Home KRYESORE Heronjtë në hije të luftës kundër COVID-19

Heronjtë në hije të luftës kundër COVID-19

Ndërsa dy spitalet kujdesen për të sëmurët rëndë nga virusi, mjekët dhe infermierë e sistemit parësor ndjekin mijëra të tjerë të testuar pozitivë dhe me simptoma të lehta e të mesme dhe qindra të dyshuar me COVID-19, ndërsa përballen me frikën dhe pasiguritë e pacientëve.

Nga Vladimir Karaj | BIRN |

Kur një grua rreth të 50-tave hyri në derën e Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Tiranë me maskën si bizhu të vendosur poshtë mjekrës, infermieri që shërben pranë portës i drejtoi menjëherë matësin elektronik të temperaturës gati si pistoletë.

Ai shtrihu krahun plotësisht para dhe bëri një apo dy hapa pas për të siguruar distancë, ngjashëm me një sherif që përfshihet në një duel për jetë a vdekje në filmat ‘western.’

“Vendos maskën, vendos maskën,” përsërit ai disa herë, gjithmonë me krahun shtrirë me termometër në dorë, pa i kthyer përgjigje pacientes që këmbëngulte të mbaronte punë shpejt.

Engjëllush Kodrasi, 59-vjeç dhe me 35 vjet eksperiencë pune si infermier, nuk është se i trembet veçanërisht infektimit me COVID-19, por thotë se përpiqet të ruaj veten dhe vetë qytetarët.

Ndërkohë, prej 3 muajsh ai është pjesë e një fronti gati të padukshëm mjekësh dhe infermierësh të sistemit parësor, që përballen çdo ditë me fluskin njerëzor më të madh me pacientë të prekur me COVID-19 në vend dhe një numër të paqartë të dyshuarish si të infektuar.

Kodrasi, që u shërben vullnetarisht në shtëpi pacientëve me COVID-19 që kanë nevojë për injeksione, thotë se pavarësisht frikës që ai apo pacientët kanë është e nevojshme një dozë optimizmi.

“Nganjëherë bëj dhe pak psikologun kur u shkoj në shtëpi për t’u bërë mjekimet apo marrë gjak për analiza,” shpjegoi ai.

“U bëj shaka, i bëj të qeshin, mos ta kenë mendjen vetëm aty,” shtoi Kodrasi, ndërsa theksoi se sëmundja veç problemeve fizike u krijon pacientëve një barrë të rëndë psikologjike.

Sipas të dhënave publike të Ministrisë së Shëndetësisë të mërkurën më 2 shtator, veç 185 të sëmurëve me COVID-19 të shtruar në 2 spitalet COVID, mbi 3600 të tjerë të testuar pozitivë ndiqen në shtëpi nga mjekët e familjes në të gjithë vendin.

Sëmundja ka shkaktuar vdekjen e 296 personave që nga shpërthimi i epidemisë, ndërsa numri i të infektuarve sipas testimeve është 9728, nga të cilët 5582 janë shëruar tashmë.

Megjithëse në shumicën e rasteve janë të parët që kanë kontakt me të sëmurët e dyshuar për COVID-19, mjekët e parësorit nuk janë trajtuar si punonjës të vijës të parë.

Ata fillimisht ishin të mënjanuar prej skemës që përfshiu urgjencën dhe spitalet COVID. Por prej fillimit të qershorit, me rritjen e numrit të rasteve pozitive përtej kapaciteteve që mund të shtroheshin në spitale, mjekët e familjes u ngarkuan të kujdeseshin për shumicën e të sëmurëve me COVID-19 që nuk kishin nevojë për shtrim në spital.

Një pjesë e madhe e rasteve të lehta ndiqen në telefon, por dhjetëra të testuar pozitiv kanë nevojë për injeksione të përditshme me antibiotikë dhe ilaçe të tjera që herë u bëhen në shtëpi dhe herë në kthina të izoluara të qendrave shëndetësore.

“Kemi infermierë që janë heronj, që pavarësisht rrezikut bëjnë injeksione dhe shkojnë në shtëpi të pacientëve, qoftë për të marrë gjak për analiza, qoftë për mjekim,” thotë mjekja Luiza Zotaj, e cila ndjek të sëmurët me COVID-19 në Qendrën Shëndetësore Nr.1, duke theksuar se të paktën ata (që shkonin në shtëpi të të sëmurëve) duhej të trajtoheshin ndryshe dhe duhej të shpërbleheshin për rrezikun që merrnin.

Heronjtë në hije

Luiza Zotaj dhe infermierja, qendra shendertesore Nr.1 | Foto : Nensi Bogdani

Ndryshe nga mjekët dhe infermierët e spitaleve COVID 1 dhe 2, të parë në dhjetëra kronika televizive dhe video propagande mbërthyer këmbë e kokë me veshje mbrojtëse, shumica e mjekëve në qendrat shëndetësore kanë vetëm maska, që i vendosin zakonisht dopjo dhe pak mjete të tjera që i përdorin për tu ruajtur.

“Frikë kemi pasur, të jemi të sinqertë. Kemi përdorur doreza, syze, ekranin dhe veshjet që i ruajmë si ujë i pakët për rastet kur shkojmë në shtëpi,” thotë Ilta Sinojmeri, drejtoresha e Qendrës Shëndetësore Nr.5 në Tiranë, ndërsa tregon syzet dhe mjetet që përdorin.

Të njëjtën gjë i tha BIRN infermieri Engjëllush Kodrasi. Ai thekson se maskat dhe dorezat i ka të siguruara nga puna, ndërsa blen veshje plastike për këmbët, që i përdor kur shkon për tu bërë mjekimet të sëmurëve në shtëpi.

Maskat i përdor dopjo tregon ai, ndërsa thotë edhe se përpiqet të mos duket shumë i maskuar për të mos frikësuar pacientët dhe për të ruajtur një farë kofidencialiteti.

“Ka shumë raste që pacientët na thonë në telefon, të lutem mos u vish si gogol,” thotë Kodrasi, duke iu referuar veshjeve të ekipeve të testimit. Ai tregon se mjaft prej të dyshuarve apo të sëmurëve kanë turp dhe frikë njëkohësisht.

“Bëjmë injeksione në shtëpi dhe në këtu (në qendër) sipas terapisë që ka dhënë mjeku. Ne shkojmë vullnetarisht në shtëpi, nuk na detyron ligji, por profesioni që kemi zgjedhur,” shpjegon Kodrasi.

Ai dhe mjekët e familjes pak mundësi kanë t’i kenë ato veshje që i bëjnë të duken si “gogolë”. Jashtë vëmendjes së mediave, që ka qenë e fokusuar kryesisht në spitalet ku ndodhen të sëmurët rëndë, mjekët dhe infermierët e sistemit parësor – që prej muajsh ndjekin numrin më të madh të të infektuarve apo të dyshuarve me COVID-19, nuk kanë përfituar trajtim të veçantë as në mjete dhe as në pagesa.

“E quajmë si të tepërt të kërkojmë në këtë situatë tani, pasi është situatë e vështirë,” tha Sinojmeri, ndërsa vuri në dukje se ajo dhe stafi përballeshin çdo ditë me të sëmurë dhe të dyshuar që e kishin bërë punën e tyre më të vështirë.

Pak a shumë të njëjtin qëndrim ka edhe doktoresh Anila Shahini, drejtuesja e Qendrës Shëndetësore Nr.1 në Tiranë. Ajo thotë se ishte e nevojshme që të ndihmoheshin infermierët dhe mjekët e parësorit që tani ishin duke përballuar fluks të shtuar pune dhe po ashtu edhe rrezik më të madh.

“Të paktën infermierët duhej të kishin përfituar shtesë në pagesa,” tha Shahini.

Por edhe ajo nënvizon se ata nuk duan të shfrytëzojnë momentin në të cilin ndodhej vendi për të kërkuar rritje page apo shpërblime.

Megjithatë doktoresha thotë se të paktën meritat duhej të ndaheshin dhe se puna e tyre duhej të njihej, pasi ngarkesa ka ardhur në rritje. Shahini kujton se për rreth dy javë në fillim të epidemisë ata pothuajse pezulluan vizitat në qendër dhe pacientët i ndiqnin o në telefon o në rrugë. Ndryshe, tani bëjnë thuajse gjithçka për pacientët me COVID-19, përfshirë injeksionet dhe vizitat në shtëpi.

“Tani nuk di të them sa persona më telefonojmë në ditë,” rrëfen Luiza Zotaj. “Ndonjëherë i njëjti person më merr shtatë herë,” shtoi ajo, ndërsa tregon mesazhet që merr nga pacientë që i raportojnë nivelin e oksigjenit, temperaturën apo çdo simptomë.

Përballje me mosbesimin, frikën dhe turpin

Anila Shahini, mjeke, drejtuese e Qendres Shendetesore Nr.1 | Foto : Nensi Bogdani

Doktoreshë Shahini, që pret vetë dhjetëra të sëmurë me probleme kardiologjike çdo ditë, tregon se sjellja e tyre dhe e pacientëve ndaj COVID-19 evoloi në pak javë, por se ende ka një frymë mosbesimi dhe se shpesh pacientët i shkelin rregullat, nuk mbajnë maska apo nuk janë të sinqertë.

“Pacientët duhet te jenë të ndershëm, duhet të mbajnë maskë dhe duhet të na tregojnë simptomat,” tha ajo. “Sepse një mjek po të më mungojë mua më krijon probleme të mëdha në qendër, sepse ka shumë njerëz që kanë nevojë për shërbim,” shpjegoi Shahini.

Shqetësim të ngjashëm ka edhe mjeku Bujar Mema, i cili drejton Qendrën Shëndetësore NR.9. në Tiranë. Mema thotë se fillimi i epidemisë ka qenë problematik, por me kalimin e kohës pacientët e kuptuan se kjo mungesë sinqeriteti i penalizonte.

“Ka pasur situata të vështira dhe me ata që duhej të testoheshin kishin turp për shkak të veshjes së testuesve edhe pse ka ndodhur që kanë dalë edhe negativë e ndjenin veten të persekutuar,” tha Mema, ndërsa shtoi që ka ende që e kanë problem.

Ai theksoi se mungesa e sinqeritetit minonte shërbimin e mjekut për pacientin.

“Nëse nuk tregohesh i sinqertë nuk mund të jap dot mjekimin e duhur në kohën e duhur,” shpjegoi Mema.

Megjithëse shpesh të gënjyer, mjekët duket se ia kanë ndalë mbanë t’i ruhen infeksionit. Në të tre qendrat ka pasur zyrtarisht vetëm raste të dyshuara më pas negative dhe asnjë pozitiv.

“Ideja është të mos i rrezikojmë mjekët. Shërbe dhe mbro jetën”, thotë Shahini, duke vënë në dukje rregullat strikte të maskës dhe temperaturës.

Mjekët thonë se mosbesimi apo frika për të treguar ka penalizuar disa nga të sëmurët.

“Në rastet kur kanë ardhur vonë, ka qenë më e vështirë për t’i kuruar dhe sëmundja mund të ketë avancuar,” tregon Mema, ndërsa shton se ka raste që vonesa u ka kushtuar shtrenjtë të sëmurëve.

Ai dhe mjekët e tjerë thonë se mjeku duhet të telefonohet për çdo temperaturë mbi normalen edhe për një 37.2. Prej këtu mjekët e familjes thonë se bëjnë ndjekjen përmes telefonit, duke këshilluar dhe mbajtur nën kontroll situatën çdo ditë.

Ndërkohë reagimet e pacientëve vijojnë të mbeten kontradiktore. Një pjesë neglizhojnë, ndërsa të tjerë mbërthehen nga ankthi e frika. Engjëllush Kodrasi thotë se mjaft prej atyre që viziton në shtëpi janë shumë të trembur. Ai shpjegon se kjo është po ashtu e dëmshme.

Mjaft njerëz shmangin sistemin publik dhe diagnostikohen përmes skanerave apo grafive. Mema thotë se edhe pse shenjat janë mjaft të ngjashme, disa nga raste që trajtojnë nuk janë COVID-19 dhe se bëhej fjalë për shqetësime që kishin qenë të pranishme në këtë stinë të vitit edhe më herët.

Protokollet e përgjithshme

Ilta Sinojmeri drejtorësh e qendrës shëndetësore 5 në Tiranë | Foto : Vladimir Karaj

Mjekët pranojnë se gjithçka bëjnë edhe pse në konsultim me literaturën që përditësohet është ende e rrëmujshme dhe protokolli është i përgjithshëm.

“Nuk ka një protokoll standard mjekimi,” thotë doktoresh Shahini, ndërsa shton se një paqartësi e tillë është në të gjithë botën dhe se mjekime që u panë si zgjidhje në disa momente u vu re që nuk kishin efektet e presupozuara.

Luiza Zotaj thotë që për çdo rast kur ka shenja që i ngjajnë COVID-19, ka një protokoll të përgjithshëm mjekimi të krijuar nga eksperienca dhe bazuar kryesisht në problemet që krijon sëmundja. Ajo thotë se jep menjëherë vitamina dhe hollues gjaku, për shkak se të infektuarit kanë pasur trombozë. Nëse temperatura vijon mjekimi sipas saj shtohet me antibiotikë dhe më pas me ilaçe të tjera që rekomandohen kundër simptomave të COVID-19.

Mema i tha BIRN se ai i mbante nën vëzhgim në distancë pacientët para se të fillonte mjekimin.

“Ka shumë viroza të stinës,” shpjegoi ai, ndërsa shtoi se pret dy apo tre ditë për të dhënë mjekime dhe 5 ditë për të rekomanduar testimin nëse temperatura ishte e vijueshme apo rritej.

Sinojmeri tha se ndjekja bëhej çdo ditë me telefon dhe nëse simptomat vijonin pas ditës së tretë kërkoheshin tre analiza, që përfshinin ato për të parë shenja të mpiksjes së gjakut, që është një nga komplikimet më të rrezikshme të virusit.

Sinojmeri tha se pavarësisht nëse kishte apo jo testim, mjekimi fillonte që nga dita e parë dhe se shumica e atyre që ankoheshin për temperaturë rezultonin më pas pozitivë.

“Pothuajse çdo temperaturë e shoqëruar me pak kollë dhe dhimbje fyti të lehtë ne na ka dalë pozitiv në këtë periudhë,” tha ajo.

Mjeku i familjes sipas saj mjekonte rastet e lehta dhe të mesme dhe nëse kishte komplikacione në mushkëri rekomandohej te pneumologu, ndërsa nëse situata rëndohej telefonohej 127 dhe pacienti shoqërohej në spital.

Për mjekët e familjes që po ndjekin rastet e COVID-19, shenjat e sëmundjes janë të njëjtat dhe fillimi është një temperaturë e lehtë. Por si Sinojmeri, Zotaj dhe Shahini thanë se një prej shenjave të përhershme që ato kishin parë ishte një djersitje e fortë e menjëhershme dhe pa ndonjë shkak të jashtëm.

“Djersitesh duke qëndruar ulur,” tregoi Zotaj.

Jo gjithçka megjithatë është e errët. Ditën që u intervistua nga BIRN Sinojmeri tha se kishte marrë lajme pozitive për katër pacientë që ishin shëruar. Zotaj tregoi për një grua 51-vjeç që e kishte telefonuar në mëngjes duke qarë për ta njoftuar se kishte dalë negative.

Gruaja me të cilën BIRN foli përmes telefonit dhe nga dritarja e një apartamenti në rrugicat pas Gjykatës së Apelit të Tiranës, tha se “mjekët kishin qenë të mrekullueshëm”, por kërkoi t’i ruhej identiteti, pasi e ëma dhe të tjerë të afërm nuk ishin në dijeni të problemeve që kishte kaluar.

Doktor Bujar Mema | Foto : Vladimir Karaj

Share: