalëse

Objektivi dhe qëllimi parësor i Shqipërisë dhe shqiptarëve (edhe i Kosovës si Republika më e re në Europë) në dekadën pasuese, mbetet të rivlersoj vetvetën, të ndërtojë shtetin e së drejtës, duke u integruar plotësisht në institucionet euroatlantike. Vetëm si të tillë ne mund t’i imponohemi Serbisë dhe aleatëve të saj, që t’na trajtojë dinjitetshëm dhe si partner real.

Duke realizuar hap pas hapi objektivat strategjike jetësore, në radhë të parë, duke funksionalizuar Republikën e Kosovës, tutje në proces drejt integrimit brendakombëtar, që nënkupton ndërtimin e Federatës Shqiptare; së dyti, duke faktorizuar shqiptarët në Maqedoninë Veriore, duke nxitur reforma të thella Kushtetuese në Maqedoninë Veriore, që për objektiv duhet të kenë garantimin e të drejtave të plota të shqiptarëve atje, duke imponuar vetëvendosjen e brenshme; së treti, duke forcuar qeverisjen lokale në Mal të Zi, që do t’ju siguronte prosperim dhe selitje të mirëfilltë të identitetit shqiptarëve në këtë Republikë mike; së katërti, duke insistuar për ruajtjen dhe selitjen e qenies së shqiptarëve në në cepin verilindor të trojeve shqiptare -Preshevë, Bujanoc e Medokë, por edhe duke vepruar në rrafshin kulturor për zgjim të ndërgjegjes nacionale të shqiptarëve në Novipazar dhe në Sanxhak e Tutin.

Shekulli 21 prandaj do të jetë shekulli i shqiptarëve, i rikthimit të tyre të plotë në jetën shoqërore e ekonomike në Evropën Juglindore, faktor i barazpeshave dhe i rikthimit politik. Ky rikthim politik i Kombit shqiptar dhe faktorizimi i tij, do të prodhojë gjithësesi efektet gjeopolitike të veçanta në dobi të Evropës së re, të bashkuar.

Rrjedhimisht Shqipëria dhe shqiptarët do të duhej të rishikonin pozicionin e tyre, duke u bazuar fort në gjashtë tezat e më poshtme, që mund të cilësohen edhe si gjashtë shtyllat mbi të cilat mund dhe duhet të ndërtohet strategjia dalëse nga gjendja aktuale.

➢ E para, Shqipria dhe shqiptarët nuk duhet të lejojnë të shëndërrohen në instrument politik të faktorëve të jashtëm që pengojnë procesin e integrimit të rajonit në BE. Shqipëria dhe Kombi shqiptar gjithandej duhet të identifikohet me botën e Perendimit, duke përçuar interesat e kësaj bote në Evropën Juglindore.
➢ E dyta, interesat e Kombit shqiptar janë legjitime, nëse jo shumë më shumë se ato serbe në Evropën Juglindore, së paku sa ato serbe. Këtë fakt Serbia dhe aleatët e saj duhet ta njohin.
➢ E treta, nëse Serbia ka të drejtë të interesohet për fatin e serbëve në rajon, kjo e drejtë legjitime nuk mund t’i mohohet Shqipërisë. Interesat jetike të shqiptarëve rrjedhimisht nuk duhet toleruar të cenohen nga askush. Këto interesa tashmë duhet të mbrohen edhe në Sanxhak dhe jo vetëm në Preshevë, Bujanoc e Medokë.
➢ E katërta, Shqipëria dhe shqiptarët mbesin tutje të interesuar dhe të përkushtuar që Evropa Juglindore ( Ballkani Perendimor, siq po quhet padrejtësisht), si tërësi të integrohet në strukturat euruatlantike. Vetëm atëherë garantohët paqa, mirëqenia dhe prosperiteti i rajonit.
➢ E pesta, nuk ka shtete sovrane të dy niveleve në Evropën Juglindore; të gjithë janë, respektivisht duhet të jenë të barabartë.Sovranitet absolut tashmë kanë vetëm fuqitë botërore dhe në masë të ndjeshme ato rajonale. Të gjithë shtetet e Evropës Juglindore janë shtete të vegjël, rrjedhimisht ata vetëm duke qenë anëtarë të BE-së e NATO-s do të ndjehen të barabartë, duke ia lënë historisë rivalitetin shekullor negativ. Në këto rrethana partneriteti i shteteve të rajonit me fuqit rajonale (me Rusinë, Kinën, Turqinë…) nuk do të duhej të jetë në dëm të njeri-tjetrit.
➢ E gjashta, Serbia duket se beson që do të realizojë më mirë interesat e veta strategjike, duke gjykuar se faktorët e jashtëm (Rusia, Kina…) që po investojnë në çarjen e BE-së dhe defaktorizimin e NATO-s, duke u mbështetur në ideologjinë pansllave, por edhe tek grupet e partitë tradicionale antiperendimore, gjithnjë duke nxitur edhe grupet euroskopike brenda faktorit shqiptar. Shih për këtë, Shqipria dhe shqiptarët, këtyre objektivave duhet t’i kundervihen me të gjitha kapacitetet.
Rivaliteti i egër shekullor mes shqiptarëve dhe serbëve mund të kthehet në miqsi, vetëm në një Evropë të re.

Aleksander Vuçiq, njësoj si Putini, që kulturën ruse tradicionale, shpirtin kolektiv dhe autoritar, thirret në ekcepcionalitetin rus që definohet si kundervënje ndaj Perendimit! Edhe ai, është produkt i shpirtit kolektiv serb të gërshetuar me kulturën dubioze bizantine, që e bën qytetarin serb të jetë europian ambivalent. Shih për këtë, Evropa ka nevojë t’i njoh serbët në esencë dhe t’i trajtojë ashtu si janë dhe jo ashtu si do të dëshironte ajo që ata të ishin. Katër luftrat që Serbia i shkaktoi në ish Jugosllavi, gjenocidin në Bosnjë e Kosovë, për ta imponuar ekscepcionalizmin serb, nuk duket se kanë qenë të mjaftueshme, që Evropa ta njoh e trajtojë Serbinë ashtu si është.

Duke e njohur Evropa Serbinë ashtu si është, do t’i akceptojë edhe raportet shqiptaro – serbe ndër shekuj të tilla siç ishin: Të mbushura me plotë e përplotë antagonizma. Si rrjedhojë ajo (Evropa) do ta orjentonte presionin për ndryshim mbi Serbinë, e më pak do të insistonte për normalizim marrdhënjesh shpejt e shpejt e formalisht. Promovimi dhe akceptimi i parimit të njohur në marrëdhëniet ndërkombëtare – ai i reciprocitetit, pra trajtimi dinjitoz, do të shpiente gradualisht tek kooperimi ndërfqinjësorë dhe një lloj koegzistence paqësore e kontrollueshme.

Perendimi nuk guxon të dështojë në Evropën Juglindore, siç ka dështuar në Rusi e pjesërisht edhe në Ukrainë. Mbështetja e dy kombeve: Kombit shqiptar dhe atij serb, nuk duhet tutje të ngatrrohet me mbështetjen e olhokratëve, oligorkëve, politikanëve autoritarë; ajo mbështetje duhet të zbres tek shoqërija civile, të ndjehet në fushën e arsimit, në atë të shëndetsisë, ekonomisë etj, duke u ndjerë masivisht tek shtresat e gjera të popullit edhe përmes demokratizimit të shoqërisë dhe mbi tëgjitha përmes mbështetjes së furishme në procesin e ngritjes së shtetit të së drejtës, instituacionalizimit të tij. Olhokratët e oligarkët, si ata serb në Beograd, edhe këta tanët në Prishtinë e Tiranë, këtë mbështetje reale, mund ta cilsojnë si investim në procesin e “ndërrimit të Qeverive”, por kjo nuk duhet ta zmbrapsin Perendimin.

Perendimi po aq sa shqiptarët, për dallim nga serbët dhe Rusia, do ta dëshironin një marrëveshje që promovon paqen në rajon dhe jo një konflikt të ngrirë.

Gusht 2019 / Burgu i Lipjanit

  1. Ana Nemstwa, A Bloodless Uprising in Armenia Just Forced the Leader to Resign: Will New Peaceful Revolutions Folloë? “, Daily Beast, 23. April 2018, https://www.thedailybeast.com/a-bloodless-uprising-in-armenia-just-forced-the-president-to-resign-will-new-peace-ful-revolutions-follow.
  2. Dr Islam Lauka, Kosova e kërcnuar nga gjarpri I shtëpisë, Prishtinë, 2019, f. 111
  3. Po aty, f.111
  4. Enver Hasani, Koha ditore, 19.08.2019, f/11
  5. Po aty
  6. Daniel Server, ish Zyrtar I Departamentit të Shtetit, Koha ditore, 22 korrik 2019
  7. Robert Else & Bejtullah Destani, Kosova një histori dokumentare, Prishtinë, 2019, f. 163-167
  8. Kastriot Dervishi, Historia e Shtetit Shqiptar 1912-2005, tiranë, 2006, f. 536
    Shih më gjerësisht kujtimet e Ramiz Alisë.
  9. Sadri Ramabaja, Federta shqiptare – Kohezioni I shteit-komb në BE, Lubljanë/Prizren, 2016, f.202-203
  10. Arbër Xhaferi, Marrdhëniet Shqiptaro-Serbe – Çështja e Kosovës, vëllimi 3, pa vit të botimit, f. 141
  11. Po aty, f.209
  12. Simon Sebag Montefiore, Stalini – Në oborrin e carit të kuq”, Tiranë, 2010, f. 499
  13. Ukshin Hoti, Filozofia politike e çështjes shqiptare, botim i Zërit të Kosovës, Tiranë, 1995, f. 132-133
  14. Po aty, f. 134
  15. A.Stent, Putins Ruslands, Muenchen, 2019, f. 437
  16. Po aty, f. 480
Share: